Në Pogradec, një prag vere ndryshe dhe me plot surpriza

1456
Bardhyl Berberi 
Prej disa ditësh në këtë prag vere, qytetit të Pogradecit i është dyfishuar popullsia. Mijëra turistë të huaj nga Gjermania, Holanda, Austria dhe mijëra pushues të huaj e vendas i kanë dhënë qytetit atë pamjen e zakonshme të dyfishuar. Plazhi në një gjatësi prej 30 km nga fshati Lin deri poshtë doganës së Tushemishtit gëlon nga pushuesit e shumtë. Asnjë qytet tek ne nuk ka liqenin kaq pranë në gjirin e tij sa Pogradeci. Shëtit në breg dhe ndien pa prerë llokoçitjen e valëve të liqenit, kërcitjen e peshkut, klithjen e pulëbardhave. Fle natën dhe të duket sikur liqenin e ke aty nën jastëk si një ninullë të bukur hipnotizuese. Ec në parkun e pafund me lule erëmira dhe trëndafila që prej shumë vitesh qytetit i kanë dhënë epitetin si “Qyteti i luleve”. Pogradeci është një qytet palcërisht shqiptar i futur në gjirin e maleve si truri në kafkën e njeriut, me një natyrë magjike të vendosur pranë syrit të kaltër. Qyteti i Pogradecit i përket lashtësisë dy mijë vjeçare para erës sonë. Dikur qyteti është quajtur “Lyhnida”, që do të thotë dritë. Pogradeci është një qytet magjik që vetëm në ëndërr është i vërtetë, është qytet i turistëve të shumtë, i adhuruari i poetëve, i shkrimtarëve, i piktorëve “muaji i mjaltit” i sapo martuarve, kënaqësia e admiruesve të ujit të ëmbël, qyteti i dy korifenjve të mëdhenj të letrave shqipe, Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit. Por Pogradeci njihet edhe si qytet i koranit, peshkut të rrallë që gjendet vetëm në këtë liqen, i verës artizanale dhe gatimeve tradicionale. E reja dhe e vjetra, modernia dhe tradicionalja bashkëjetojnë pranë njëra – tjetrës pa cenuar asnjërën. Bora, liqeni, fusha dhe mali, fëshfërima e gjetheve, cicërima e zogjve, liqeni, varkat, mjellmat, shelgjet lotues janë dekori i tij. Pogradeci është një nga mrekullitë që natyra dhe njerëzit e saj me mikpritjen dhe dashurinë nuk të lenë të largohesh pa marrë me vete dashurinë dhe mallin për t’u rikthyer përsëri.
Pogradeci rikthehet përsëri “qyteti i luleve”
Pogradeci çdo verë e pret me vetëpërsosje, por ky sezon i ri i ka dhënë atij prurje të veçanta të një qyteti turistik. Këtë vit, pas 10 vjetësh, qyteti i kthehet traditës së vjetër. Pse? Parku i madh i qytetit disa hektarësh buzë liqenit nuk do të jetë më një qebaptore e madhe me kërnacka maqedonase dhe birrë “Skopska”, që konsumoheshin pa asnjë kusht shëndetësor, pa ujë dhe tualet. Parku u kthehet qytetarëve me dekorin e luleve të shumta erëmira në çdo cep të parkut ka thënë për “Telegraf” kryebashkiaku Kapri. Gjatë këtyre ditëve është punuar rëra dhe sistemuar i gjithë bregu. Si asnjëherë tjetër janë ngritur kullat e vrojtimit me roje plazhi për të ndihmuar palzhistët. Njëkohësisht bashkia do të vendosi mjete lundruese që do të patrullojnë për të shpëtuar jetë njerëzish në rrezik, të cilët do të jenë duke notuar. Qyteti është kthyer në një kantier në çdo cep për ta pritur këtë sezon të ri turistik krejt ndryshe. Punohet me intensitet për përfundimin e rrugës nga lumi i Tërhanit deri në hyrje të qytetit. Ndërkohë është në përfundim nga Lini në Pogradec korsia e biçikletave dhe sheshqëndrimet dekorative përgjatë bregut të liqenit dhe pritet që rrugës t’i vendoset shtresa e fundit e tapetit… Padyshim mund të thuhet se Pogradeci kthehet në “kryeqytetin” e verës ku i trefishohet popullsia. Por Pogradeci këtë verë ka marrë masa duke i larguar qentë rrugaçë nga mjediset e qytetit, të cilët në të kaluarën kanë qenë shqetësues duke rrezikuar edhe jetën e njerëzve. Me një plan të detajuar të gjithë qentë janë grumbulluar në fshatin Zagorçan, tek ish pularia e dikurshme dhe aty trajtohen me ushqim në kushte optimale nga një person i ngarkuar nga bashkia që kujdeset për ta. Një përvojë që lypset ta marrin qytetet e tjera… Prej disa vitesh, falë projektit gjerman, Pogradeci ka ujë të pijshëm 24 orë, si dhe ujërat e zeza përpunohen nga kolektori në Zagorçan. Uji i kaltër i liqenit, tepër i pastër, pa asnjë ndotje dhe plazhet janë një nga të veçantat e qytetit të Pogradecit. Shumëllojshmëria e tyre i vë pushuesit në dilemë se ku duhet të pushojnë. Është një vijë liqenore prej 24 km nga fshati Lin deri në Tushemisht.
Plazhi i Shkëmbit të Linit 
Fillon atje tek gadishulli i fshatit Lin, ka ujin e pastër si Kristal, i vendosur në këmbët e një mali, që sjell pa pushim fresk karakteristik në breg dhe nuk e ndjen fare bezdinë e vapës. Ka hotel, kuzhinë zgarë dhe është një nga plazhet e krijuara gjatë viteve të fundit, është një mrekulli e natyrës dhe frekuentohet shumë nga Elbasani.
Plazhet Piskupat –Hudënisht dhe Mëmëlisht
Janë tre plazhe të njëpasnjëshëm me lokale të shumta luksoze dhe fshatra turistike, ku nuk mungojnë as pishinat. Kanë ujë të pastër dhe frekuentohen shumë nga të ardhurit, sidomos nga korçarët. Ashtu si plazhi i Shkëmbit të Linit janë plazhe shkëmbore.
Plazhi i Fortesave 
Është një nga plazhet në këmbët e kalasë së qytetit, i cili këtë vit që është duke u rregulluar rruga e re dhe për shkak të punimeve do të jetë jashtë funksionit. Ky plazh frekuentohet kryesisht nga pogradecarët vendas. Është rreth 1 km larg qytetit, prandaj është shumë i populluar, pasi nuk kërkohet makina për të shkuar në plazh. Edhe këtu uji është i pastër dhe është vazhdimësi e plazhit shkëmbor.
Plazhi i Vjetër 
Është plazhi tradicional që qyteti e ka në gjirin e tij. Është i gjithi plazh ranor në standardin e plazheve të tjera. Pas mbarimit të kolektorit të ujërave të zeza ky plazh me rërë i është kthyer mbipopullimit për shkak të distancës të afërme me qytetin dhe cilësisë së rërës. Plazhi i Vilave deri në Drilon është plazhi më i ri i krijuar me parametra bashkëkohore nga rezidenca qeveritare deri në Tushemisht. Të gjithë bregut i është trefishuar sipërfaqja e rërës përgjatë gjithë gjatësisë prej 5 km, duke ngritur trotuare dhe ndriçim përgjatë shëtitores deri në Tushemisht.
Tushemishti
Është një nga fshatrat turistike model i cili çdo verë mbi popullohet me të huaj. Në të gjithë fshatin është shtrirë turizmi familjar me kushtet nga më komodet. Plazhi i Tushemishtit është nga më të populluarit. Plazhi është ranor, me një ujë të pastër dhe ka shumë hotele dhe lokale luksoze në breg të liqenit. Aty ka luks bashkëkohor, kuzhinë tradicionale dhe karakteristike pogradecare me një lulishte të sistemuar bashkëkohore mes karafilave dhe trëndafilave. Në Tushemisht gjen të gjithë duke pushuar që nga Dritëro Agolli deri tek politikanët e të gjithë spektrit të majtë dhe të djathtë. Edhe çmimet e këtij fshati turistik që frekuentohet më shumë nga të huaj variojnë sipas xhepave të shqiptarëve nga 2000 deri tek një dhomë në 5000 lek të reja natën…
Driloni, larg vapës, mes mrekullisë së pyllit dhe lumit 
Një relaks i vërtetë nën mrekullinë e një pylli në bregun e liqenit në një park gjigand prej 20 ha me lumin e Volorekës, në mes me ishujt të ndarë, që mund t’i vozitësh me varkë përgjatë lumit dhe një gjelbërim të harlisur që të duket vetja sikur je në përrallat e Andersenit. Dikur një nga rezidencat e Enver Hoxhës ku kalonte orë të tëra mes rrapishtave dhe mështeknave nën ujërat e kristalta të lumit Volorekë që nanurit me një qetësi perëndie. Aty ndodhen tre lokale që të shërbejnë nga tavat tradicionale e koranit deri tek mishrat e pjekura në hell. Në këtë park vijnë vizitorë nga të gjitha rrethet dhe kalojnë orë të tëra në formën e një pikniku familjar. Driloni është një nga ndalesat kryesore të çifteve të reja, të cilët ditën e dasmës filmimet kryesore i bëjnë midis kësaj mrekullie të natyrës.
Jeta e natës
Pasi ke shijuar ujin e liqenit dhe plazhet e bukura, drekën e shijshme dhe çlodhjen në hotel, mbrëmja të afron një fresk karakteristik që në orët e vona të duhet edhe një triko rezervë. Surpriza të tjera janë shëtitorja buzë liqenit me parkun e madh prej 340 mijë metra katrorë dhe lulishtet e shumta me muzikë live. Gjithashtu ka disko verore në breg të liqenit dhe dy të tjera në qendër të qytetit. Hyrja në këto disko shkon deri në 500 lekë për person, ndërsa më të larta janë çmimet e pijeve që shkojnë nga 300 deri në 500 lekë.
Çmimet 
Çmimet e një dhome shkojnë sipas xhepave të secilit. Mund të gjesh në hotel dhomë me 2 mijë lekë nata, ka dhoma me 3000 dhe dhoma luksoze që shkojnë deri në 5000 lekë. Por në Pogradec ka edhe turizëm familjar, sidomos në fshatin e Tushemishtit. Për 15 ditë çmimet shkojnë nga 25 mijë lekë deri në 35 mijë lekë për një familje. Këto janë shtëpi me oborre dhe afrojnë kushte nga më komodet për të pushuar. Për uljen e çmimeve në Pogradec ndikojnë çmimet e ulëta në bregun përtej liqenit, në shtetin fqinj, të cilët konkurrojnë vazhdimisht me çmime të ulëta për të thithur sa më shumë turistë.
Çfarë mund të vizitoni në Pogradec?
Qyteti i Pogradecit rezulton që në kohën e Neolitit, 6 mijë vjet përpara erës sonë. Ju që do të pushoni në Pogradec mund të vizitoni:
1. Kishën Palokristiane dhe mozaikun e Linit të ndërtuar në shekullin e V e VI të erës sonë .
2. Urën e Golikut, ura e rrugës “Egnatia”. 
3. Kalanë e Pogradecit, që i përket shekullit të V të erës sonë deri në shek XIX.
4. Kullën e Shpatit të Blacës që ka një shtrirje kohore nga shekulli XII para erës sonë deri në shekullin e III të erës sonë. 
5. Varret monumentale të Selcës, që datojnë në shekullin IV para Krishtit.
Gatimet 
Padyshim që tava e koranit me zarzavate është një nga specialitetet që e kanë të gjitha lokalet në Pogradec. Në disa lokale korani mbahet i gjallë në vaska dhe gatuhet i freskët, pasi është zgjedhur më përpara nga klienti. Edhe mish i pjekur edhe pulat e fshatit në gatime tradicionale nuk mungojnë në shumë lokale. Padyshim pijet karakteristike, si vera artizanale dhe rakia perlë dhe muskat gjenden nëpër lokalet pogradecare.
Pasaporta e qytetit të Pogradecit 
Popullsia e qytetit 55 mijë banorë në sezonin veror dyfishohet nga pushuesit vendas dhe të huaj. Qyteti ka një sipërfaqe prej 13 km2, rrugë të asfaltuar 14 km dhe sipërfaqe të gjelbëruar 340 mijë m2.
Sigal