Në tre muajt e fundit u mbyllën 11 biznese, dolën të papunë 5600 persona

531
Sigal

Gazeta Telegraf/

Realiteti gri që po plak shqiptarët.
Elbasani kap rekorde të reja në pikiatën ekonomike

Nga Maksim  Tufa

Atë që ndoshta
dikasteret qeveritare e mbajnë të fshehtë, nuk mund ta fshehin drejtoritë e
vogla, si ajo e Tatimeve, apo e Punësimit në rrethe. Në pikiatën e madhe
ekonomike në të cilën po rrëshqet ky vend dhe ky popull, padyshim edhe Elbasani
ka pjesën e tij. ky qytet me mbi 220 mijë banorë, ka sot një numër të madh të
papunësh, të cilët u rriten pasi u mbyllën edhe dhjetëra biznese dhe linja
prodhimi të tjera duke flakur në rrugë edhe 5600 persona të tjerë. Burimet nga
drejtoritë rajonale të Tatimeve dhe Punësimit i thanë “Telegraf” se “në tre
muajt e fundit janë mbyllur përfundimisht pas kërkesave të shumta të bëra qysh
në janar të këtij viti, 11 biznese dhe aktivitete prodhuese, si firma ndërtimi,
fasonerie, peshku, këpucësh, dhe aktivitete të tjera tregtare, duke mos përmendur
këtu bizneset e vogla dhe të mesme, duke flakur në rrugë edhe 5600 persona, të
gjithë kryefamiljarë, hallexhinj, të cilëve sipas evidentimeve tona nuk u janë
paguar rregullisht edhe sigurimet shoqërore apo edhe detyrimet e tjera fiskale”.
Ky zbulim e rendit Elbasanin në qytetin që vendos rekorde të reja për
papunësinë,( aktualisht ka mbi 40 mijë të papunë)  varfërinë, dhe që nesër me të drejtë do ti
rreshtojë këta hallexhinj në vargun e madh të atyre që punësohen nga halli, nga
kultivuesit dhe trafikantët e hashashit, për tu paguar më mirë se paga e
mëparshme. I vetmi  “burim” nga ku
Drejtoria e Punësimit dhe ndonjë deputet i Rilindjes po punësojnë ndonjë
militantin e tyre, mbetet hidrocentrali  i ri në Banjë, nga ku çdo ditë shkojnë atje
dhe që shpesh kthehen bosh, me dhjetëra e dhjetëra persona. Hidrocentrali që
sapo u inaugurua nga Rama, është bërë shpresa e vetme e qeverisë për të
shpëtuar dhe shkurtuar ushtrinë e madhe të papunësisë edhe në Elbasan. E ndërsa
kryeministri deklaron se “kemi rritje ekonomike”, në qytetin e Elbasanit  kjo rritje  ndjehet tek rritja e të mbjellave me hashash
fushave, kodrave dhe maleve, duke u konsideruar 
ndoshta si “fronte të reja pune”. Pothuajse çdo ditë në drejtoritë
rajonale, do të shikosh dhe takosh me qindra persona, hallexhinj, ish-punonjës
të firmave dhe bizneseve të mbyllura, tek interesohen me libreza në duar, për  kontributet e paguara nga administratorët. Por
shumica e tyre zhgënjehen kur marrin përgjigjen negative, pasi pronarët nuk u
kanë derdhur asnjë qindarkë për sigurimet. Behari  44 vjeç është një ish-punonjës i mbetur i
papunë pasi firma e tij greko-shqiptare u mbyll pasi pronarët nuk paguanin
taksat e larta dhe gjobiteshin nga shteti qysh në dogana. Ai u shpreh për
“Telegraf” se “kam punuar 6 vjet tek ajo firmë, dhe marr lajmin e zi sot se, mire
me rrogat, por  pronarët nuk na kishin
paguar as sigurimet pavarësisht se na kishin mbajtur lekët, ashtu si unë ka
edhe nja 800 ish-punonjës burra dhe gra, ky është shtetit, që mirë jashtë
kufijve na braktis, por edhe brenda tyre nuk interesohet për shtetasit e vet”. Më
të tërhequrat janë disa grupime grash, shumica e të cilave ishin nga fshatrat e
Elbasanit, dhe ishin pajtuar (jo punësuar me kontrata legale)  nga pronarët me paga skandaloze, duke u
premtuar “pagesa sigurimesh” por që në fakt ka rezultuar e kundërta. Sipas
njërës prej tyre “fillimisht  na u
deklarua se do t’ju paguajmë rrogat e vogla sepse do t’ju derdhim sigurimet,
por ja që kanë mashtruar, duke u justifikuar se “kemi kërkuar qysh para 1 viti
falimentin, nuk kemi para, por nuk e miratoi dega e Tatimeve”. Pra me fatin dhe
jetën e qindra e mijëra shqiptarëve, të huajt dhe vendasit, luajnë si të duan,
kur të duan, duke shkelur ligjet, rregullat, normat, dhe gjithçka njerëzore.
Elbasani  vjen në këtë fundmandat të parë
qeverisës të Rilindjes, më i kërrusur se kurrë, më i papunë se kurrë, më i
varfër se kurrë, më i pashpresë se kurrë, më i përbuzur se kurrë, më i përdorur
se kurrë. Humbja dhe mungesa e vendeve të reja të punës, rritja e problemeve  sociale, 
e varfërisë, rritja e kriminalitetit, 
mbyllja e qindra e qindra bizneseve, degradimi  dhe mosmbajtja e premtimeve elektorale, do të
jenë vetëm disa prej shkaqeve që qytetarët e Elbasanit dhe jo vetëm, do të
detyrohen të mendohen mirë kur të japin votën e tyre në qershorin e 2017.