“Në protesta dhe grevë urie nëse do të na nxjerrin nga shtëpitë e ish-pronarëve”

526
Sigal

AKTI NORMATIV/ Flet për “Telegraf”, kreu i shoqatës, Myftar Kurti: “Drejt përfundimit afati ligjor. Presim vendimin e apelimit”

Në më pak se 2 javë para se akti normativ i qeverisë për lirimin e banesave të ish- pronarëve të vihet në zbatim mbi 100 mijë familje që banojnë në shtëpi ish-pronarësh në Durrës, paralajmërojnë protesta para institucioneve të shtetit, me pretendimin e dhunimit të drejtave të mbrojtura me Kushtetutë. Këto familje deri tani nuk kanë aplikuar për të kryer procedurat pranë Entit Kombëtar të banesave për të përfituar kredi me interesa zero. Edhe krerët e shoqatës së banorëve qiramarrës në shtëpi ish-pronarësh, kanë paralajmëruar greva të përgjithshme deri në grevë urie nëse Kushtetuesja nuk vendos mbi kushtetutshmërinë e një akti normativ që cenon jetët e afro 5 mijë vetave. Të vendosur për të mos liruar banesat e tyre, ata që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve kanë nisur protestat nga Durrësi, duke paralajmëruar zhvillime të reja, ndërsa afati ligjor afron me shpejtësi. Kreu i shoqatës, Myftar Kurti tha për “Telegraf” se, përgjegjësia bie mbi të gjithë qeveritë me vendimin e fundit që mban datën 1 gusht, por edhe mbi tre Presidentët e Republikës Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe së fundmi Bujar Nishani që miratuan përmes nënshkrimit të tyre flakjen në rrugë përmes një akti që Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar në të tjera raste se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, një ligj mbi ligjet.

Apelimi

Në 29 tetor në orën 10:00 është lajmëruar mbajtja e seancës gjyqësore pas apelimit që shoqata i ka bërë aktit normativ  të qeverisë. “Nëse gjykata do të vendosë kundër, do të përballet me një qëndresë dhe përshkallëzim të protestave deri në grevë urie. Ne si banorë në shtëpi ish-pronarësh kemi vendosur të mos tërhiqemi nga kërkesa jonë e ligjshme dhe kushtetuese”, tha Myftar Kurti i pyetur nga “Telegraf”. “Ne jemi rreth një mijë familje në Durrës dhe kemi vendosur të mos tërhiqemi. Madje njëzëri kanë kërkuar që të mos lirojnë banesat pa marrë zgjidhje, larg kredive të deklaruara dhe përfitimit të banesave sociale, për të cilat ka një numër mjaft të madh familjesh të pastreha në pritje”, tha Kurti.

Motoja

“Jo zaptues, po qytetarë të ndershëm. Edhe më të ndershëm se ju z. Kryeministër!”, është motoja e protestave të kësaj shoqate. Është vlerësuar krejtësisht i padrejtë favorizimi i një shtrese, ish-pronarëve, në dëm të një shtrese tjetër pa dhënë zgjidhjet e plota për të. Myftar Kurti, kryetar i shoqatës, tha se 100 -vjetori i Pavarësisë së vendit, po vjen me hedhjen në rrugë të 1 mijë familjeve. “I themi Kryeministrit se në vitin 1993 i blenë shtëpitë sa çmimi i një biçiklete sot, kurse ne na kërkojnë të marrim me kredi miliona lekë. Ky është një akt barbat e antikushtetues. Ne nga Gjykata Kushtetuese presim barazi, ashtu si ka ndodhur në 2003 e 2007, kur hodhi poshtë ligjet e Berishës dhe Nanos”, u shpreh Kurti.