Në Shqipëri, 103 mijë “kamikazë” tregtojnë bombola gazi

499
Shpërthimi me prag tragjedie, i bombolës së gazit në një ëmbëltore në Tiranë ku u plagosën 22 persona, bëri prezent një “burim krimi” të neglizhuar që importues, doganierë, tatimorë, transportues, shitës, blerës, përdorues dhe kontrollues të shtetit e kanë lejuar me vetëdije që të ndodh. Pas shpërthimit, 9 institucione të shtetit që kanë detyrim të kontrollojnë, licencojnë, certifikojnë e të drejtojnë tregun e bombolave të gazit deri tek konsumatori familjarë, “u zgjuan” dhe gjoja “zbuluan” shkaqet e shpërthimit të bombolës. Por, asnjë prej 9 institucioneve të shtetit, nuk morri përsipër përgjegjësinë për lejimin e tregut “xhungël” të depozitimit të gazit në pikat e shumicës, të shpërndarjes në treg, të mbushjes së bombolave, të shitjes dhe përdorimit të gazit deri tek konsumatori. 
Shteti deklaron: “O popull, mbrohu vetë nga “kamikazët” që shesin “bomb(ol)a gazi…!
Kanë kaluar 3 ditë dhe nuk po flitet më për përgjegjësinë dhe “rrumpallën” e tregut të gazit. Nuk u bë asnjë arrestim tregtari shumice e pakice, doganieri, tatimori, mjedisori. Nuk u bë asnjë shkarkim nga detyra e madje nuk u bë asnjë dorëheqje as në nivel “inspektori terreni” të hidrokarbureve apo shërbimit të zjarrfikësve që kanë detyrimin administrativ, shtetëror, ligjor e praktik të mbajtjes nën kontroll të këtij tregu me rrezik për jetën e individit dhe komunitetit, siç ndodhi pak ditë më parë në Tiranë. U arrestua vetëm pronari i ëmbëltores ku u shkaktua prag-tragjedia njerëzore, ndërkohë që zyrtarët e lartë të shtetit të cilët kanë lejuar këtë anarki katastrofike, dolën nëpër ekrane televizionesh dhe “recituan” nga një ligj, rregullore, VKM e kujtesë për rrezikun ndaj bombolave të gazit dhe me kaq “e pastruan” veten nga përgjegjësia, duke vazhduar kapardisjen në postet që kanë. Nuk e dimë, se çfarë po bën drejtësia në lidhje me shkakun e këtij rreziku të madh e masiv për jetën, që e ka burimin tek neglizhenca, pazaret dhe “interesat” e drejtuesve të institucioneve përgjegjëse që e kanë lejuar, por dimë faktin që edhe pas prag-tragjedisë në Tiranë, vazhdon tregu i pa sigurt dhe i pa kontrolluar i bombolave “vrasëse” të gazit. Skandali qëndron në faktin, që shteti, jo vetëm pranon që në Shqipëri ka banda tregu që shesin “bomba” gazi e nuk ka se çfarë të bëjë ndaj tyre, por edhe këshillon qytetarët bëjnë kujdes kur blejnë e kur përdorin gaz, duke i këshilluar që… “të refuzojnë frekuentimin e blerjes së bombolave të gazit, apo mbushjen e tyre në subjekte të pa licencuara”. Po ku e di qytetari, se cilët nuk janë të pa licencuarit e lejuar nga shteti, madje edhe në qendër të Tiranës që kanë ngritur impiante e dyqane shitjeje gazi! Ja se çfarë thotë Inspektorati Qendror Teknik: “Ka ardhur koha, që konsumatori në vetvete të bëhet garant i kushteve të sigurisë për veten. Vërtet sot ligji i ndalon pikat e karburanteve të mbushin bombola për qëndrime rezidenciale apo tregtare, por janë më së shumti konsumatorët që edhe pse e dinë që ligji e ndalon mbushjen e bombolës atje, këmbëngulin dhe u drejtohen sërish këtyre pikave për të marrë shërbimin e kërkuar. 
Sigal