Në hipotekë më vodhën 8 tapi tokash

650
Ajo çfarë ndodh çdo ditë në zyrat dhe institucionet e shtetit me qytetarët dhe pronat e tyre, duket se po kthehet në normalitet të jetës së përditshme. Sërish institucioni më i përfolur nga qytetarët, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) është akuzuar dhe denoncuar lidhur me shkeljet e ligjeve, rregulloreve dhe etikës profesionale dhe zyrtare. Ramazan Banush Bajrami nga fshati Kajan i Belshit ka akuzuar ditët e fundit në “Telegraf”, atë që ai e quan “vjedhjen e 8 tapive të tokave bashkë me hartat e tyre respektive në ZRPP e Elbasanit”. Sipas zotit Ramazan “unë jam banor tre dhe katër brezash në fshatin Kajan të Belshit, atje kam edhe tokat e gjyshërve dhe babait tim, të cilat pas vitit 1992, luftova dhe i mora pasi kisha jo vetëm unë dokumentacionin e vjetër, por atë e kishte edhe shteti, zyrat e asokohe të ish-Komitetit Ekzekutiv dhe Kadastrat, ishin ruajtur mrekullisht, kurse sot humbasin dhe nuk u gjendet nishani. Në datën 02.06.2014 kam vajtur në Hipotekën e Elbasanit dhe kam aplikuar për të marrë hartat e tokave të mia, pasi më duheshin, doja hartat sepse tapitë i kisha marrë qysh në datën 15.05.2000 ishin plot 8 copë, me firma dhe vula të shtetit. Por jam befasuar kur mora përgjigjen nga zyrtarja e ZRPP Elbasan, “nuk gjenden hartat, nuk gjenden tapitë e tua o Ramazan, duhet të shkosh në Bashkinë e Belshit, të marrësh topografin, të masësh edhe njëherë tokat, pastaj të marrësh dokumentacion e duhur, të aplikosh dhe të presësh sa të miratohen tapitë. 

Sigal

Tortura në zyrat e regjistrimit

Një rikthim dhe një torturë e paparë, kur mua më duheshin hartat e tokave, më thonë se, të kanë humbur edhe tapitë, por në fakt ato më janë vjedhur, ashtu siç i janë falsifikuar dhe janë vjedhur edhe dhjetëra bashkëfshatarëve të mi, ndaj dua të denoncoj publikisht tek ju dhe në organet e drejtësisë këto afera të pista, këto turpe që ngjasin tek ZRPP e Elbasanit, në një kohë që Enver Hoxha i ruajti mbi 55 vjet tapitë e Turqisë dhe Zogut, këtu humbin tapitë e marra para 10 vitesh, një skandal i madh”. Ramazan Bajrami, prej dy muajsh troket dhe kërkon nga punonjëset e ZRPP Elbasan, shkakun e humbjes së 8 tapive të tokave të tij, pasi bëhet fjalë për afro 3500 metra katrore tokë, e cila mund t’i humbasë atij dhe të bëhet pronë e ndonjë mashtruesi dhe fallcifikatori tjetër, ashtu siç ka ndodhur në qindra raste me pronat e qytetarëve, ku fajtori dhe i akuzuari ka qenë Hipoteka. Ramazani tha se “para disa ditësh kam patur, pas shumë kërkesave një takim edhe me kreun e ZRPP Elbasan dhe përgjigja nga ai ishte “merru me punonjëset tek sporteli, nuk merrem unë me rastet e tilla”, më ka befasuar, më ka habitur përgjigja e një drejtuesi, që duhej të kishte vënë alarmin, për faktin se kanë humbur tapi, ka vite që humbin dosje, tapi, harta tokash, dhe kjo për drejtuesit mbetet gjë normale, një papërgjegjshmëri e plotë, ndërkohë që para dy ditësh më është afruar dikush që nuk e njihja dhe më ka propozuar zgjidhjen e hallit tim, pa shumë lodhje, por ama duke më kërkuar ca para, por nuk pranova ndaj vendosa të denoncoj në media maskaradën që ndodh në hipoteka, pastaj do t’i drejtohem edhe organeve të hetimit”. Qysh nga dita e aplikimit, Ramazan Banush Bajrami pret në shtëpi postierin e Postës Shqiptare, për t’i ardhur zarfi me 8 hartat e tokës nga ZRPP, por duket se ajo ditë nuk do të vijë kurrë. Ai tha se “në dy vjet kam vajtur e pakta 200 herë në ZRPP Elbasan, më kanë thënë lloj-lloj përgjigjesh, hajde sot dhe hajde nesër, dhe së fundi më thonë “kanë humbur tapitë dhe hartat e tua, ky është shteti, kush janë përgjegjës për sorollatjet tona, për humbjet e dosjeve dhe tapive tona, natyrisht ata nuk do të gjenden kurrë, kurse ne do të vuajmë dhe paguajmë kusuret e tyre, ndaj kërkoj nga Ministria e Drejtësisë, nga kreu i saj zoti Manjani, të verifikojë dhe ndëshkojë penalisht autorët e çdo shkelje të tillë ligjore dhe abuzimeve që mbajnë era korrupsion”.

Nga Maksim TUFA