Në Frashërin e braktisur, po rikthehen nostalgjikët

691
Sigal

Në 23 vjet asnjë qeveri nuk u kujdes për vendlindjen e tre korifenjve

Dangëllia, zona më njohur e rrethit të Përmetit, e cila historikisht ka qenë nën juridiksionin e Prefekturës së Gjirokastrës prej 300 vjetësh ka qenë dhe do të mbetet dheu nga ku kanë dalë mëndje të ndritura të Kombit, por edhe njerëzit e pushkës, që janë martirizuar në shekuj për liri e përparim. I ndodhur në zemrën e Dangëllisë, Frashëri kryeqendra e saj, ndoshta fshati më i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, rreth 40 kilometra larg nga Përmeti, dikur ka qenë një qendër e madhe banimi dhe kulture.

FRASHËRI

Frashëri ndodhet në rrethin e Përmetit. Ky fshat për herë të parë na del në regjistrin osman në vitin 1431-1432. Sipas këtyre regjistrave, Frashëri është vendbanim i vogël me 12 shtëpi. Ky vendbanim në ecurinë historike sa vjen dhe rritet, aq sa në mesin e shekullit 19 numërohen 150 shtëpi, ndërsa në fillimet e shekullit XX-të, shënohen me 550 shtëpi. Pra, gati një qytet i vogël malor. Me afro 550 shtëpi banimi në fillimin e shekullit të kaluar, sot ky fshat, dikur komunë e parë në Dangëlli, me rrjet dyqanesh, tregtie, shërbimi shëndetësor, e kulturor, (bëhet fjalë qysh në vitet 1918 e në vazhdim) po shkrin si qiri për të cilin shkroi me aq pasion dikur njëri nga bijtë më të shquar të tij, vëllezërit Frashëri. Ai sot është jo më shumë se me 12 shtëpi, pasi shumica e frashëllinjve, kanë ikur, kush në kurbet, kush në Tiranë, Durrës, Korçë, Berat etj.. Duke shfletuar statistikat historike, mëson se, para një shekulli, sipas regjistrit osman, (Stamboll 1912) Frashëri kishte 550 shtëpi dhe mbi 1500 banorë, ndërsa atje sot banojnë mbi 30-40 vetë, ndërsa shtëpi kanë mbetur afro 12 gjithsej. “Ky është fshat i vjetër, themeluar nga stërgjyshërit tanë, ja sot si është katandisur, me shtëpi të vogla, pa njerëz, ku edhe bagëti nuk shikon shumë, janë shpërngulur fisi Skënderasve, fisi Frashëri, që kishin rrjetin e dyqaneve, por edhe fise të tjera kryesisht në Tiranë”,- një pinjoll i këtij fisi 80 -vjeçari Ylli Skënderi. Prej afro 5 vitesh atje është kthyer një djalë i atij fshati Sabah Skënderi, ka lënë Tiranën dhe ka nisur ngritjen e një hoteli për turistët vendas apo të huaj, që vitet e fundit nuk mungojnë në çdo stinë. Frashëri shtrihet në faqet e dy maleve dhe ndahet në mes nga një përrua. Matanë përroit është fshati i vjetër, themeluar 2000 vjet më parë, sipas arkeologut italian Luigi Ugolini, fshati e ka marrë emrin nga druri frashër, që njëherë e një kohë mbulonte të dy faqet e maleve. Por sot ka shumë pak nga ky dru, me të cilin dikur bëheshin bishta sëpatash, rrota qerresh, samar kafshësh dhe shumë punë të tjera, kurse në kohën e lulëzimit ekonomik, në hyrje të fshatit kishte 25 dyqane dhe 3 thertore. Lart në mal është një shpellë ku ka shenja për banime prehistorike. Kjo të bën të mendosh se fshati Frashër është ende e pa eksploruar nga arkeologët.

BANORËT

Një tjetër frashërlli i quajtur Tomor Kotorri, thotë se në kohët e arta ky fshat ishte ndarë administrativisht në 10 lagje të mëdha, ndër të cilat veçojmë lagjen “Vilë”, e cila ishte e veçuar nga fshati, këtu banonin të pasurit. Në atë lagje ndodhet edhe kisha më e vjetër, Shën Nikolla. Themelet e kësaj kishe janë hedhur në mbarim të shekullit të 15-të, si edhe lagja e madhe e Skënderasve. Por i madhi, Sami Frashëri do të shkruante asokohe se: “Një vend malësi, rrethuar me një shkëmb si me një fortesë të ashpër, deri aty nga mesi e shek. XIX, ishte një qytet zotërinjsh të pasur që vinin e fitonin me “harxhe”, në Greqi, në Bosnjë e gjetkë, por që nuk u prenë “harxhe”,e spahillekët, zotërinjtë e Frashërit zunë të mos mbahen në atë vend të varfër, ndaj dhe nisën një nga një të mërgohen”. Sipas citimit që ndodhet në muzeun e fshatit, kushtuar bijve më të famshëm tij, Abdylit, Naimit dhe Samiut, ky fshat u bë vatër atdhetare, me vëllezërit Frashëri, por edhe në rang kombëtar, për sa i përket çështjes kombëtare. Frashëri ishte një qendër bektashiane dhe vjershëtorësh. Aty nga gjysma e dytë e shekullit XIX, Teqeja e Baba Alushit u kthye në një vatër kulture. Vepra e shkruar nga Dalip Frashëri, me titull “Hadikaja”, në vitin 1842, me 65 mijë vargje, ishte i pari epos në gjuhën tonë me shkronja arabisht. Këtu e gjeti frymëzimin edhe Naim Frashëri për hartimin më vonë të dy episodeve të tij”. Poeti dhe atdhetari Naim Frashëri, në poemën e tij “Bagëti e Bujqësi” është frymëzuar pikërisht nga fushat pjellore të Frashërit. Bujqësia dhe blegtoria në Frashër kanë qenë dhe janë shumë të zhvilluara, madje banorët e zonës po e trashëgojnë edhe sot këtë traditë. Por ajo që të bie në sy, është fakti se, ka nisur kthimi i nipërve nostalgjikë, i atyre që ndoshta kanë nisur ta ndjejnë mallin për tokën e prindërve dhe gjyshërve të tyre, më shumë se askush tjetër. Thonë se brezi i tretë i rikthehet tokës së të parëve. Sa mirë sikur të ndodhte kështu edhe me Frashërin.