Ne Staraveckë te Shyqyri Sinani

1195
Sigal

Nga Gaqo VESHI

(Kujtime të paharruara nga Skrapari)

Ka qenë fat i madh, që pas mbarimit të shkollës detyrën e mësuesit e fillova në rrethin e Skraparit. Madje në zonën më të largët nga qendra e rrethit, gati tetë orë në këmbë. Ishte shtatori i vitit 1952, kur jam njohur me të paharruarin Shyqyri Sinani. Njohja me të ka një histori te veçantë. Isha emëruar mësues në shkollën 7-vjeçare të Backës, që në atë kohë kishte zënë vend poshtë teqesë bektashiane, në ish-dyqanet e saj. Në ato vite, në këtë shkollë 7-vjeçare (e dyta në rrethin e Skraparit, pas asaj të Çorovodës), vinin për të mësuar nxënës nga Backa, Staravecka, Helmësi e Potomi, madje dhe ndonjë nga Nikollara, Gjergjova apo Krasta. Ne ishim katër mësues, që na quanin “profesorë”. Unë nga Lavdari i Oparit të rrethit të Korçës dhe Sotiraq Gjergoja, Flamur Nallbani e Tokli Salepi nga qyteti i Beratit. Na kishin caktuar të banonim në Staraveckë dhe këshilli i fshatit kishte zgjedhur një dhomë në shtëpinë dykatëshe të Shyqri Sinanit. Të katër ne mësuesit, të shoqëruar nga dy pjesëtarë të këshillit popullor të fshatit, morëm rrugën drejt shtëpisë së tij. Por aty para portës e oborrit të shtruar me kalldrëm, ndodhi diçka, që na la një përshtypje të “keqe”, sepse nuk dinim asgjë dhe Shyqyriu bëri shumë fjalë me njerëzit e Këshillit. Pas asaj “grindjeje” u ngjitëm në katin e dytë të shtëpisë, në dhomën që ishte zgjedhur për ne. Por zemra s’na bënte të hapnim rrobat e të sistemoheshim, duke menduar fjalët që beri i zoti i shtëpisë me këshillin. Si do të rrinim aty, kur ai do të na rrinte hundë e buzë, si njerëz, që i kishim zaptuar shtëpinë pa dëshirën e tij?! Po rrinim si mbi gjemba, kur hapet dera e në dhomë hyn Shyqyriu, një burrë trupmadh, me mustaqe të gjata, korb të zeza. -Zbrisni poshtë të hamë darkë! – na tha më një ton, gati urdhërues. – Me ju s’kam asgjë, bashkë do të kalojmë shumë mirë.

Grindjen e kisha me Këshillin Popullor, që më doli nga fjala. Kishim rënë dakord, që për një muaj t’u çonin provizorisht në një shtëpi tjetër, pasi kisha gruan për të lindur. Zbritëm poshtë, por, të them të drejtën, më zëmër të vrarë, duke e ndjerë veten fajtorë, se ishim ne ata që e detyruan të zotin e shtëpisë të bënte fjalë më Këshillin. Por ishim gabuar. Ai kishte përgatitur darkën e na priti me gjithë të mirat e me zemër të hapur, ashtu si dinë të presin skraparllinjtë. Që nga ajo ditë e deri sa mbaroi viti shkollor, ku atë vit ndiqnin klasën e gjashtë dhe dy fëmijët e tij, Minia dhe Hekurani, nuk mund t’i harroj ditët e mirësitë e këtij njeriu zemërmadh. Me që unë isha fshatar nga Lavdari i Oparit, jo shumë larg Qafës së Martës, që ndante Skraparin më rrethin e Korçës, më Shyqyrinë bëja biseda, si dy fshatarë dhe çuditesha sa njohuri kishte ai burrë. Ato vite ishin të vështira. Qendra e rrethit ishte Çorovoda, që për mua ishte dy herë më larg nga fshati im në Oparin e rrethit të Korçës. Tregtia kishte hapur vetëm një dyqan në Potom, që në atë kohë ishte lokalitet. Mallrat ushqimore shiteshin, si i thoshin ahere, me “reciprok” dhe ishte e vështirë të siguroje ushqime.

Një ditë Shyqyriu më thotë: -Ke kafshë samari në shtëpi? -Si jo, kam një mushkë! – iu përgjigja. -Ti e di, si te ju rrëzë Ostrovicës dhe te ne poshtë Qafës së Martës, bën dimër i madh e zihen rrugët nga dëbora. Për të siguruar ushqimet që lipsen për dimër, merr mushkën time, çap në shtëpi, merr dhe mushkën tënde, shko në pazar të Korçës dhe ngarkoji me patate e fasule, se të tjerat i sigurojmë këtu. Bëra ashtu si më këshilloi, si një prind i mirë, Shyqyriu. -Do bëni edhe një gjë tjetër, – na tha ne të katërve. – Të siguroni edhe mish për pastërma. Për sigurimin e tij, ai ra në pazar me një fshatar nga lagja Zhurdë, që mbarështonte shumë dhi, duke blerë tri kokë, më kaull që i zoti i tyre t’i mbante e t’u shërbente deri në fillim të nëntorit. Si siguruam ushqimet e pastërmanë, nuk kishte si ne në atë dhomë të mirë të Shyqyri Sinanit, në katin e dytë, me dysheme, tavan e dritare të mëdha, që nuk dallonte aspak nga ato të qytetit, aq sa të gjithë mësuesit na kishin zili. Dhe kjo i takonte vetëm atij. Nuk më ndahej shpirti nga ai njeri i mirë dhe prisja sa të kthehej nga punët bujqësore e të ngjitej lart në dhomë tek ne. Ishim bërë si një familje më të. Për çdo sebep apo mikpritje që kishte, ne do të ishim në krye të sofrës, ashtu si do të gjendej ai pranë nesh, kur na vinte ndonjë shok apo inspektor nga rrethi. Nuk më harrohet një ndodhi. Një ditë na kishte ardhur për darkë drejtori ynë bashkë me të shoqen, që banonin në lagjen Vladas të Backës. Kuzhinieri ynë (si e quanim ne Sotiraq Gjergon, me që i vinte ndoresh për të gatuar) edhe me ndihmën e Shyqyriut i kishte bërë përgatitjet e duhura. Por gjatë darkës, vura re se rakia, që kishim marrë nga Nikollara, po sosej. -Si do të bëjmë, do turpërohemi! – i thashë Sotiraqit në vesh. Kur shoh që u ngrit Shyqyriu, zbriti poshtë e u kthye me një shishe me raki e me disa pjata me meze. Shembuj të tilla të këtij njeriu të mirë, kam shumë për të treguar. Në shtëpinë e tij e në dhomën ku banonin ne të katërt mësuesit e shkollës 7-vjeçare, nuk kishte çelësa. Mund të shtoj e s’kam për ta harruar kurrë darkën që ai shtroi, për të na përcjellë, kur mbaroi viti shkollor, duke thirrur gjithë vëllazërinë e tij. Që ahere ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli, por unë dhe sot e kësaj dite nuk e harroj Shyqyri Sinanin dhe familjen e tij në Staraveckë.