Në Pogradec do të riluhet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por…

907
Bardhyl Berberi
Në Pogradec do të riluhet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por jo për të marrë ushtarët e vrarë, por që t`i rivarrosur… në Shqipëri! 
Është e treta herë që një prift grek ka mbërritur në qytetin e Pogradecit dhe ka kontaktuar me Siri Merkon, një dëshmitar okular, i cili ka bërë zhvarrimin e 150 ushtarëve grekë dhe më pas së bashku me disa shokë të tjerë i kanë rivarrosur ushtarët grekë në kodrën e gështenjave pak metra më poshtë depos së ujit në periferi të qytetit të Pogradecit .

Siri Serko ka thënë për gazetën “Telegraf”, se ai ka qenë në liqen duke gjuajtur peshk (pasi është me profesion peshkatar) kur ka mbërritur një priftit grek, Janis Llazaros, i cili i ka thënë pogradecarit, se donte informacion të hollësishëm për vendndodhjen e varreve të ushtarëve grekë të vrarë në qytetin e Pogradecit, gjatë konfliktit të armatosur në vitin 1940 midis ushtrive italiane e greke, të zhvilluar në territorin shqiptar në rrethinat e Pogradecit. Prifti grek, ka thënë Siri Merko, informacionin për mua si dëshmitar i kësaj ngjarjeje e kishte siguruar nëpërmjet një mjeku pediatër nga qyteti i Pogradecit, i cili shkon dhe punon edhe në klinikat greke në Selanik. Siri Merko ka thënë për gazetën “Telegraf”, se ia ka thënë priftit grek Llazaros të gjitha hollësirat dhe i ka treguar, madje edhe vendin në varrezat ku ndodhen ushtarët e vrarë grekë në vjeshtën e vitit 1940 në kalanë e qytetit të Pogradecit, gjatë përplasjes së tyre me ushtarët italianë .
Ngjarja
Siri Merko tregon për gazetën “Telegraf”, se në prill të vitit 1967 ai punonte në ndërmarrjen e ndërtimit në Pogradec. Së bashku me disa punëtorë të tjerë të kësaj ndërmarrjeje; Gjergji Velon (që nuk jeton më) dhe Astrit Afisllari nga fshati Vërdovë janë thirrur nga drejtori i ndërmarrjes dhe iu është komunikuar, se tek zona industriale, atje ku ndodhet fabrika e mobilieve do të ngrihet një fabrikë karrigesh, por pikërisht atje ku do të hidhen themelet e kësaj fabrike, ndodhet një varrezë e ushtarëve grekë të vrarë në vjeshtën e vitit 1940 në kalanë e Pogradecit. Prandaj na u caktua neve, thotë Siriu, që t`i zhvarrosim ushtarët grekë dhe më pas t`i rivarrosim në kodrën e gështenjave, poshtë depos së ujit, pasi ishin përgatitur më përpara arkivole të vegjël me dimensione 30 cm me 60 cm. Kështu thotë Siriu ndonëse ishte tepër i ri, vetëm 17 vjeç, ai filloi së bashku me shokët e tij të bëjë zhvarrimin e trupave të ushtarëve grekë. Siriu tregon se ushtarët grekë ishin trupa të mëdhenj dhe kishin të gjithë medaljone në gjoks me numra dhe simbole të tjera. Ne, thotë ai, gjetëm nëpër varre edhe pagurë me konjak “Metaksa” apo dhëmbë floriri që kishte pasur ndonjë ushtar i vrarë. Nuk iu ishin prishur këpucët, tokëzat, rripat. Më pas i morëm rreth 150 arkivolet e vogla me eshtrat e ushtarëve grekë dhe i varrosëm në kodrën e Gështenjave, poshtë depos së ujit, në hyrje të fshatit Vërdovë, të cilat vazhdojnë të jenë aty edhe sot.
Tragjedia e ushtarëve grekë 
Një i moshuar nga lagja Goricë, Nexho Haxhillari tregon për gazetën “Telegraf”, se e mban në mendje ende të freskët këtë ngjarje, sepse në atë kohë është zhvilluar Lufta italo- greke dhe një pjesë e frontit grek ishte nëpër fshatrat rreth Pogradecit, ndërsa fronti i ushtarëve italianë ishte vendosur tek maja e Kalasë së qytetit. Ushtarët grekë që ishin vendosur në kodrat rreth qytetit filluan të godasin me artileri të rëndë majën e kalasë ku ndodheshin ushtarët italianë. Ndërkohë që vazhdonte goditja me artileri, një kolonel grek, i cili drejtonte forcat greke, ka ngatërruar sinjalet dhe ka hedhur në ajër shenjën e gjelbër për sulm. Artileria greke, e cila ndodhej në kodrat e fshatit Rëmenj vazhdonte të qëllonte me artileri kalanë e qytetit dhe predhat greke vranë gabimisht ushtarët grekë, të cilët ishin duke u ngjitur në kalanë e qytetit ku do të kryenin luftime me forcat italiane. Janë vrarë jo pak por rreth 150 ushtarë, të cilët më pas të nesërmen u varrosën në periferi të qytetit të Pogradecit .Sipas të moshuarit Nexho Haxhillarit të nesërmen koloneli grek që krijoi tragjedinë ka kryer vetëvrasje nga dëshpërimi. Në vitin 1967 kur do të ndërtohej fabrika e karrigeve varreza e ushtarëve grekë u zhvendos tek pylli i gështenjave ku ndodhen edhe aktualisht. Prifti grek ka premtuar se së shpejti do të vijë në Pogradec me një ekip nga Greqia dhe siç duket do të “xhirohet serial tjetër i “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” edhe ne Pogradec”. Por ndryshe nga italianët që i morën eshtrat e të vrarëve pas vendimit të qeverisë shqiptare, grekët do të na ngrenë varreza në territorin tonë… Ky është një paradoks i madh, që ushtarët grekë që erdhën si pushtues nga nëntori i 1940-s deri në prill 1941-shi të varrosen në tokën tonë dhe të nderohen pushtuesit si çlirimtarë. Kjo ndodh për fat të keq, falë politikës sonë amatoreske të qeverisë aktuale. Por çuditërisht heshtin deputetë, akademikë, historianë dhe hesht edhe populli kur bijtë e tij kanë derdhur gjak për të mbrojtur këto troje…Kështu në Pogradec do të riluhet filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” por me një ndryshim nga ai me italianët që morën ushtarët e vrarë, ndërsa grekët do t’i varrosin këtu në varreza të veçanta.
Sigal