Në Rambla jeta vazhdon…

92
Nga Ergys ALUSHI
Barcelonë, 4 shtator 2017

Deri atë ditë dhe orë të së enjtes së 17 gushtit – 16.45, në Barcelonë tema kryesore e bisedave ishte largimi i Nejmarit nga ekipi i “Barcelonës”, si një nga shitjet më të bujshme të futbollit evropian e atij botëror. Për katalanasit Nejmar, deri dje idhulli i tyre, sot, konsiderohej tradhtar. Rambla ishte vendi ku flitej më shumë për atë që kishte ndodhur, sepse Rambla ishte vendi ku barcelonasit festojnë të gjitha trofetë ë “Barcelonës”, në disa prej të cilave kishte kontribuar edhe Neymar. Në Barcelonë flitej edhe për verën e nxehtë, pushimet, planet për ditët në vazhdim, turistët e shumtë, trafikun në rrugët që të shpien në bregdet e të tjera biseda. Në të gjithë Barcelonën shihje grupe turistësh, që të organizuar ose jo, lëviznin pa pushim nga njëra pikë turistike në tjetrën, në këmbë, taksi apo dhe autobus që ishin në shërbim të tureve turistike. Në rrugën kryesore të Barcelonës, La Rambla, mijëra njerëz nga e gjithë bota, ishin duke shijuar shëtitjen në rrugën e famshme, pa të cilën nuk mund të kuptohet një vizitë në Barcelonë. Në rrugën, për të cilën shkrimtari i njohur spanjoll, Frederico Garcia Lorca ka shkruar ” É l’unico strada al mondo che vorrei non finisse mai”. (E vetmja rrugë në botë që do të doja të mos mbaronte kurrë)

17 gusht 2017-ora 16.45
Askujt nuk i kishte shkuar mendja se në rrugën e përkufizuar aq bukur nga Lorka, do të kthehej në rrugën e vdekjes, ndoshta në rrugën që të gjithë do të dëshironin që të mos shkelnin më atje. Në mes të qetësisë, shijimit të një kuzhine tipike spanjolle, shoping-ut në dyqanet e shumta, shkrepjes së një fotografie, përqendrimit i ulur para një piktori të rrugës, një fugon i markës ‘Fiat Talento’, do të hynte papritmas në rrugën nga ana e ‘Piaca Catalunya’ e do të shtypte e godiste këdo që do të gjente përpara. Paniku ishte i menjëhershëm dhe i madh. Kush arrinte t’i shpëtonte furgonit vrasës do të tmerrohej nga pamja që furgoni linte nga pas, teksa ecte mbi trupa njerëzish. Njerëz të gjakosur, të shtrirë në shesh duke kërkuar ndihmë, të tjerë që qëndronin të palëvizur me gjymtyrë të thyer, dikush që kërkonte të afërmin mes të qarave të dhimbjes e tmerrit. Sipas dëshmitarëve të atij momenti, furgoni do të lëvizte rreth 600 metra, nga ‘Placa de Catalunya’ deri në mercato ‘La Boqueria’. Bilanci do të ishte tragjik. 13 të vdekur e rreth 130 të plagosur. Terrorizmi kishte goditur në zemër te Barcelonës, në simbolin e Katalonjës, në La Ramblan e famshme. Të dëmtuarit ne aktin terrorist ishin shtetas nga 35 vende të Evropës e të botës. Ngjarja do ta trondiste keq Barcelonën, por edhe qytetet e tjera të mbare Botës. Kishte ndodhur atentati terrorist me më shumë të vdekur në Spanjë, që nga atentati i Madridit në vitin 2004 dhe akoma më larg ndër vite, atentati në Katalonja në vitin 1987.

La Rambla
Është emri i rrugës qendrore të Barcelonës, rruga kryesore, e kthyer në një simbol të Barcelonës, por edhe te Spanjës. Rruga e ka marrë emrin nga fjala arabe (raml) që do të thotë (sabbia) që në shqip përkthehet (rërë). Rruga është e gjatë rreth 1 km e 400 m dhe lidh dy sheshet kryesore në qendër të Barcelonës, ‘Plaça de Catalunya’ dhe ‘Plaça de Spanja’ deri në statujën e Kristofor Kolombi e gjatë 60 metra dhe në fund me portin antik (Port Vell). Në të gjithë gjatësinë e rrugës-shëtitore ka objekte të vjetra, një pjesë e të cilave janë rikonstruruar për t’u kthyer në hotele, bar, restorante e njësi të ndryshme shërbimesh. Rruga kalon mes pemëve të gjelbëruara në të gjitha stinët e vitit, duke i dhënë një pamje të bukur e të ngrohtë për të gjithë vizitorët. Rambla prezanton Barcelonën në sytë e të gjithë botës.

Jeta në La Rambla, vazhdon…
Në datën 30 gusht, 13 ditë pas atentatit, jeta në Rambla i ishte kthyer normalitetit, ishte rikthyer qetësia. Në të dyja hyrjet në shëtitoren e famshme qëndronin furgona policie dhe policë me uniforma të dukshme dhe të armatosur. Gjatë gjithë gjatësisë së rrugës ndeshje shpesh punonjës policie me uniforma të ndryshme, të cilët nuk shkaktonin bezdi me prezencën e tyre. Në hyrjen nga sheshi Spanja, kontakti i parë janë statujat e lëvizshme të interpretuara nga artistë të rrugës të cilët tërheqin kërshërinë e turistëve dhe dhurojnë spektakël. Grupe njerëzish të të gjitha moshave lëvizin nga të dy drejtimet e rrugës, duke folur të gjitha gjuhët e Botës. Aty dëgjon gjermanisht, anglisht, italisht, rusisht, frëngjisht, greqisht, por edhe shqip dhe shumë gjuhë të tjera. Të gjithë kanë se çfarë të shikojnë, të bëjnë foto, të blejnë një dhuratë nga Rambla e bukur. ‘Mercato Borqueria’ është gjithmonë plot, e ndërtuar në vitin 1936 dhe ofron shumë artikuj, që nga të gjitha llojet e peshkut e deri te prodhimet e fushës. Mercato është kthyer në një pikë turistike aq sa krijon pak bezdi për vendasit, të cilët nuk blejnë dot të qetë ato që konsumojnë në të përditshmen e tyre. Ecim përgjatë Ramblës dhe shohim se në këtë vend mund të bësh shoping, të ushqehesh, të pish një kafe, duke e kaluar të gjithë ditën pa e kuptuar se si ka kaluar ora. Diku ndalojmë për të parë një statujë të lëvizshme, pak metra më tutje një piktor që për 5 minuta të ofron një portret gati origjinal, për të vazhduar me dëgjimin e një muzikanti rruge, blerjen e një dhurate, të një lule. Shumica e tregtarëve ambulantë janë emigrantë nga e gjithë bota, të cilët të ofrojnë shumëllojshmëri artikujsh, janë të qeshur, komunikues dhe mundohen t’u përshtaten të gjitha gjuhëve. Në ecjen tonë ndalojmë në fontanën Canaletes, ku sipas legjendës vendase, kush pi ujin e saj rikthehet përsëri në Barcelonë, në Rambla, ndaj edhe të gjithë nxitojnë të pinë ujë në atë vend. Në Rambla ka një numër të konsiderueshëm restorantesh që ofrojnë ushqime të çastit, por edhe restorante ku mund të qëndrosh më gjate për të ngrënë. Në mesin e rrugës shikojmë një grumbull të madh njerëzish që qëndrojnë të heshtur dhe një guidator turistik ju tregon me zë të qetë. Kuptojmë se ndodhemi në vendin ku u ndal furgoni i terroristëve pasi përshkoi 600 metra rrugë. Ndodhemi pikërisht mbi mozaikun e famshëm në Rambla, ku ndodhet dhe firma e artistit që e ka kompozuar,Miro’, një mozaik shumëngjyrësh që i jep gjallëri e ngrohtësi kësaj pjese të rrugë që nëse nuk ta tregon njeri ecën mbi të pa e kuptuar. Mbrëmja bie pa e kuptuar dhe mbrëmja është edhe më e bukur, me drita shumëngjyrëshe dhe muzikë që e dëgjon nga të gjitha anët. Blejmë disa lule, ashtu si shumë të tjerë i vendosim në vendin ku mijëra njerëz që vijnë në Rambla bëjnë homazhe në kujtim të viktimave të aktit terrorist. Kënaqësia e rrugëtimit në Rambla ia lë vendin heshtjes, trishtimit, hidhërimit për jetët e pafajshme të humbura nga një absurd. Gjithsecili prej atyre që ndodhen aty, e mendojnë se mund të ishin atë ditë në vend të atyre në vendin e ngjarjes. Çfarë nuk ka në atë vend homazh, lule, qirinj të ndezur, lodra fëmijësh, fotografi, kartolina ngushëllimi, mesazhe kundër dhunës e shume simbolika të tjera në nderim e homazh të viktimave. E gjithë bota është aty ashtu si ishin nga e gjithë bota të dëmtuarit nga akti terrorist. Largohemi nga Rambla me thënien e shkrimtarit të madh spanjoll, por ja që edhe Rambla e ka një fund, por jo dëshirën për të mos u kthyer përsëri. Sepse Rambla nuk është thjesht një ditë, një shëtitje, një foto apo një kafe. Rambla është histori, është Barcelona, Spanja, është e gjithë bota, me ata që vdiqën ne aktin terrorist dhe me të gjallët që kur shkojnë aty mbartin me vete edhe shpirtin e atyre që nuk janë më. .