Në luginën e Valbonës, pranë detit të Himarës dhe mes maleve të Kuçit

142


luginën e Valbonës, pranë detit të Himarës dhe mes maleve të Kuçit

 

Aurora Kenga

Koordinatore Projekti

 



Projekti “Në zbulim të mistereve të Jugut” nisi me një udhëtim
drejt Valbonës. Një grup, i përbërë nga stafi i projektit dhe i përzgjedhur nga
Instituti i Librit dhe i Promocionit, përfaqësues të bashkisë së Himarës dhe
sipërmarrës nga rajoni jugor, ku dimri nuk është aq i egër sa në veri, mori
rrugën për t’u njohur me një zonë ku bukuria që vret apo dëbora migjeniane
(ashtu si më pëlqen ta quaj) sundon krenare e madhështore mbi majat e alpeve të
thepisura, me plot ngjyra, që rrethojnë rrugët e mirështruara automobilistike
si për të lehtësuar sadopak të ftohtin e huaj për ne që ishim pajisur me
veshjet më të ngrohta dhe me një kureshtje të madhe për të parë nga afër këtë
pjesë të Shqipërisë ku mijëra turistë të huaj shkelin çdo dimër dhe që tashmë
cilësohet si një histori suksesi e turizmit në Shqipëri dhe në rajon.

Pjesa më e madhe e rrugës kishte mbaruar e, për më pak se tri orë,
do të arrinim në vendin për ku ishim nisur. Pas një ndalese të shkurtër për
kafe e vijuam rrugëtimin tonë drejt Bajram Currit dhe më pas në hotelin ku do
të qëndronim.

Në mbrëmje u mblodhëm në një odë të madhe që ngrohej nga një oxhak
me një zjarr bubulak, në shoqërinë e pjatave tradicionale të zonës, vallëzimit
të një grupi të rinjsh që kërcyen për kënaqësinë e ne të gjithëve e për të na
uruar mirëseardhjen me valle tradicionale plot ritëm e krenari.

Mëngjesi na përfshiu në disa takime të rëndësishme me aktorë kyç
të turizmit malor, për të kuptuar nga afër se si një zonë
, që njëzet vjet më parë dergjej në një izolim
të plotë, tashmë falë punës së banorëve të saj njeh begati dhe ka mësuar ta
kthejë bujarinë e mikpritjen e saj shekullore në resorte, bujtina e qendra
kulturore ku turistë nga e gjithë bota shkojnë për të shijuar qetësinë,
itineraret e shumta turistike, për çdo lloj turisti, atë familjar, atë
vetmitar, atë që udhëton në shoqëri dhe kërkon aventurën, përmes shtigjesh të
pajisura me tabela dhe udhëzime ashtu si edhe me banorë vendas të gatshëm, për
të të orientuar dhe për të të dëfryer me histori e legjenda si ciceronë të vërtetë.

Çfarë më bëri më shumë përshtypje? Dëshira që më lindi për t’u
rikthyer (ndoshta jo në dimër, pasi ishte vërtet ftohtë) në pranverë, atëherë
kur ujëvarat apo kataraktet, që tani kanë ngrirë, derdhen plot vrull e hare mes
gjelbërimit të bjeshkëve të bekuara, atëherë kur mikja ime migjeniane i lë vend
barit dhe puhizave të lehta pranverore, kur të dallohen më mirë ngjyrat e
alpeve madhështore. Në kthim ndaluam për pak orë në Prizrenin e bukur, që na
përshëndeti me magjinë e arkitekturës së tij mesjetare.

Pas ditëve të kaluara në Valbonë, u nisëm sërish drejt zbulimit të
mistereve të Jugut. Kësaj radhe ishim edhe më shumë, së bashku me ne u nisën
drejt Himarës, piktorë të mirënjohur, grupe polifonike, folklorike, grupe
valltarësh nga Tropoja, deputetë, ashtu si edhe specialistë në fushën e
turizmit, përfaqësues të vetë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit,
Tregtisë dhe Sipërmarrjes, të gjithë me qëllimin për të ndërtuar një zjarr
bubulak bisedimesh, në zemër të bashkisë së Himarës.

Në Himarë ishte ngrohtë, dielli shkëlqente dhe deti nuk përplasej
me furi në breg, por i lëshonte qetë-qetë dallgët e tij. Festa filloi, miqtë
nga Tropoja hodhën vallen e Tropojës, buzë detit, mikpritësit nga Himara e
Piluri, kënduan këngë polifonike, një prej trashëgimive tona kulturore më
autentike edhe sipas UNESCO-s. Në stendat e ngritura në kuadër të këtij
aktiviteti u vendosën piktura, punime artizanale, si qëndisma, prodhime
vendase, si vaj, verë, mjaltë etj. Mes panelit të diskutimeve dhe stendave u
shtrua një banket i larmishëm me ushqime tipike të zonës, për kënaqësinë e
gjithë të pranishmëve.

 Në telajot e piktorëve janë hedhur bukuritë natyrore të
kësaj zone, të cilën turizmi veror detar e gjen të përfshirë mes rrëmujës,
trafikut, muzikës së lartë të lokaleve si në ditët e nxehta po ashtu edhe në
netët e freskëta, për ta lënë më pas gjatë gjithë periudhës tjetër në heshtje
dhe qetësi. Ndaj dhe ky projekt kishte si qëllim, hartimin apo ravijëzimin e
disa mundësive për t’i dhënë turistit të kësaj zone mundësinë për ta shijuar
atë jo vetëm gjatë beharit, por në 365 ditët e vitit. Siç thotë një shprehje e
vjetër popullore, po nuk qe mirë me veten, nuk ke si të jesh mirë me të tjerët.
Ndaj dhe të parët që provuam disa nga pikat kyçe që mund të ofrojë turizmi në
këtë zonë ishim ne, ideuesit e këtij projekti, përfaqësues nga Ministria, që na
mbështetën, miq të tjerë të sipërpërmendur dhe popullsia lokale, në Himarë e në
Kuç, që bashkë me ne kërceu, ngriti dolli dhe shqetësime e shpresa për të
ardhmen e zonës së tyre, këndoi dhe ofroi me bujari pjatat tradicionale
vendase, verën e rakinë e mirë, qëndismat dhe kostumet popullore dhe mikpritjen
e bujarinë që karakterizon kombin tonë.

Një nga momentet më emocionuese për mua ishte spektakli i shkollës
“Memo Meto” në Kuç, gjatë të cilit drita që shkëlqente në sytë e fëmijëve, të
cilët recituan e kënduan për ne, në një koncert që më solli ndër mend
fëmijërinë, më bëri të harroj krejtësisht frikën e rrugës mes maleve.

Nga ky udhëtim përmes tri qendrave kryesore të parashikuara në projekt,
Valbonës, Himarës dhe Kuçit, një prej fshatrave që përshkruhet në 30 librat e
hartuar nga historiani i mirënjohur Irakli Koçollari e promovuar në të gjitha
këto takime, mësuam se ne kemi burimet e duhura për të plotësuar nevojat e
turistit në 365 ditë të vitit, dhe me punë e vullnet mund të përmirësojmë nyjat
që lidhin këto resurse për të ndërtuar një ofertë cilësore turistike që do të
ndihmojë strategjinë për të kthyer Shqipërinë në një destinacion të rëndësishëm
turistik. Pasi ne mund të strehojmë të gjithë llojet e turistëve, nga ai
aventurier, që ecën me çantën në shpinë dhe lëviz me autostop, tek ai familjari
që shëtit me shtëpi lëvizëse (roulotte), te grupet shoqërore, në zbulim të
mistereve që trevat tona kanë ende për të na zbuluar, te turisti kulturor, i
cili tashmë, falë këtyre librave, mund të gjejë një numër të konsiderueshëm
sitesh arkeologjike, kisha e shtëpi-muze, por edhe për atë turistin e lodhur
nga rutina dhe e përditshmja që kërkon të gjejë pak qetësi, mes luginës së
Valbonës apo pranë detit të Himarës, por edhe pranë maleve të Kuçit.