Në Klik Ekspo Group mbahet Forumi i Biznesit Shqipëri-Serbi, prezantohet “Autostrada e Paqes”: Rruga mes dy vendeve

757
Rruga e Kombit mund të marrë një emër të ri nëse realizohet projekti i korridorit Durrës-Prishtinë – Nish. “Autostrada e Paqes”, e quajti ministri serb për Ekonominë Goran Knezevic, në Forumin e Dhomës së përbashkët të Tregtisë Shqipëri-Serbi, aktivitet që u organizua në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës 2017, nga Klik Ekspo Group. Një vit më parë, në Panairin e Klik-ut këtu në Tiranë u themelua Dhoma e Përbashkët e Tregtisë, Shqipëri-Serbi. Disa muaj më vonë, në gazetat e Serbisë shkruhej për sipërmarrësit shqiptarë që kishin vizituar atë vend me qëllim, interesimin e drejtpërdrejtë lidhur me investimet e mundshme, por edhe për të kuptuar potencialin e zgjerimit të përbashkët të bizneseve të njëjta ose të përafërta me njëra-tjetrën. Faktet tregojnë se brenda vetëm pak muajsh nga ai moment kemi një numër në rritje kompanish me kapital të përbashkët, që synojnë të zgjerohen jo vetëm në Shqipëri, apo në Serbi, por në mbarë tregun rajonal. Ky është një shembull konkret i potencialeve të pashfrytëzuara për të investuar, për të nxitur rritjen e ekomomike, për të ofruar punësim real dhe për të ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies. “Është e nevojshme që t’i thellojmë marrëdhëniet në bazë të interesave dhe qëllimeve të përbashkëta për të ardhmen tonë në Bashkimin Evropian. Kemi shumë sfida me të cilat duhet të ballafaqohemi, por ne duhet të fokusohemi tek ndërtimi i të ardhmes më të mirë për qytetarët tanë”, u shpreh mes të tjerash ministri serb i Ekonomisë, Goran Knezevic. Ndërsa Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Serbi, Isuf Ferra duke marrë fjalën në këtë takim premtoi se dhoma që drejton do të krijojë të gjitha lehtësirat për të nxitur shkëmbimet tregtare mes kompanive të dy vendeve dhe do veprojë si urë lidhëse për rritjen e investimeve dypalëshe. “Akoma mbetet shumë për t’u bërë lidhur me përmirësimin e eficencës së shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve. Për shembull, në eliminimin e pritjeve në pikat kufitare, të cilat mbartin kosto të larta për biznesin. Nisur nga ky fakt po punojmë dhe do angazhohemi më fort në organet shtetërore, për të lehtësuar procedurat, duke bërë që të ndërmjetësojmë minimizimin e këtyre kostove. Një tjetër ngërç është dhe mosshfrytëzimi siç duhet i portit të Durrësit. Ne do punojmë më tej që ky port i Adriatikut, i kombinuar edhe me korridorin efikas të transportit, rrugën e Kombit dhe hekurudhën, të shndërrohet në një portë hyrëse dhe dalëse shumë të vlefshme për dy vendet tona”, tha zoti Ferra në fjalën e tij. Pjesë e këtij forumi ishte edhe ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Zj. Sonila Qato, e cila mes të tjerash, u zotua se do të jetë avokate e sipërmarrjes vendase dhe të huaj. “Tregtia dypalëshe ka pasur zhvillim të qëndrueshëm duke arritur në 118. 6 milionë euro në periudhën janar-shtator 2017. Një rritje domethënëse kjo krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Zyra e ministres së shtetit për mbrojtjen e sipërmarrjes të cilën përfaqësoj, do të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme për plotësimin e detyrës si një avokate e sipërmarrjes vendase dhe të huaj në vendin tonë për garantimin e mbarëvajtjes së dy realiteteve ekonomike të cilat tashmë vijnë kaq afër njëri-tjetrit. Ndaj ju ftoj të trokisni sa herë të jetë e nevojshme për kërkesa, sugjerime diskutime apo çfarëdo lloj tematike që ju e shikoni të nevojshme e për të rritur këtë bashkëpunim reciprok midis sipërmarrjeve të dy vendeve tona”, theksoi ministrja Qato. Në fund të takimit, z.Isuf Ferra u rikonfirmua si kryetar i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Serbi, ndërsa z.Miroljub Aleksiç mori miratimin e të pranishmëve si bashkëkryetar.
Sigal