Në tregun e arsimimit universitar, emri i Universitetit “Marin Barleti” është ndër më të kuotuarit

652
Nga Jakup B. GJOÇA

Intervistë me zv/ Rektoren e Universitetit “Marin Barleti” Prof. Dr. Zamira Çavo
Në tregun e arsimimit universitar, emri i Universitetit “Marin Barleti” është ndër më të kuotuarit. Serioziteti, profesionalizmi dhe përgjegjësia e një stafi të tërë është çelësi i sukesesit. Ne kemi arritur të kombinojmë mjaft mirë prurjet e reja që vijnë nga universitete me zë në Evropë.
-UMB, institucioni i vlerësuar, shkëlqyer nga agjencia britanike.
-Reforma në arsimin e lartë
– Vlerësimi i situatës aktuale

Zv Rektorja e universitetit “Marin Barleti” Prof. Dr. Zamira Çavo në intervistën për gazetën “Telgraf”, pohon se Universiteti “Marin Barleti” është vlerësuar nga agjencia britanike në të pestë fushat me pikët maksimale dhe sot është universiteti më i koutuar në Shqipëri, duke evidentuar se serioziteti, përgjegjësia dhe profesionalizmi i stafit janë çelësi i suksesit. Ndërkohë, Prof. Dr. Çavo pohon se reforma e Arsimit të Lartë është deri tani te germa “a”, sepse “merren më së shumti me anën menaxheriale, se sa me vetë thelbin e nevojës që ka vendi”. Është paradoks që në Shqipëri çdo vit merren 500 doktoratura, titujt akademikë janë në inflacion, madje analizon edhe shkaqet. Zonja Çavo, duke vlerësuar 4 vjeçarin e qeverisë, pohon arritjet, por shton gjithashtu, se “Rilindja është një qeverisje e djathtë fasadë e demagogjike!” Ndërsa duke shpjeguar shkaqet politike që faktorizuan kriminalizimin e Parlamentit, Prof. Dr. Çavo ka bindjen se “Elita politike shqiptare duhet eliminuar e gjitha!”. Për protestën e Opozitës, zonja Çavo pohon, se ka motiv, por Opozita nuk ka strategji. Si politologe, zonja Çavo thotë për debatin Soros në Shqipëri: “Nuk ka filozofi Sorosiane, ka filozofi neoliberale. Dhe në mendimin tim kjo filozofi është përgjegjëse për gjithçka të keqe, që ka ndodhur dhe ndodh në botë”.

Zonja Çavo, Universiteti “Marin Barleti” është deri tani në top listën e universiteteve të akredituara nga agjencia britanike. Si e keni arritur këtë?
Është e vërtetë. Nga agjencia britanike, universiteti ynë është vlerësuar në të pesta fushat me pikët maksimale. Kjo sigurisht na bën krenarë. Mendoj se, kur një punë bëhet në grup dhe me përkushtim e përgjegjësi, standardet arrihen dhe vlerësimi vjen si shpërblim. Realisht në Universitetin tonë, ne kemi dhjetë vite që punojmë me këtë frymë. Ndaj besoj edhe në tregun e arsimimit universitar, emri i Universitetit “Marin Barleti” është ndër më të kuotuarit. Serioziteti, profesionalizmi dhe përgjegjësia e një stafi të tërë është çelësi i suksesit. Ne kemi arritur të kombinojmë mjaft mirë prurjet e reja që vijnë nga universitete me zë në Evropë, me stafin e profesoratit që është me emër në shkallë kombëtare. Kjo ka krijuar, jo vetëm një frymë të re, por edhe një marrëdhënie të re në fushën e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Unë sot mund të them me bindje se pjesa më e madhe e studentëve, që mbarojnë universitetin tek ne, sot japin kontributin e tyre në fusha të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Kjo na bën krenarë!

Si mund ta vlerësoni Reformën në Arsimin e Lartë?
Reforma në Arsimin e Lartë ishte një domosdoshmëri, pasi Arsimi i Lartë, ashtu si dhe nivelet e tjera të arsimit në Shqipëri, ishin dhe vazhdojnë të jenë në standarde mjaft të ulëta. Në mendimin tim, kjo reformë sigurisht që sjell disa standarde të reja, por reforma është ende në hapin e parë. Ka shumë nevojë për inftastrukturën ligjore, për aktet të tjera që do të plotësojnë Ligjin, i cili ka shumë nevojë për këto aktet për t’u zbatuar. Deri më sot jemi akoma tek germa “a” e këtij ligji. Nga ana tjetër, mendoj se reformat në Shqipëri, pra dhe reforma në Arsimin e Lartë, merren më së shumti me anën menaxheriale, se sa me vetë thelbin e nevojës që ka vendi. Ndaj dhe për reformën në Arsimin Universitar them se nuk merret me thelbin , me mënyrën se si do përmirësohet cilësia e studimeve stafeve, kurrikulave, kërkimit shkencor etj. Dikush mund ta quaj sukses që në Universitet student tashmë hyn me një mesatare 6, por kjo nuk zgjidh gjë në cilësinë e tyre. Ne kemi pasur studentë që kanë ardhur nga shkollat e mesme nën këtë mesatare dhe kanë shkëlqyer në Universitet, madje kanë vazhduar po me sukses masterin jashtë vendit. Kemi pasur dhe studentë ( sikur kemi edhe këtë vit) që na vijnë nga gjimnazi me mesatare 7 apo 8 dhe rezultojnë mbetës. Kjo ka arsyet e veta, që lidhen me shumë faktorë, por në çdo rast dëshmojnë se ky standard që synohet të përmirësojë cilësinë realisht nuk e realizon dot një gjë të tillë. Kam frikë se presioni i notës ka zbritur tashmë në nivelin e gjimnazit dhe këtë do ta shohim këtë vit, kur të na rezultojnë me mesatare mbi 6 shumica e maturantëve. Dhe kjo mund të shitet si rritje cilësie., kur në të vërtetë mund të jetë “rritje presioni” për notë mbi 6. Reforma në Arsimin e Lartë, duke tentuar të kopjojë përvoja të vendeve që janë shumë larg me gjendjen tonë ekonomike, me problemet tona sociale, me psikologjinë tonë për arsimin dhe me traditën tonë në këtë fushë, kam frikë se nuk do të mund të shkojë me tej se germa “a”.

Mendoni se përzgjedhja në Administratën Publike, në listat e kandidatëve për deputetë, kryebashkiakë, në institucionet shtetërore dhe kushtetuese, bazohet në meritokracinë, që ky të jetë motiv për gjithkënd, për të pasur zell të studiojë dhe të kualifikohet me studime pasuniversitare?
Nuk mendoj se duhet ta shtrojmë kështu pyetjen. E mirëkuptoj qëllimin e pyetjes tuaj, por them se një student që të ketë motiv për të studiuar nuk ka pse e lidh studimin, apo kualifikimin e tij me mundësitë për t’u bërë deputet, apo punonjës i administratës publike. Nxitja duhet të vijë nga nevoja e tij për të gjetur vetveten në një ekonomi globale, për t’u bërë një profesionist i mirë dhe një qytetar akoma më i mirë. Të tjerat, duhet të jenë mundësi dytësore. Pra motivi duhet të vij së brendshmi për një profesion që njeriu e dëshiron si pasion. 

Profesore Çavo, a nuk mendoni se po krijohet Inflacion në marrjen e gradave dhe titujve shkencore, ndërkohë që në Shqipëri mungon Elita Intelektuale?
Elita intelektuale ekziston në Shqipëri. Madje, e them me bindje, që është një elitë që konkurron në heshtje me homologë të tjerë në Rajon e më gjerë. Ndërsa inflacioni në marrjen e gradave është real. Në mendimin tim marrja e një grade nuk të bën domosdoshmërish “elitë intelektuale”. E dini sa doktoratura mbrohen çdo vit në Shqipëri? Mbi 500!! Dhe çfarë impakti kanë këto ? Pothuaj zero! Kjo do të thotë se kërkimi shkencor në universitete është në degradim dhe se titujt e gradat sot janë në nivel të lartë inflacioni. Kjo ka disa arsye. Së pari, departamentet në universitete nuk kanë fushat e tyre të kërkimit ku t’i orientojnë doktorantët, me synim që të thellohen kërkimet në këtë fushë. Së dyti, doktorantët priren të bëjnë punime në fusha ku kërkimi i bërë nga të tjerë është në nivele të larta, kjo e bën më të lehtë kopjimin e temave, ose plagjiaturës së saj. Së treti, marrëdhënia mes universiteteve dhe shtetit për nevojat e tij imediate dhe afatmesme, pothuaj nuk ekziston, kjo i jep frymë punimeve sipas mundësive e dëshirave të individëve. Së katërti, doktorantët udhëhiqen shpesh nga profesorat, i cili ka në udhëheqje disa të tillë. Pra janë nën një “bashkëpunim-kontroll” formal. Kur lexon ndonjë temë doktorature, shpesh të vjen rëndë që ky punim quhet i tillë. 

Rilindja është një qeverisje e djathtë fasadë e demagogjike!
Zonja Çavo, ju si një politologe dhe analiste e njohur mund të na jepni një opinion, Qeveria e Rilindjes Socialiste i përmbushi pritshmëritë për mirëqeverisje, të 1 milionë votuesve të 2013-s, duke qenë se jemi në pragzgjedhje parlamentare

Pritshmëritë ishin shumë të larta e në këtë kuptim dhe zhgënjimet duken shumë të mëdha. Megjithatë, situata duhet vlerësuar sa më shumë objektivisht. Unë them se kjo qeveri ka bërë disa gjëra që qeveritë e mëparshme i shkatërruan. Dhe këto gjëra kanë të bëjnë me forcimin e shtetit. Marrja nën kontroll e territorit, vlerësimi maksimal për ndryshimin e psikologjisë së shqiptarit për të mos paguar detyrimet e tij ndaj shtetit, si dhe disa reforma si; reforma në pensione, ndarja e re administrative, ndërtimi i qendrave urbane mendoj se janë punë të mira të kësaj qeverie. A mund dhe duhej të bënte më shumë? Kjo është një pyetje që meriton një analizë të gjerë. Vërejtja ime kryesore për këtë qeverisje ka qenë dhe mbetet vetëm një: Rilindja është një qeverisje e djathtë fasadë dhe demagogjike!

A duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe çfarë përgjegjësi politike, kryetari i PS-së, tashmë që u faktua dhe dhanë dorëheqjen, për shkak të Dekriminalizimit deputetë dhe kryebashkiakë socialistë?
Mendimin tim e kamë thënë shpesh: Elita politike shqiptare duhet eliminuar e gjitha! Nuk është vetëm Edi Rama që solli në parlament njerëz me të kaluar kriminale. Ajo që them unë është se në Parlamentin shqiptar nuk duhet të këtë më as individë me dosje, pale të dënuar! Kurrë nuk ka qenë parlamenti shqiptar në këtë gjendje! Në këtë kuptim besoj se Rama, Meta, Berisha, Idrizi, Basha, duhet të japin dorëheqjen. Por kjo i takon partive të tyre përkatëse t’ua kërkojnë. Unë mendoj se ne si shoqëri duhet DETYRIMISHT të organizohemi e të mos lejojmë që në parlamentin e ardhshme të ketë individë që janë në procese hetimi!

Ju shikoni që kryetari i PS-së Edi Rama ka reflektuar për shkaqet që sollën në parlament deputetë me rekorde kriminale? 
Për këtë duhet pyetur z Rama. Ajo që shikojmë është se Rama publikisht sillet i distancuar nga kjo situatë. Pra mundohet të shfajësojë në një mënyrë veten. Uroj që të këtë reflektuar, se, ndryshe, vota popullore këtë herë nuk do ta falë më.

Ambasadori i ri i OSBE në Tiranë para disa ditësh publikoi se në Shqipëri qarkullojnë 2 miliardë euro nga trafikimi i Kanabis, që mund të blejnë votat dhe deputetë në 18 qershor 2017. Ju si e shpjegoni pas heshtjen? Nuk pati asnjë reagim.

Unë dëgjova një sqarim të z ambasador në lidhje me këtë deklaratë. Por pavarësisht kësaj, problemi i votave në Shqipëri ka qenë prezent në të dy kahet: Blerje dhe vjedhje votash! Unë jam e bindur fatkeqësisht që edhe në këto zgjedhje do ketë blerje dhe vjedhje votash! Kjo nuk ka të bëjë thjeshtë me kanabisin, por me kulturën tonë politike, me mënyrën se si janë mësuar partitë politike të bëjnë zgjedhje, më mënyrën se si elita politike vepron në këto zgjedhje, me indiferencën tonë ndaj këtyre zgjedhjeve, me gjendjen e vështirë ekonomike të njerëzve. Ajo që duhet të bëjmë ne dhe ju si media është të detyrojmë partitë politike t’i bëjnë publike kriteret që duhet të plotësojë një kandidat për deputet. Kështu do jemi në gjendje që të bëjmë një vlerësim të kandidaturave që na paraqiten. 

Cilët faktorë fajësohen për Kanabilizimin e gjithë Shqipërisë, kur ndërkohë asnjë vend ballkanik nuk mbjell kaq masivisht Kanabis?
Faktorët janë disa, por do veçoja varfërinë, keqqeverisjen dhe mentalitetin tonë. Nëse fermerëve do t’u ishte dhënë një mundësi tjetër për të mbjellë dhe për të siguruar të ardhura nga prodhimi i bimëve të tjera, sigurisht që nuk do mbillej kanabis. Nëse Monika do t’ia kishte thënë kohë më parë idenë e saj z Panariti, që është një ministër mjaft i përgjegjshëm i kësaj qeverie, mund të ishte parandaluar në një farë mënyre kjo situatë! Por mos harrojmë edhe faktin tjetër: Shqiptarët e dëshirojnë fitimin të shpejtë dhe të lartë. Nuk kemi durim dhe mbi të gjitha duam të përfitojmë sa më lehtësisht. Qeveria po të kishte gjetur rrugë të tjera për zhvillimin e vendit, me siguri që kanabisi do ishte reduktuar. Por unë jam e bindur se në vitin që vjen do kemi mjaft ndryshime pozitive në këtë drejtim.

Duke marrë shkak edhe nga pjesëmarrja e personave me rekorde kriminale, si deputetë dhe kryebashkiakë, akuzat për Kanabis, sa reale është akuza, që kjo qeveri bashkëpunon me krimin?
Ky është një perceptim por askush nuk mund ta vërtetojë dot këtë. Sikundër e thashë më lart deputetët apo kryebashkiakë me rekorde kriminale janë nga të gjitha kahet e politikës dhe kjo nuk e vërteton se qeveria është e lidhur me krimin. Unë nuk do mund ta akuzoja qeverinë për këtë lidhje. Qeveria mund dhe duhet kritikuar për qeverisjen e keqe, për mosinvestime ne sektorët publike, për dhënien e koncensioneve, për politikat autoritariste…

Mund të besojnë shqiptarët që Qeveria e lufton korrupsionin, kur ndërkohë, deputeti socialist pranon që ka blerë aksione bankare me vlerë 1,2 miliardë lekë, por nuk i bindi shqiptarët për burimet e të ardhurave dhe ende zvarritet hetimi dhe gjykimi?
Kjo që thoni është një arsye më shumë që duhet bërë Vettingu. Gjyqet dhe pushteti gjygjësor duhet ribërë, që të kemi një drejtësi në këtë vend. Nuk di të flas për rastin konkret, por gjykoj mbi pyetjen tuaj: individë të korruptuar, politikanë të korruptuar ka kudo në botë, por nuk është qeveria ajo që i zgjidhë këto çështje, është drejtësia. Prandaj kam thënë dhe vazhdoj ta them; elita politike shqiptare nuk pastrohet dot nga vetvetja. Për të pastruar këtë politikë në fillim duhet ndërtuar një sistem drejtësie korrekt!

Kur BE-ja nuk pranoi të hapte me Shqipërinë negociatat për anëtarësim, për shkak (EDHE) të Korrupsionit dhe kriminalizimit, kujt i adresohen këto? Qeverisë?
Edhe qeverisë! Mendoj se çdo kritikë që vjen nga BE i adresohet të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri. 

Sa mund ta besojnë shqiptarët kryeministrin e Rilindjes Socialiste se ka vullnet për të kryer Reformën në Drejtësi, e kjo reformë të hetojë dhe të gjykojë korrupsionin e vetë ministrave të kësaj qeverie?
Mbase nuk ka fare vullnet, por kjo nuk varet më nga Ai. Kjo reformë do të bëhet me siguri. Ai tani është i detyruar ta çojë deri në fund aktin e fillimit!

Sa të drejtë ka Opozita në protestën e saj? Ka motiv? Ka strategji politike?
Po e filloj me pyetjen A ka motiv? Sigurisht që ka. Në këtë vend ka arsye për protestë çdo orë! Në këtë sens është në të drejtën e opozitës të protestojë e aq më tepër të kërkojë marrjen e pushtetit!A ka strategji? Këtu dyshoj. Mesa po shihet nuk ka strategji. Protesta duket e lodhshme, e humbi ritmin e saj dhe çdo ditë po dëshmon karakterin spontan të sajin.

Është rrugëzgjidhje për të mirën e ecurisë demokratike të Shqipërisë vazhdimësia e protestës?
Një protestë pa strategji i bën më keq Shqipërisë dhe popullit! Dhe e dini pse? Sepse e para: i humb vlerën protestës, e dyta; i humb besueshmërinë njerëzve te opozita, së treti i jep indirekt vlera qeverisë! Basha, mendoj se ka gabuar tërësisht në mënyrën se si po e zhvillon luftën e tij politike. Unë e kam thënë dhe herë të tjera: Shqipëria ka nevojë për një opozitë serioze të shkarkuar nga barra e së kaluarës së keqe. Kjo nevojë bëhet imediate në kushtet kur një qeveri nuk funksionon mirë!

Duhet të bëjë debat kryeministri me Opozitën në protestë?
Nuk jam e këtij mendimi! Dhe ka një arsye që e them: Si mund të debatojë një kryeministër me një protestë, që kërkon shkarkimin e tij? Përse do duhet të debatojë? Dhe tjetra :Në protesta nuk debatohet, por negociohet! Dhe, në këtë rast, kjo gjë nuk shkon!

Një nga premtimet elektorale të kryeministrit Rama në 2013- të ishte se do të mirëqeveriste, do të bashkëpunonte me Opozitën dhe nuk do të ndiqte rrugën e konflikteve si paraardhësi. Tani, pas 4 vjetësh, ju e vlerësoni se kryeministri Rama vërtet ka zgjedhur në më të shumtën e rasteve rrugën e konsensusit dhe të bashkëpunimit për të mirën e reformave të integrimit të Shqipërisë?
Për të bërë një bashkëpunim të mirë duhen dy anë. Të dyja anët nuk kanë qenë të gatshme të bashkëveprojnë për të mirën e përbashkët. Dhe realisht nuk mund të bëhen dot bashkë. Sepse kjo elitë politike nuk e njeh publiken, fatin e popullit apo të vendit, ajo njeh vetëm xhepat. Këtu askush nuk mund të thotë se ata nuk bashkëpunojnë!

A mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme qeveria dhe kryeministri Edi Rama?
Jemi te detyruar të shpresojmë!
Ndikimi i Soros në Shqipëri! Është e kotë polemika, apo ia vlen të kthehet në debat popullor?
E kotë polemika. Askush nga ata që flasin nuk kuptojnë se përse flasin. Sorosi është përfaqësues i liberalizmit ekstrem. Ai, si dhe teoritë e tij për lirinë e pakufizuar, për liberalizimin e ekonomisë, e koncensioneve, etj janë pjesë e neoliberalëve. Filozofia e tij është filozofia e Bankës Botërore, e Fondit Monetar e… Por askush nuk i kritikon këto institucione. Kjo sepse Sorosi ju duket më i lidhur me qeverisjen Rama. Është qesharake! Nuk ka filozofi Sorosiane, ka filozofi neoliberale. Dhe në mendimin tim kjo filozofi është përgjegjëse për gjithçka ka ndodhur në botë; është përgjegjëse për grushtet e shtetit, për masakrat në vendet arabe, për varfërinë e shtuar, për pabarazinë ekstreme, për iluzionet e demokracive, për median e shitur, për…

Heshtja politike e kryeministrit Rama për importin e tonelatave të mbetjeve kimiko-bërthamore në Shqipëri është fajësi? – Së pari më duhet të njihem me këtë fakt. Nëse është i vërtetë, sigurisht që na detyrohet të na japë llogari!
-Ju faleminderit!
1
Reforma në Arsimin e Lartë, merren më së shumti me anën menaxheriale, se sa me vetë thelbin e nevojës që ka vendi. Ndaj dhe për reformën në Arsimin Universitar them se nuk merret me thelbin , me mënyrën se si do përmirësohet cilësia e studimeve stafeve, kurrikulave, kërkimit shkencor etj
2
Reforma në Arsimin e Lartë, duke tentuar të kopjojë përvoja të vendeve që janë shumë larg me gjendjen tonë ekonomike, me problemet tona sociale, me psikologjinë tonë për arsimin dhe me traditën tonë në këtë fushë, kam frikë se nuk do të mund të shkojë me tej se germa “a”
3
E dini sa doktoratura mbrohen çdo vit në Shqipëri? Mbi 500!! Dhe çfarë impakti kanë këto ? Pothuaj zero! Kjo do të thotë se kërkimi shkencor në universitete është në degradim dhe se titujt e gradat sot janë në nivel të lartë inflacioni
4
Vërejtja ime kryesore për këtë qeverisje ka qenë dhe mbetet vetëm një: Rilindja është një qeverisje e djathtë fasadë dhe demagogjike!
5
Mendimin tim e kamë thënë shpesh: Elita politike shqiptare duhet eliminuar e gjitha
6
Unë jam e bindur fatkeqësisht që edhe në këto zgjedhje do ketë blerje dhe vjedhje votash! Kjo nuk ka të bëjë thjeshtë me kanabisin, por me kulturën tonë politike, me mënyrën se si janë mësuar partitë politike të bëjnë zgjedhje, më mënyrën se si elita politike vepron në këto zgjedhje
7
Është në të drejtën e opozitës të protestojë e aq më tepër të kërkojë marrjen e pushtetit!A ka strategji? Këtu dyshoj. Mesa po shihet nuk ka strategji. Protesta duket e lodhshme, e humbi ritmin e saj
8
Nuk ka filozofi Sorosiane, ka filozofi neoliberale. Dhe në mendimin tim kjo filozofi është përgjegjëse për gjithçka ka ndodhur në botë; është përgjegjëse për grushtet e shtetit, për masakrat në vendet arabe, për varfërinë e shtuar, për pabarazinë ekstreme, për iluzionet e demokracive, për median e shitur, për…
Sigal