Në mesin e vitit 1981 qeveria komuniste, nxori aktin për krijimin e forcave speciale

2037
Albert Z. ZHOLI 

Po arrestimet e rrezikshme cilat kanë qenë? 
INTERVISTA/ Flet Specialisti i forcave speciale, Hilë Lushaku: -Ju tregoj rrugëtimin e repartit të parë, i emërtuar “326”, më pas “88” , i cili u shndërrua në “RENEA” 
Operacionet e para në arrestimin e personave të rrezikshëm, të cilësuar “me tendenca terrori” apo “autorë vrasjesh, keqbërës me rrezikshmëri të theksuar shoqërore” janë regjistruar fillimisht; Caf Susta e Sali Breshni, në janar 1983, në Shkodër; më pas në periudhën mars-korrik 1984, përkatësisht në Hotel “Arbëria”, në rrugën afër ndërmarrjes “Rruga-Ura”, në Tiranë, dhe më vonë një tjetër në Lezhë. Viti 1986 shënoi “rekord botëror” në kohëzgjatjen e shërbimeve të specialëve, kur ata morën detyrë ruajtjen e mbajtjen të rrethuar të Ambasadës Italiane, ku ishin futur e strehuar një familje shqiptare, e fisit “Popa”. Aktivizimi në shërbim, në vitin 1988, në Zallbastar, për gjetjen e dy personave të vrarë dhe të hedhur në lumin e Tiranës, diktoi domosdoshmërinë e specialëve nënujorë. Viti 1988 regjistroi shërbime edhe në kapjen e personave të arratisur nga burgjet, sikurse ka qenë rasti i kapjes së disa personave të burgut të Tërnovës. Në serinë e shërbimeve në stadiume, spikat dhuna e tifozëve më 5 qershor 1988, kur “plasi” në Kuçovë, asokohe “Qyteti Stalin”, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipit vendas “Naftëtari” dhe ekipit të Ministrisë së Punëve të Brendshme “Dinamo”, rast kur qindra vetë goditën me gurë, sfera, kushineta e sende të tjera të forta policinë, përfshirë edhe specialët e pranishëm, duke regjistruar të parin cenim të rëndë të rendit në stadiumet shqiptare. 

-Po gjuha e negocimit a përdoret? 
Në prillin e vitit 1988 u aplikua për herë të parë negocimi me persona të rrezikshëm, gjë e cila rezultoi e efektshme në zgjidhjen e situatave të ndërlikuara. Viti 1990 solli përballje të rrezikshme të specialëve me turmat. Më 25-26 mars 1990 u shënuan konfrontimet në Kavajë, arrestimet e disa personave në stadiumin “Besa” dhe në qytetin e Kavajës, për të vijuar më pas me ngjarjet e 2 korrikut 1990 në Tiranë dhe me lëvizjen antikomuniste në gjithë Shqipërinë. Në periudhën 11-13 maj 1990, reparti u caktua në shërbim në sigurimin e vizitës së Peres De Kuelarit, Sekretar i Përgjithshëm i OKB; në janar 1991, krahas shërbimeve të shumta reparti u ngarkua të zgjidhte situatën e krijuar nga revolta në burgun e Shënkollit, në Lezhë, ku pati disa të plagosur; më 22 qershor 1991, sigurimi i vizitës së Sekretarit të Shtetit të SHBA, James Baker, në Tiranë; më 23 qershor 1992 u arrestuan në Fier (Libofshë) vëllezërit vrasës, Josif e Didbardh Çuka (të dy u dënuan me vdekje dhe u varen në qytetin e Fierit).

-Po boksi a u kthye tek këto forca?
Reparti special i Policisë riktheu në Shqipëri sportin burrëror të boksit, të hequr zyrtarisht nga veprimtaritë kombëtare në vend. Kanë qenë të shumtë pasionantët e këtij sporti, por veçohen Arben Kadriu, Sami Xhameta, Luigj Gjeta, Genc Shehu, Naim Memushi, Ardian Dibra, Luan Çela, Ndue Doda, Arben Gjeka, Skënder Kurti (sot trajner i shquar i një ekipi boksi nëkryeqytet) etj. Nga ky repart dolën pionierët e xhudos shqiptare Anton Shkoza (sot tetraplegjik nga dëmtimi i rëndë që pësoi në përgatitjet intensive për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Olimpike në Sidnej) dhe Labo Çabo (ky efektiv i këtij reparti qysh në shtatorin e vitit 1982, aktualisht trajner i ekipit kombëtar dhe sekretar i Federatës së Xhudos). Emri i mirë dhe fama e kompanisë sambiste u përdor shpesh edhe për të argëtuar udhëheqësit komunistë me duele “gladiatorësh”. Në kujtesën e specialëve të asaj kohe janë të pashlyera ballafaqimet fizike sportive të tyre, në boks, mundje e xhudo, me efektivat specialë të Gardës së Republikës. Më 11 nëntor 2011 , në përkujtimore, ndonëse nuk bëhej fjalë për repartin special nr.326, aty qenë të ftuar vetë ish-komandanti i parë, Nexhmiu i gjatë, “ende i gjallë”, por që hezitoi të nxirrte nga goja një fjalë të vetme për atë histori mundimesh e sakrificash të një rruge që meriton të mos mohohet. Aty erdhën edhe shumë ish-pjesëtarë të repartit special nr.326, duke dëshmuar në heshtje se ai repart nuk u krijua më 11 nëntor 1991, por më herët, në janar 1982. Këtu ka vend për të sqaruar se më 11 nëntor u reformua reparti nr.326 dhe reparti special mori nr.88, pra jo “RENEA”, me mision tashmë të cilësuar “për të zgjidhur situata me tendenca terroriste”. 

Çfarë kishte ndodhur në Shqipëri në këtë periudhë, që solli këtë ndryshim emërtimi?! 
Fillimisht duhet sjellë në vëmendje se ngjarja e 2 korrikut 1990, qe një sinjal se ngjarjet e Timoshoarës, Rumani, nuk përjashtohej që të ngjanin edhe në Shqipëri, e nga kjo duhej menduar me largpamësi . Është i njohur publikisht shërbimi i janarit të vitit 1991, në rebelimin e të burgosurve ordinerë në Shënkoll të Lezhës, ku disa të dënuar morën peng gardianët dhe u armatosen me armët e tyre. Në këtë rast veprimet e specialëve kanë qenë të standardeve të njësive analoge, duke realizuar stabilizimin e gjendjes me veprime të kombinuara të grupeve të sulmit, mbështetjes dhe përdorimit gjerësisht të lotsjellësve e plumbave plastikë, pa asnjë viktimë ndërmjet tyre, por me shumë specialë të plagosur, madje edhe nga lëndët plasëse që u përdoren aty. Qamil Gjedia është i gjallë, ai ka lënë aty një copë të njërës gollganë, si dëshmi e një ngjarje kriminale që u zgjidh vetëm nga forcat speciale. Veprimi i tyre në këtë shërbim përbën një përvojë të çmuar dhe reflektoi cilësi të larta profesionale e veçanërisht fiziko-morale. I kësaj shkalle vështirësie qe edhe shërbimi në burgun e Lushnjës, ku situata u zgjidh falë aktivizimit në shërbim të efektivave sambiste, të repartit special nr.326, dhe në këtë rreth, i ndjeri Agim Sokoli, ka lënë gjysmën e dhëmbëve nga një goditje “alla Piro i Epirit”. 

-Si u veprua më 20 shkurt kur u rrëzua shtatorja e Enver Hoxhës? 
Më 20 shkurt 1991 demonstruesit e mbushur me urrejtje për sistemin komunist rrëzuan shtatoren e Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”, duke pasur përballë specialët e braktisur nga shteti dhe të pajisur me fishekë manovre e plumba plastikë. Dy ditë më vonë, më Më 15 dhjetor 1989, në Timoshoara shpërtheu një revoltë popullore, me pretekstin e arrestimit të një prifti nga forcat qeveritare, por shkaku ishte padurimi i qytetarëve rumunë përballë gjendjes jo të mirë ekonomike, të cilat u bënë në vijim protesta të përditshme. Më 21 dhjetor lideri komunist Nikolae Çaushesku organizoi një miting, por ky u kthye në përleshje midis palëve kundërshtare, duke sjellë një zhvillim tragjik me rreth 1500 të vrarë deri më 25 dhjetor, më pas krijimin e një qeverie antikomuniste të “Frontit të Shpëtimit Kombëtar”, e cila më 10 janar 1990 solli ekzekutimin makabër, pa gjyq, të Çausheskut e të bashkëshortes së tij, ngjarje kjo që u dha “live” në transmetimin televiziv 22 shkurt, “ende pa u krijuar reparti që festoi ditëlindjen”, kur demonstrues të organizuar rreth Partisë Demokratike sulmuan shkollat ushtarake, ku pati organizime e lëvizje për të rivendosur me dhunën e armëve shtatoren e “komandantit”, që qëndronte “hijerëndë” në oborrin e Akademisë Ushtarake, u vra speciali Lulëzim Salillari. Të nesërmen e kësaj dite shkuan në Trento dhe në Bolzano, në Itali, sambistët sportistë cilësorë, pjesa më e zgjedhur e repartit special, nr.326, për pjesëmarrje në kampionatin botëror të forcave speciale, ku morën medalje mundësit Fatmir Muça, Bujar Taullahu, ndër pionierët e parë të bërthamës speciale, sepse fituan edhe ndaj ish-kampionëve të botës, u shquan Ndue Doda, Jak Ndoka, Fatos Hidri e Robert Shamo. Ky eveniment nuk mund të fshihet nga kujtesa dhe duhet të jetë një pishtar në rrugëtimin e forcave speciale të Policisë së Shtetit. Pas ngjarjeve në Durrës e Vlorë, ku pati përpjekje të pallogaritshme të qytetarëve për të emigruar me mjete detare, që solli edhe pezullimin e përkohshëm të punës në këto dy porte, detyrat e repartit special u shtuan shumë, mbasi në këtë periudhë kishte rënë së tepërmi morali i efektivave të policisë. 

-A mund të komentohet ngjarja e 2 prillit 1991, në Shkodër? 
Ngjarja e 2 prillit 1991, në Shkodër, ku u vranë gjatë demonstrimeve katër të rinj, revoltuan në masë popullsinë në të gjithë vendin, por sollën edhe arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Hajredin Shyti, të drejtuesve të policisë lokale Çapajev Taçi, Dilaver Papare dhe Gjekë Çelaj dhe pati akuza për shumë të tjerë, duke ndikuar ndjeshëm në moralin e Policisë. Më 29 maj, pas thirrjes që ishte bërë dy ditë më parë në një miting, në Valias, në sheshin “Skënderbej” u zhvillua një manifestim pa autorizimin e autoriteteve kompetente, siç e kërkon ligji, i cili përfundoi në përleshje me forcat e rendit, me thyerje të xhamave të Pallatit të Kulturës, me djegien e “Bar Sahatit” dhe të klubit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke përballur kryesisht repartin special me mijëra protestues, ku nuk mungoi dhuna deri në hapjen e zjarrit në ajër, me armë luftarake, dhe përdorimin e ujëhedhësve me solucione me ngjyrë, për të identifikuar individë të rrezikshëm. Pasojat në mjete qenë të shumta, madje pati edhe djegie të tyre, ndërsa urrejtja u përqendrua tek “sambistët” e repartit special nr.326. Gjendja e rendit publik dhe e sigurisë në të gjithë vendin ishte tej mase e rënduar, lëvizja greviste në vend, për të rrëzuar qeverinë e kryesuar nga Fatos Nano, që fitoi zgjedhjet e 31 marsit 1991, pa e hiperbolizuar, nuk qe demonstrim por dhunë me të gjitha mjetet, duke djegur e shkatërruar, vjedhur e plaçkitur, aq sa trishtimi pushtoi vendin dhe çdo gjë ishte afër revolucionares. Dhuna ndaj punonjësve të policisë arriti deri në kufijtë e terrorit sa që u pakësuan uniformat, filluan largimet “me dëshirë nga puna”, dezertimet dhe madje pati edhe çarmatosje të shumë punonjësve të policisë. Shkodra, Kavaja, Lezha, Elbasani, Durrësi, Vlora e Tirana u bënë epiqendra të përplasjeve të policisë me demonstruesit e vendosur për përmbysje pushteti deri në ekstrem dhe këtu nuk mund të vepronte me efikasitet asnjë strukturë tjetër veç sambistëve. Krahas tentativave për eksod, me të gjitha mënyrat e mjetet, u shtuan shumë vjedhjet dhe grabitjet e pronës shtetërore, ku qytetarët e fshatarët, të organizuar në grupe, rrëmbenin me vetëgjyqësi e shpesh me dhunë pasurinë shtetërore. Njëherazi filloi gjakmarrja, duke ringjallur kanunin e zakonet e vjetra, si dhe hakmarrja e vetëgjyqësia për motive pronësie e arsye të tjera. Vjedhjet dhe dëmtimet masive në Mamurras e në Laç, Pukë e gjetkë, ku qenë objekt sulmi shumica e depove, ndërmarrjeve e dyqaneve shtetërore, sollën shumë dëmtime dhe vënien e zjarreve për djegien e objekteve e zhdukjen e gjurmëve. Vizitat në Shqipëri të Aleksandër Langer dhe të Perez de Kuelarit (sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara), ushtruan trysni ndaj qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, për të zbutur metodat e menaxhimit të trazirave civile në vend, duke larguar nga kjo detyrë forcat në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, ish-repartet e mbrojtjes territoriale. Vizita e sekretarit amerikan të shtetit, Xhejms Bejker, në qershor të vitit 1991, pati efekte të tjera në zbutjen e kundërveprimeve ndaj protestave e demonstratave në Tiranë e në rrethe dhe për kufizimin e veprimtarisë së sambistëve. Në korrik 1991, u miratua ligji për Policinë dhe më pas ligji nr.7551, datë 22.01.1992 “Për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë”. Ministria e Punëve të Brendshme u shndërrua në Ministri e Rendit Publik, e drejtuar nga Bajram Yzeiraj, njëri nga specialistët më të aftë në atë dikaster në fushën e policisë. Në rrethe u krijuan Degët e Rendit Publik ndërsa Forcat e Mbrojtjes Territoriale, deri në atë kohë në varësi të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, u morën në varësi të Ministrisë së Rendit Publik, duke u quajtur “Forcat e Rivendosjes së Rendit” e më pas “Forcat e Ndërhyrjes (reagimit) së Shpejtë”, me mision ndërhyrjen e shpejtë dhe rivendosjen e rendit në zona të ndryshme në vend. 

-Çfarë ndodhi pasi Ylli Bufi, kryeministër, deklaroi se “Shqipëria ka edhe 6 ditë bukë”?
Ndërkohë gjendja ekonomike në vend paraqitej katastrofike, aq sa pak ditë më pas Ylli Bufi, kryeministër, deklaroi se “Shqipëria ka edhe 6 ditë bukë”. Marrja në varësi organike e ish-reparteve të Mbrojtjes Territoriale dhe shndërrimi i tyre në reparte të ndërhyrjes së shpejtë sollën ndikime në buxhetin e shtetit, tashmë nuk kishte ushtarë pa pagesë, por punonjës me pagë. Duhet theksuar se struktura të tilla qenë krijuar në çdo rreth, ku Tirana me 4 reparte dhe Shkodra e Durrësi me nga dy apo tre të tillë mbanin peshën kryesore, pa harruar Lushnjën, Elbasanin, Dibrën, Korçën, Mamurrasin, Pogradecin, Gjirokastrën, Vlorën, Beratin etj. Thelbësore duhet konsideruar edhe fakti se në kushtet kur efektivat dhe shërbimet e policisë u mekën, u plogështuan, u asfiksuan e u shthurën, ndaj repartit 326, sidomos në Shkodër, Durrës, Tiranë, Lushnjë, Elbasan dhe Vlorë qe krijuar një imazh i keq, madje, duhet pranuar me sinqeritet, deri në urrejtje edhe nga drejtues të shumtë të Partisë opozitare, asaj Demokratike, të cilët nisen një presion mediatik dhe në tubime kërcënonin se: “të gjithë sambistët do t’i dërgojmë në litar”. Kjo ka qenë një arsye tjetër që mbi bazën e repartit special të Policisë nr.326, më 11 nëntor 1991, të riorganizohej, të reformohej e të krijohej reparti i policisë nr.88, me një strukturë të reduktuar me përfaqësuesit më të zgjedhur, tashmë jo “për të zgjidhur detyra urgjente e të rëndësishme që do të diktonte situata”, por për të goditur aktet terroriste në vend. Ky përcaktim i leverdiste qeverisë së asaj kohe se me këto terma justifikonte pamundësinë për të mbajtur në zotërim situatën që kishte dalë krejtësisht nga kontrolli dhe justifikonte mbajtjen në organikë të elitës së policisë, që kritikohej e anatemohej dita-ditës. Reparti nr.88 përfitoi pagë shtesë në masën 80%, për të gjithë trupën operacionale. Nga kjo datë e në vijim, ata që shkruan historikun e repartit kanë përmendur ecurinë e këtij reparti, por kanë gabuar në emërtimin e tij, duke e quajtur “RENEA”. Për hir të së vërtetës, me qëllim saktësimin e kësaj çështjeje, sqaroj se nuk ka gjëkundi një akt administrativ që të cilësojë shndërrimin e repartit special nr.88 në repartin “RENEA”. Në atë kohë unë kam qenë komandanti i atij reparti, ku zëvendësova në detyrë shokun tim, Sejdin Brahimi, më 15 maj 1992. Emrin “RENEA” ai repart e ka të pagëzuar nga ish-ministri i Rendit Publik, Bashkim Kopliku, duke marrë shkronjat e para të “Reparti i Neutralizimit të Elementeve të Armatosur”,d.m.th. “RENEA”. Kopliku kishte bërë një vizitë në Vjenë, në verën e viti 1992, madje kishte shkuar edhe në repartin special, analog me “RENEA” aktuale, i cili thirrej “G.E.K”, (gendarmerie einsatz komando-komando speciale të xhandarmërisë), koduar “COBRA”. Në një takim që zhvilluam në fillimgushtin e vitit 1992, para se unë të trajnohesha në ato forca, ministri Kopliku më ka pyetur për misionin e repartin që unë drejtoja (reparti special i Policisë, nr.88) dhe bazuar në emrin e forcave speciale austriake krijoi emrin “RENEA”. Zëvendësimi i emrit është bërë gradualisht nëpërmjet korrespondencës, duke filluar nga muaji gusht 1992 dhe pas një komunikimi nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Astrit Mehaj. Për të sjellë këtë argument më ndihmoi edhe miku im Anton Shkoza, i cili ulur në karrigen e tetraplegjikut, ditën e festimit, kishte vënë mbi gjoks dokumentin e identifikimit për hyrje në repart, shënuar “reparti nr.88”, i firmosur prej meje, në vitin 1993. Emri “RENEA” fitoi qytetari dhe shpejt zëvendësoi nr.88 në korrespondencën e repartit me Ministrinë e Rendit Publik.-

Ka vend ende që të shprehen historianët për forcat speciale? 
Për sa shkrova më sipër është mirë të shprehen edhe të gjallët, dëshmitarë të atyre evenimenteve që i vlejnë historisë së repartit, asaj të Policisë, por edhe asaj të Shqipërisë. Historianët apo hartuesit e historikëve do të bënin mirë të “kuvendonin” me ish-policët e repartit nr.326, sambistët që shkruan të parët emrin e madh të atij reparti sakrificash, të shfletojnë dosjet e Arkivit të Ministrisë së Brendshme, të pinë ndonjë kafe me zotërinjtë Nexhmi Zotaj e Sejdin Brahimi, me komandantët e tjerë të cilët për etikë nuk po i përmend; të respektojnë hartuesit e akteve që janë gjallë, Bajram Yzeiraj, Vladimir Hysi e Bashkim Kopliku (që meritonin të ishin në përvjetor). Unë nuk kam nevojë të pyetem se mua nuk më lë rehat zemra ime rebele, që e zbukurova jo me medalje (nuk mora asnjë në forcat speciale, se ato nuk u jepen të aftëve por militantëve, ndonëse shërbeva me meritë dhe me heroikë në forcat speciale nga viti 1992) por me katër by-passe, rrjedhojë e angazhimeve të pafundme stresuese e rraskapitëse, me një bilanc: një të rënë në detyrë e një të plagosur.Unë nuk mund të jem i qetë para padrejtësive të tilla se ndryshe mohoi gjakun e atyre që i mbajta mbi duar, që sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë e më të shenjtë, jetën. Njollat e gjakut të atyre të rënëve janë në karriget e çdo pushtetari, ndaj t’i respektojnë. Sot bëj apel që mos të luaj kush me historinë e shkruar me gjak; shpreh habinë kujt i duhet ky deformim; pyes përse kjo fushatë përkujtimoresh që nuk ekzistojnë. E konsideroj ligësi dhe mohim të së vërtetës, por edhe mediokritet e paaftësi e drejtuesve më të lartë të dikasterit blu! Zoti Burgaj le të rilexojë fjalën e rastit (që lexoi) dhe të bëjë pak arithmetikë e pak llogari, cila ndodhi më parë, vrasja e dëshmorit Lulëzim Salillari (më 22 shkurt 1991) apo krijimi i “RENEA”-s më 11 nëntor 1991?!. Absurditet e ligësi shqiptare që dëshmon edhe turp. Sa turp për një institucion dhe për shkrues të paaftë!
Sigal