Në mbrojtje të historisë – Durrës, shoqëria civile protestë gjatë gjithë natës kundër projektit të Velierës

580
Shoqëria civile nuk i ndal protestat në lidhje me projektin Veliera.

Në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes zhvilloi protestën e radhës, për zbatimin e vendimit te gjykatës, e cila ka vendosur bllokimin e punimeve në të gjithë zonën arkeologjike.

Sipas protestuesve, firma kontraktuese dhe bashkia Durrës po vijojnë punën duke mos respektuar vendimin e Gjykatës se Shkallës së Parë Durrës, e cila me kërkesë të prokurorisë ka vendosur sekuestro preventive thuajse për gjysmën e kantierit te ndërtimit, konkretisht për zonën arkeologjike.

Sazan Guri: Nuk ka vlerë projekti kur lejohet vetëm në zonën zero dhe në zonë A është e ndaluar rreptësisht. Durrësi nuk është shesh arkeologjik që u përket durrasëve, as shqiptarëve, por përpos tyre i përket edhe kulturës helene, edhe kulturës romake. 

Aulon Kalaja: Kjo është qëndresa qytetare. Ne nuk do të lejojmë Vangjush Dakon që të asgjësojë Torrën Veneciane, ne nuk do të lejojmë që të asgjësohet historia jonë.

Arkeologët kërkojnë që gërmimet dhe puna e tyre të shtrihet në një sipërfaqe më të madhe, pasi mendohet se fare pranë rrënojave arkeologjike që dolën në dritë nën tokë mund të ketë objekte të tjerë me vlerë.

Grupi e arkeologëve në Durrës kanë përfunduar punën e tyre sa i përket gërmimeve dhe janë fokusuar në dokumentimin objekteve, për ta paraqitur më pas pranë Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, e cila do të vendosë se çfarë do të ndodh me rrënojat dhe objektet që dolën në dritë pas gërmimeve në kantierin e ndërtimit të Velierës.

Madje, do të jetë ASHA ajo që do të vendos nëse do të ketë ndryshim të projektit të Velierës.
Sigal