Në Korçë, 24 orë ujë dhe birrë…

963
– Birrën u ka çuar Irfani, ujin ua ka garantuar “gjermani” 
Këto ditë, duket sikur në Korçë je në “Republikë tjetër”, ndryshe nga Republika e Shqipërisë. Edhe pse janë në të njëjtin territor shtetëror e me të njëjtën qeveri, këto ditë, korçarët po jetojnë me tjetër realitet shpirtëror, ndryshe nga pothuajse gjithë banorët e zonave të tjera të vendit, të cilët përveç pesimizmit të përhershëm të këtij tranzicioni, në 2 muajt e kësaj stine vere, po masakrohen edhe nga zjarret dhe mungesa totale e ujit në familje! Ndryshimi nuk ka lidhje me “punët e qeverisë”, mbasi korçarët nuk kanë nisur të ngjiten në majë të kullës së Nikos e as të shtrihen në sheshin e Raqkës. Realiteti korçar si në “Republikë tjetër”, ka lidhje me dy realitete, që banorët e këtij qyteti po përjetojnë në këto ditë muaj gushti. Ndryshe nga shqiptarët në të gjitha zonat, korçarët, nuk po qëndrojnë “roje” tek banesat nga frika e rënies apo vënies së zjarreve. Nuk po qëndrojnë “dezhurn” brenda shtëpive, në pritje të ujit, por kanë dalë e po “lahen” me birrë “Korça”, në sheshin madh të festës “Birra Korça”, të organizuar nga skraparliu Irfan Hysenbelliu, pronar i fabrikës së kësaj birre cilësore, të famshme e të mirënjohur jo vetëm në Shqipëri! Këto ditë gushti me thatësirë e zjarre të shumtë, korçarët kanë 3 zgjidhje: Kush nuk do të pijë ujin “qelibar”, mund të pijë birrë “Korça”. Ata që nuk dëshirojnë as ujë e as birrë, mund të thithin ajër të pastër. Korçarët i kanë brenda shtëpisë këto tri “produkte” që janë të domosdoshme në një vapë të madhe. Birrën u ka çuar Irfani, ujin e pastër 24 orë, ua ka garantuar “gjermani” që para vitit 2010, mungesën e zjarreve ua ka garantuar qytetaria e tyre! Ndërsa shqiptarët në pothuajse krejt territorin e republikës, po “digjen” nga zjarri dhe mungesa e ujit, në Korçë është si në të jesh në “Republikë tjetër, me 24 orë ujë dhe birrë…


Sigal