Në shtetin grek kanë mbetur edhe treva të tjera shqiptare

3205
Prof.as.dr. Agim Koçillari

Vijon nga numri kaluar
Dihet se në shtetin grek kanë mbetur edhe treva të tjera shqiptare në të cilat popullsia e tyre është shpërngulur me të njëjtat metoda. Për të argumentuar këtë sjellim fakte që historia i njeh, por që Shqiptarët: politikanë, media etj. deri para pak kohësh pothuajse nuk ndiheshin duke i lenë në harresë . E kundërta ka ndodhur me Ju duke mos lenë rast pa shpifur dhe kërkuar me pa të drejtë, madje duke ngritur zërin në instancat më të larta ndërkombëtare. Si shembull: Çfarë do Vangjel Dule me kishën tonë në Himarë? Më së fundi, u desh që në shtetin shqiptar të vinte në pushtet një qeveri, e cila të interesohej për kë to probleme. Sipas prof. dr. S. Repishti në studimin botuar nga Universiteti Evropian me temë “Epiri i Jugut, Çamëria,, (Tiranë 2014), territoret shqiptare që Fuqitë e Mëdha i dhuruan shtetit grek, janë:

Thesprotia (Çamëria) 1 515 km2 
Janina 4 890 km2
Preveza 1 077 km2
Kosturi 1 685 km2
Arta 1 612 km2
Gjithsej 10 779 km2 

Kurse prof. dr. Selman Sheme, gjeograf, po në këtë studim i nxjerr ato në 2 700 km2. Pouquevile, konsull Frances në oborrin e Ali Pashës dhe njohës shumë i mirë i realitetit shqiptar në këto treva, në shënimet e tij, me titull: “Udhëtim në Epirin e Veriut” shkruan: “Arritëm në zonën e Konicës – Grebenesë, fshatrat grekë filluan të rrallohen dhe mbi këto vendbanime nuk ka më fshatra greke. Hymë në krahinë e Kosturit që është e banuar nga shqiptarë. Ajo është krahina më e qetë e pashallëkut të Janinës, ku mungon hasmëria dhe hajdutëria”. Pra në Greqi është një territor shqiptar shumë herë më i madh se ai çam dhe nga këto territore, si edhe Çamëria, në vitet 1922-24 janë dëbuar me dhunë rreth 100 000 shqiptarë (prof. Kalopi Naska—“Dokumente për Çamërinë”- Dituria, 1999. Tiranë). Dëbimi me dhunë i kësaj popullsie, me fe myslimane por kombësi shqiptare, ka filluar që me shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar. Ajo mori vrull gjatë Luftës Ballkanike, kur u përdor edhe një gjenocid i paparë (shih librin e George Fred Williams, ambasador i Sh.B.A. në Athinë dhe Podgoricë dhe i ngarkuar për këqyrjen e ngjarjeve në territoret shqiptare në këto vite. – (“Dielli”, Tiranë, 1936). Atëherë, pse pas viteve ’1990-të e në vazhdim, flitet vetëm për çështje çame dhe jo shqiptare? Mendojmë se për këtë kanë luajtur rol disa faktorë: 

Së pari, politika jonë u tregua servile ndaj Athinës dhe për interesat e saj të ngushta e zvogëloi me sa mundi këtë problem.

Së dyti, spastrimi përfundimtar i territorit çam është më i freskët dhe ka qenë shumë më i egër se sa i të tjerëve. Në vitet 1923-24 u dëbuan vetëm 5 000 çamë dhe 25 000 të tjerë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Realisht faktor-kohë-ka pasur në të dy territoret: Dëbimi ka filluar në vitet 1922-24 dhe ka vazhduar edhe pas vitit 1944, jo vetëm në territoret çame. Atëherë unë pyes: Po të jetë vetëm faktori kohë pse nuk flitet dhe shkruhet, sidomos për dëbimin shqiptarëve të pas Gramozit, që u bë në vitet 1944-47, që sot përbëjnë shumicën qytetit të Maliqit dhe janë shpërndarë kudo nëpër Shqipëri. 

Së treti, për mua është, ndofta një ndër kryesorët pas këtyre viteve. Për të ndihmuar studiuesit e këtyre problemeve me rëndësi shumë të madhe, të dhëna me shumë vlerë jep prof. Kaliopi Naska në librin me titull “Dokumente për Çamërinë”, Dituria 1999 ku janë përfshirë dokumente të nxjerra nga arkivi i shtetit. Mendoj që titulli nuk i përgjigjet realitetit sepse 1/3 e dokumenteve i përkasin problemit çam, 1/3 territoreve të tjera dhe popullsisë së tyre (Follorinë, Kostur etj.) dhe ajo që mbetet (ose më mirë shumica) janë dokumente që kanë të bëjnë me marrëdhëniet shqiptaro – greke në vitet 1921 – 1936 (nga Follorina në veri; Hurupishti,taniArgos Orestiko, Grebene dhe Meçova në lindje dhe deri tek Arta në jug). 

Së katërti, i pa dukshëm por me rol te madh, është edhe fakti se në tekstet tona shkollore, fatkeqësisht nuk pasqyrohet ky realitet historik (Shiko në tekstin e gjeografisë së shkollave të mesme kapitullin: Trojet shqiptare në Greqi). Janë këto faktorë, të cilat kanë bërë që për këto territore të pastra shqiptare dhe popullsinë e tyre, të shkruhet e flitet pothuaj fare. Por, duke vepruar dhe shkruar kështu, opinioni shqiptar dhe sidomos brezi i ri nuk ka se si ta dijë që këto treva dhe ajo e pas Gramozit deri në vitin 1947, janë shqiptare dhe që kanë qenë banuar nga shqiptarë. Dhe më e rëndësishmja është, që ata duhet të dinë se ende vazhdojnë të banohen nga shqiptarë te krishterë. Dihet se grekët në vitin 1921 luftuan me turqit në Azinë e vogël dhe beteja përfundimtare u zhvillua në Smirna (sot Izmir). Në këtë luftë ata u thyen. Për të vendosur paqen midis këtyre dy shteteve, në Lozanë u mblodhën fuqitë mëdha të kohës, ku u bë një marrëveshje. Në këtë konferencë, u vendos që banorët e krishterë të Turqisë (që nuk ishin grekë por të krishterë të mbetur që nga koha e perandorisë Romake e mandej të asaj Bizantine në territoret e saj, prandaj dhe quheshin Rumë), të vendoseshin në Greqi dhe banorët myslimanëqë banonin në shtetin grek, të vendoseshin në Turqi. (sipas grekëve dhe turqve, feja përcaktonte kombësinë) Në këtë traktat, është shkruar, se nga kjo marrëveshje do bënin përjashtim shtetasit grekë me kombësi shqiptare dhe fe myslimane, të cilët nuk do të shpërnguleshin në Turqi. Që këto troje nuk kanë qenë greke dhe banorët e tyre ishin shqiptarë që banonin atje që nga lashtësia, e pranojnë vetë edhe autoritet larta greke të kohës. Shih “Dokumente për Çamërinë” Kështu, në bisedimet e Lozanës ministri i jashtëm grek Caklamanos ka deklaruar, në seancën e 21 janarit 1923 (procesverbali i Konferencës): “Nëse ata (shqiptarët) janë bashkë fetarë me turqit, ata nuk janë aspak bashkatdhetarë të tyre” dhe më tej sipas faqes 13, rreshti fundit i procesverbalit thekson: Greqia ka propozuar të hiqet dorë nga ky akt padrejtësie, sepse ne nuk kemi të drejtë të nxjerrim jashtë popullsi nga një territor ku ata kanë banuar shekuj me radhë. Po ky person, ka deklaruar përpara nën/komisionit për këmbimin popullsive, në seancën e mbajtur më 19 janar të 1923-së: se “shqiptarët banojnë në një territor të përcaktuar qartë, Epir” – “Dok. për Çamërinë,, – fq. 87). Gjithashtu, edhe vetë Venizellos, kryeministër e kryetar i delegacionit grek në konferencën e Lozanës, më 3 shtator 1923, i ka dërguar një letër qeverisë shqiptare përmes Legatës së Greqisë në Tiranë ku thuhet: “Me anë të letrës së 13 korrikut ju keni pasur mirësinë të kërkoni që qeveria që Greqisë të respektojë angazhimet marra ndaj Shqipërisë, lidhur me marrëveshjen mbi këmbimin popullsisë, të vendosur midis Turqisë dhe Greqisë në Lozanë. Jam i ngarkuar dhe është kënaqësi për mua t’i bëj të ditur Shkëlqesisë Suaj, se asnjëherë nuk ka qenë qëllimi i qeverisë greke shmangia nga angazhimet solemne të marra në Lozanë, të cilat ajo do t’i respektojë me skrupuzolitet, si përsa i përket shqiptarëve myslimanë shtetas të huaj, po ashtu edhe grekë, pasuritë e të cilëve ndodhen në Greqi, njëlloj do të përjashtohen nga këmbimi i parashikuar”.(Dok. për Çamërinë) Theksojmë se, për këto probleme, Mit’hat Frashëri, në atë kohë ministër fuqiplotë i shtetit shqiptar në Athinë, është shprehur se ka dërguar më se 40 nota proteste dhe se më se 80 herë ka protestuar me gojë. Por, çfarë ndodhi në të vërtetë? Për ne shqiptarët, e keqja fillon kur u bë zbatimi i këtij traktati. Grekët, në kundërshtim me sa kishin deklaruar e firmosur në procesverbalin e saj, bënë të kundërtën. Ata duke përdorur dhunën i detyruan shqiptarët e këtyre trevave që të shpërngulen dhe vendosen shumica në Turqi dhe një pjesë edhe në Shqipëri. Nuk dihet mirë numri i shqiptarëve të shpërngulur, por mendohet se janë jo më pak se 100 000 vetë. (“Dok. për Çamërinë,,). Nga këta, sipas një letre dërguar nga Mit’hat Frashëri nga Athina, më 15 qershor 1925 (AQSh) F. 251, V. 1925, D. 131, f.82-83: Nga prefekturat e Follorinës dhe Kosturit janë shpërngulur 30 000 – 35 000 banorë, pra aq sa edhe çamë. Pasuria e këtyre shqiptarëve llogaritej në 20 milionë franga ar. Po përmendim këtu se shqiptarë ka pasur edhe në Maqedoni (Selanik, Karaferia, Vodenë, Allasonjë, Katerinë…, pasuritë e të cilëve llogariteshin në miliona franga ar…). Protestave të shqiptarëve të këtyre trevave si dhe të qeverisë shqiptare të kohës, drejtuar gjithë kancelarive të fuqive të mëdha askush nuk u a vuri veshin dhe vazhdoi dëbimi i shqiptarë myslimanë:

Të tërë shqiptarët e Prevezës;
Të tërë shqiptarët e Janinës;
Një pjesë e madhe shqiptarëve të Konicës;
Të tërë shqiptarët e Pargës;
Një pjesë e banorëve myslimanë shqiptarë nga Çamëria.

Zhvillimi i ngjarjeve në atë kohë, paraqitet në përmbajtjen e një notë proteste, drejtuar komisionit të përzier, që ishte caktuar nga Fuqitë Mëdha për të ndjekur zbatimin e traktatit të Lozanës, dhe ushtronte veprimtarinë e tij në Kostandinopojë. Në këtë dokument Z. Mit’hat Frashëri 11.11.1925, shkruan: “Kur duket se, shpërngulja me forcë shqiptarëve myslimanë të Kosturit, Follorinës, Konicës, Janinës po shkon drejt përfundimit dhe refugjatët e krishterë, rumët, prej Azisë së vogël dhe Anadollit, janë sistemuar në pronat zaptuara të shqiptarëve, vërejmë se grekët po vazhdojmë më tej, për të mos lënë këmbë shqiptari në Epir dhe përzënë edhe banorët e Çamërisë.” Më tej ai vazhdon: “Qarkullojnë zëra për heqjen nga Çamëria (Epir), të pesë mijë shqiptarëve, që i detyrohen këmbimit të detyrueshëm. Në rast se këto zëra janë të themelta, unë jam i ngarkuar nga qeveria ime të protestoj energjikisht pranë Komisionit Mikst. 
Vijon
Sigal