Në Llëngë , shkatërrojnë urën e rrugës Egnatia

728
Në fshatin Llëngë të Pogradecit është shkatërruar me tritol një nga urat unikale të rrugës Egnatia me një qemer që lidhte dy anët e lumit Llëngë. Ajo urë që ju shikoni në foto nuk ekziston më, ajo është hedhur në erë me tritol nga një grup vandalësh nga një qytet fqinjë i Pogradecit. Studiuesi i kulturës popullore që është nga Llënga, Llazi Tona ka thënë për gazetën “Telegraf”, se ndjehet shumë i fyer dhe i dëshpëruar, pasi fshati i tij Llënga dhe Shqipëria kanë humbur një vlerë unikale të rrugës Egnatia. Sipas tij, persona ende të pa identifikuar, të ardhur nga një rreth tjetër, sipas të folurës mund të ishin nga Elbasani , me aparatura kanë kërkuar rreth dy ditë në dy këmbët e urës dhe më pas ata kanë vendosur një sasi të konsiderueshme tritoli duke e hedhur urën në erë. Dhe më pas kanë hapur themelet e saj në thellësi në kërkim të floririt. Është rrëzuar një vepër arti që i ka rezistuar mijëra viteve për pak minuta nga disa vandalë që kërkojnë thesare floririt, duke shkatërruar gjithçka nga kjo vepër artit të trashëguara nga e kaluara. Kjo urë mijëra vjeçare ishte shpallur si monument kulture e trashëguar që nga koha e perandorit Justinian. Sipas banorëve të fshatit persona të paindentifikuar që kanë shkatërruar urën e rrugës Egnatia kanë thënë se, kanë pasur të dhëna që në themelet e urës kishte të fshehura depozita floriri, prandaj e kanë shkatërruar ! 

Kjo urë e rrugës Egnatia ishte unike, me një qemer dhe iu ka rezistuar mijëra vite, tashmë shkatërrohet nga disa barbarë që duan të “ Gjejnë floririn në këmbët e urës .

Fjalët e Plutarkut, se nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë ndonjëherë qytetërim pa trashëgimi të kulturës, tregojnë se është trashëgimia ajo që e lind dhe e mban qytetërimin. Sipas të dhënave historike, jemi një nga popujt më të lashtë të Ballkanit.

Po a mjafton ky pohim pa trashëgiminë e tij, pa vlerat e krijuara prej këtij populli në shekuj. Por, për fat të keq, po ndeshemi me një ortek dhune prej një takëmi barbarësh që duan të pasurohen duke shkatërruar vepra arti që datojnë prej kohës së perandorit Justinian. Nën pretekstin e kërkimit të floririt ata po shkatërrojnë vlera unikale të kulturës sonë kombëtare ,Vetë të huajt e kanë të pamundur të orientohen për Shqipërinë, historinë e saj, kulturën dhe trashëgiminë kulturore kur zhduken vepra konkrete që flasin shumë rreth të kaluarës së vendit tonë. Vetë shoqëria njerëzore ka lindur dhe është organizuar rreth vlerave të trashëguara nëpër shekuj dhe sa më të forta të kenë qenë këto vlera aq më e fortë ka qenë shoqëria. Qytetërimi, në kuptimin më të thellë të fjalës, nuk përcaktohet nga sasia e banesave dhe e gradaçielave, por nga vlerat që mbart kjo shoqëri dhe nga mendimtarët që e kanë udhëhequr atë në periudha të ndryshme historike dhe vlerat që ata kanë lënë për shoqërinë njerëzore. Çuditërisht në këtë rreth është shembur në fshatin Dërdushë kulla 300 vjeçare me pesë kate, një monument kulture dhe gjithçka kaloi në heshtje…Fytyra e vërtetë e një vendi paraqitet me vlera e jo me antivlera. Vandalët e shkatërrimit duhet të dalin para drejtësisë 
Bardhyl Berberi 
Sigal