Në farmaci marrin ilaçe me listë, në qendër tregtare blejnë si “bosë”!

865
Në këto ditë të fund majit 2015 të pështjellë me atmosferën parazgjedhore të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, të shoqëruara edhe me një mot vibrant e të trilltë, natyrisht që nuk kanë munguar edhe dritëhijet e ritmikës në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. Duke u shfaqur më evidente me të dy kahet e tyre dhe nën një kolor bardhezi, është e vështirë të evidentosh përqindjen e së bardhës me të zezën, pasi vetë kjo ritmikë e bën më të zbardhur jetesën e shqiptarëve. Që në krye të këtyre radhëve ky mendim nuk duhet kuptuar si një përfundim emocional, por si një realitet bazuar në aktivitetin qytetar të përditshëm. Madje le ta themi më konkretisht se burimi i këtyre rreshtave ishte pikërisht ky aktivitet nga pasarelat e një qendre të re tregtare në Tiranë, ku e bardha dhe e zeza (në kuptimin figurativ të jetesës, të varfër e të pasur) ishin aq pranë sa dukeshin një ngjyrëshe. Në këtë qendër tregtare me standarde moderne të kohës, në ambientet e shumta dhe të shumëllojshme qartazi dalloje shtresa të ndryshme të shoqërisë sonë në zhvillim që bënin pazar (shoping). 
Mes zhurmës së tyre në kujtesë më vijnë listat e gjata nëpër supermarketet e lagjeve, e së fundi edhe nëpër farmacitë për marrjen e ilaçeve me listë. Këtë po e quaj një paradoks! Parë në këndvështrimin qytetar, në një ambient të tillë të zhurmshëm me njerëz që duken të lumtur në realitetin e tyre dhe me çanta të mbushura plot e përplot, natyrisht që ndjehesh normal që je pjesë e kësaj shoqërie. Por, duke parë këtë realitet me qese të mbushura sikur me qenë në ndonjë nga shtetet e Amerikës, e nga ana tjetër duke kaluar në lagje para një supermarketi e një farmacie në të cilat emrat e këtyre qytetarëve janë të shkruar e zeza mbi të bardhë, pyes veten: 1. Ku i gjejnë këta qytetarë këto të ardhura, ndërsa në supermarketin apo në farmacinë e lagjes kanë blerë me listë? 2. Ata qytetarë të listave që “fryhen” në këtë qendër tregtare, janë të sinqertë kur “qajnë” të ardhurat e tyre të pakta financiare? 3. Në këtë mbipopullim, sa janë të punësuar dhe sa janë të papunët e listave? … E po të vazhdohet me pyetje të tilla nga më të ndryshmet, natyrisht që do ta përfundonim këtë këndvështrim Bardh e Zi me një “PSE” të madhe, së cilës përgjigja i vjen natyrshëm nga vetë këto shtresa të shoqërisë sonë që reflektojnë “dy fytyra”. Nga njëra anë janë ata të papunë, në asistencë apo në pension që blejnë me listë, dhe nga ana tjetër, janë po këta qytetarë që “zbardhin” portofolat në qendër tregtare sikur ta kishin financën familjare konkurrentë me njeri-tjetrin. 
Dhe po ti referohemi më realisht këtij realitetit tonë bardhezi, mund të dallosh në atë mbipopullim edhe qytetarë që kanë ardhur vetëm për soditje, të cilët mund të blejnë nga zori apo edhe me para të marra borxh, ndoshta për ti bërë qejfin fëmijës apo prindit të moshuar. Këta nuk janë maxhoranca, por që dallohen me ato çka mbajnë ndër duar, sepse aty janë edhe ata qytetarë që shpenzojnë pa problem, që janë të vetëpunësuar në biznese private, pse jo të punësuar në shtet apo në privat, të cilët dukshëm bëjnë dallimin me ata që në qese kanë blerje të lira. Po patjetër, aty kishte edhe nga ata qytetarë që punojnë e jetojnë në emigracion, kishte edhe nga ata që merren me korrupsion (kjo hamendësohet) apo me punë e aktivitete të tjera të ndaluara ligjërisht. Ky është paradoksi që u “fry” edhe kur rrugët u bllokuan ditën e mërkurë për vizitën e Kryeministrit serb në Tiranë, sepse fluksi i blerjeve thuajse u identifikua me ditët e tjera. Kësisoj, nëse jemi realistë me këtë dyndje disa ditore, le të themi se aty ka pasur nga të gjitha shtresat e kategoritë qytetare me shpenzime periodike mbi mesataren, të cilat tregojnë se kjo varfëri qenka zbutur paksa. Është normale të mendohet se varfëria asnjëherë nuk zhduket në një shoqëri të zhvilluar ku bashkëjetojnë shtresa të popullsisë me koncepte të ndryshme për punë dhe jetesë. Nga ky kuptim do t’i ‘kujtoj të gjithë qytetarëve tanë vargjet e një kënge popullore: “… o do ti qahem, s’kam o pse ti qahem…”. Kësisoj, ka ardhur koha të mendojmë ndryshme për zbutjen e varfërisë, pasi këtë përfundim na e imponojnë të gjithë ata qytetarë që në farmaci marrin ilaçe me listë, ndërsa në një qendër tregtare blejnë si “bosë”!.
Sigal