Në PS nis lufta brenda llojit për vendet e punës, hiqen 23 mijë “lugë” nga “tepsia” e administratës

764
Përparim HALILI
Për të mos i “kapur lapsi” i largimeve, ata kanë nisur të veprojnë në klane, por edhe po “lëvizin gurët” kudo që i kanë
Skema e paraqitur për zbatim në qeverisjen “Rama-2” pakëson vendet e punës e të drejtuesve, prandaj krerët socialistë dhe pas tyre “ushtria” e socialistëve që kanë mbushur administratën publike, janë ndarë në grupe sipas klaneve për të “menaxhuar” listat emërore, me vendet e punës dhe postet që do të mbeten nëpër zyra

Asambleja e PS, me vendimet që shpalli për riformatimin e qeverisë e të administratës publike, ka krijuar kaos e luftë për ekzistencë brenda “familjes socialiste” në bazë. Dje, pas përfundimit të punimeve, prej asamblistëve të bazës socialiste që kanë poste drejtuesish e vende pune në administratë, nisën të dëgjoheshin pëshpërimat dhe psherëtimat e trishtuara, të frikës prej “fshesës” në administratën “Rama-2”. Të tremburit, nisën të “puthnin” ministrat e rinj e të vjetër, krerët qendror të “rilindjes” dhe deputetët e “fuqishëm” të grupit “Rama”, por edhe nisën të dërgonin mesazhe e të bënin biseda “kujtese”, me ata që kanë “fatin” e tyre në dorë! Dhe kur bëhet fjalë për ekzistencë ose ikje, secili mendon për fatin e tij. Ndaj dhe shpallja e strukturës qeverisëse ka krijuar panik, duke rikthyer “luftën” brenda “familjes socialiste”. Secili ka nisur përpjekjet, për të mbajtur vendin e punës, postin e drejtorit e shefit, për të mos dalë nga administrata apo për të “kapur” një vend pune brenda saj! Siç dëgjuam nga bisedat e tyre dhe sipas informacioneve të ardhura nga degët e PS në qarqe, “lufta” për t’i shpëtuar “tajfunit” të humbjes së vendeve të punës, ka nisur prej asambleistëve qysh gjatë rrugës së kthimit për në zonat e tyre! Drejtuesit socialistë lokalë e shtetëror në qarqe dhe rrethe, kanë njoftuar klanet e tyre në bazë, për të organizuar mbledhjet e “vetëmbrojtjes” nga “fshesa” në administratë. Të bindur plotësisht, se do të zbatohet struktura e re qeverisë dhe vendimi për të “shkrirë” shumë ministri e shërbime publike në vartësi të tyre, ata kanë nisur të marrin masa. Skema administrative e paraqitur për zbatim në qeverisjen “Rama-2”, ka si tregues pakësimin e vendeve të punës, pakësim drejtorësh, shefash e lloj-lloj vartësish të tyre. Ndaj, krerët socialistë dhe pas tyre “ushtria” e socialistëve që kanë mbushur administratën publike, janë ndarë në grupe sipas klaneve e janë hedhur në veprim urgjent, për të “menaxhuar” vendet e punës që do të mbeten nëpër zyra. Është një panik i motivuar, mbasi me këtë “fshesë” që nis në mesin e muajit shtator, ikin nga puna dhe postet drejtuese shumë socialistë e familjarë të tyre, të emëruar dhe punësuar pas vitit 2013 si shpërblim votash por edhe duke blerë vendet e punës, me miliona lekë të paguara tek krerët e PS, deputetë, ministrat, prefektët, krye-bashkiakët, drejtorët rajonalë! Ata që e dinë, se do t’u shkrihen institucionet dhe shërbime ku ata drejtojnë e punojnë, ende nuk e dinë nëse pas strukturës së re administrative, do t’i “kap lapsi” i largimit. E për të mos i “kapur lapsi”, ata kanë nisur të “lëvizin gurët” në qendër e në zona, duke iu qepur prapa krerëve të PS në rajone, rrethe, qytete, deputetëve dhe ministrave të vjetër e rinj, por edhe “të fortëve të zonave”, që kanë lidhje me anëtarët e kupolës së PS e u “dëgjohet fjala”! Sipas deklarimit të kryeministrit Rama dhe sipas llogarive që publikoi kreu i Grupit të Punës për Administratën Publike, ish-Zv/Kryeministri Niko Peleshi, rezulton se nga 88 mijë punonjës që ka në total administrata publike, do të largohen afro 23 mijë zyrtarë, 910 drejtorë e shefa, 80% e të cilëve janë drejtues dhe anëtarë lokalë të PS, familjarë e të afërm të tyre! Ky largim masiv, ka krijuar ankth tek ata e, për rrjedhojë, ka nisur “luftën brenda llojit” për të mbajtur, por edhe për të zënë vendet e punës që do të mbeten në administratën publike! Sipas informacionit, në një “porosi” konfidenciale, Rama ka porositur krerët e PS të 61 bashkive, që në bashkëpunim me deputetët e zonave, me prefektët dhe krye-bashkiakët në zonat ku ata drejtojnë, pasi të marrin strukturën administrative të çdo institucioni e agjencie publike, të hartojnë vetëm listat e atyre që do të qëndrojnë ose të do të sillen në postet dhe vendet e punës!
Sigal