Në Durrës, shkelet ligji, gati gradimi i fëmijëve dhe kushërinjve

624
Edhe pse universitetet kanë nisur prej afro 2 javësh fushatën e tyre për zgjedhjet e reja, edhe pse janë miratuar dhe shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve emrat që garojnë për postin e Rektorit dhe Dekanëve në të gjitha fakultetet e universiteteve të vendit, sërish shkeljet ligjore nuk ndalen. Burime të besueshme nga Universiteti i Durrësit që i referohen disa pedagogëve të atij institucioni të arsimit të lartë i thanë ”Telegraf” se “pavarësisht se me ligj dhe me rregulloren e miratuar nga MAS, nuk lejohet asnjë veprim zyrtar lidhur me ecurinë e pretendentëve për tituj (apo procesin e përgatitjes së tyre) nga Këshilli Profesorëve, duket se tek ne ndodh e kundërta, ka mjaft miq, nipër, kushërinj dhe fëmijë të ish-drejtuesve që po keqpërdorin mandatin e mbaruar ligjor, për të hedhur hapa të tjerë, ç’ka do të thotë se po tentohet të japin grada shkencore si p.sh. Prof.As. dhe grada të tjera, duke mos patur asnjë të drejtë ligjore, ky është një hap shumë sfidues për MAS, ligjin dhe ne si pedagogë që kemi vite që mbushim dosjet me dokumente dhe asnjeri nuk na i pranon, apo më e keqja asnjeri nuk na i shqyrton, ndërkohë që grada shkencore kanë marrë pedagogë të rinj, të jashtëm, edhe pse nuk kanë fare kontribute dhe eksperiencë pune, apo rezultate të fushës së kërkimit shkencor”.
Alarmin e pedagogëve të persekutuar prej vitesh nga ai që ata e quajnë ndryshe jo Këshilli Shkencor, por “Këshilli Familjes” duket se nuk e dëgjon as MAS, alarmin e japin për dikasterin dhe zonjën Nikolla, ata pedagogë që i kujtojnë asaj se “në zyrat e ministrisë janë disa zyrtarë të saj që janë pedagogë të jashtëm në Universitetin e Durrësit dhe që si me katapultë, po ngjisin shkallët e karrierës dhe po gradohen, falë lidhjeve farefisnore dhe familjare, kjo padyshim mbetet një problematikë e madhe e cila e ka denigruar meritokracinë në universitete. Ky muaj sipas miratimit edhe nga MAS, mbetet muaji i fushatës për zgjedhjet në të gjitha universitetet publike të vendit, dhe si e tillë nuk lejohet ligjërisht të mblidhen as këshillat e profesorëve, as strukturat e tjera, pra gjithçka i mbetet zgjedhjeve të reja. Edhe Këshilli i Profesorëve, ka të gjitha atributet e veta kur ai del nga zgjedhjet e reja, ndaj çdo veprim tjetër i kamufluar, përbën shkelje ligjore. Por duket se përballë këtyre shkeljeve ligjore që janë konstatuar dukshëm në universitetet tona publike, ndër të cilët edhe në atë të Durrësit, MAS ka vendosur të mbetet neglizhente, të rrijë në hije, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Duke u ndalur konkretisht në Durrës, atje situata mbetet e ndërlikuar prej disa muajsh, për të mos thënë disa vitesh. Ka mjaft pedagogë që kanë vite që mbushin dosjet me dokumentacionin e kërkuar dhe nuk u pranohet, ka pedagogë që dosja u kthehet dhe u rimerret, ka pedagogë që ankohen për burokracitë e Këshillit të Profesorëve, duke i penguar ata të konkurronin përballë të preferuarve të tyre. Këto ditë është zhvilluar mësim i hapur për miq dhe familjarë të preferuar, për ti dhënë “dorën e fundit” marrjes së gradës shkencore Prof.As.
Ata që zbulohen se “do të kandidojnë për poste të tilla si dekanë, zv/dekanë, apo edhe shefa departamentesh, dhe që nuk bëjnë pjesë në grupin e tyre, janë automatikisht të skualifikuar- u shpreh një grup pedagogësh që kanë vite që kontestojnë format dhe mënyrën e dhënies së gradave shkencore. Ata deklaruan se “kemi vite që na sjellin si topa futbolli, duke na nxjerrë lloj-lloj justifikimesh, si bëni gati dosjet, nuk i keni të plotësuara, ju mungon ky apo ai dokumentacion, dhe shumë pretendime të tilla, në një kohë që miq dhe familjarë e kanë marrë dhe e marrin gradën Prof. As. edhe pse kanë një dosje të zakonshme edhe pse janë pedagogë të jashtëm tek ne”. Pedagogët denoncues u shprehën se “shumë shpejt do të publikojnë në gazetë edhe “xhevahire” të tjera, të cilat janë zbuluar së fundi me ata që pretendojnë të kapin postet pas 22 prillit, ndaj i kujtojmë MAS, të kalojë në filtër, gjithë listën emërore, pasi do të zbulojë precedentë të padëgjuar”. 
Sigal