Në ditën e lindjes së Pjetër Arbnorit asnjë politikan në shtëpinë e tij

547
Sigal

Morën pjesë vetëm të afërmit dhe miqtë

Dje ishte dita e lindjes së Pjetër Arbnorit, por në familjen e tij, nuk është dukur asnjë politikan. Duket sikur në Shqipëri është krijuar një klimë, që njerëzit të duan e të lavdërojnë për sa kohë që je gjallë, ndërsa kur ndërron jetë, ta harrojnë edhe portën e shtëpisë. Por duket se me ish- kreun e Kuvendit të Shqipërisë, ose me të ashtuquajturin Mandela i Shqipërisë, harresa ka filluar padrejtësisht shumë kohë më parë, por sidomos ky harrim është evidentuar pas vdekjes së Pjetrit. “Që kur vdiq Pjetri nuk na kanë shkelur më në shtëpi. Madje, disa kohë më parë për ceremoninë e dekorimit ftova vetëm miqtë e vërtetë, me të cilët vuajti në burgje, si edhe disa shkrimtarë, publicistë, aktorë. Pra, ata që vetë Pjetri i donte shumë”, shprehet bashkëshortja e tij, Suzana. Arbnori, për gazetën “Telegraf”. Ajo tregon se ndarja ka ardhur ditë pas dite, derisa politikanët shqiptarë e kanë harruar fare shtëpinë e tyre. Por me sa duket, ky harrim dukej i pritshëm, përderisa bashkëshortja e Pjetrit, nuk çuditet më, me mungesat e politikanëve, madje, ajo vetë, nuk i fton më ata, as në raste të veçanta. Sepse nuk dëshiron t’u lutet, por as t’i verë në pozitë të vështirë, sepse secili i ndjen vetë detyrimet e tij. Më tej, Suzana sqaron se ajo do t’i mirëpriste politikanët e të gjitha krahëve, për kujtimin e ditëlindjes së Pjetrit, por ata kanë munguar. “Megjithatë, i jam mirënjohëse Jozefinës, për faktin se ajo i vuri emrin e Pjetrit, sallës së Kuvendit”, shton ajo. Tani fëmijët e Pjetrit, janë rritur dhe kanë marrë një edukim bashkëkohor. Por, ata nuk e harrojnë kurrë, babanë e tyre dhe ndihen krenarë për të. Me këtë rast ne po botojmë të plotë intervistën e fundit që i kemi marrë, Pjetër Arbnorit, në ditën kur ai festoi Krishtlindjet e fundit të jetës së tij. Dhe atë ditë ne kemi zhvilluar me të një bisedë, pikërisht për mënyrën se i festonte ai Krishtlindjet, në burg.

  Si i keni përjetuar Krishtlindjet gjatë kohës kur kjo festë ishte ndaluar të festohej në Shqipëri?

Unë gjatë gjithë periudhës së ndalimit kam qenë në burg. Pra, qysh nga viti ’67 (kur u ndalua besimi fetar) deri në vitin 1999, isha në qeli. Kështu që çdo datë Krishtlindjeje e kam përjetuar në burg. Por edhe atje ne përpiqeshim ta festonim, aq sa mundeshim, pa rënë në sytë e gardianëve.

 Si e festonit?

Në ato rrethana, kur shkonte ora 22:00 çdo shtrëngim dore ishte një inkurajim. Por ne bënim edhe më shumë, duke i ndezur cigaret -me pak koka shkrepësesh brenda- në formën e fishekzjarrëve. Më tej shkëmbenim ushqimet me njëri-tjetrin, duke u munduar që askujt të mos i mungonte racioni i ëmbëlsirës që na vinte nga familjet.

 Ju vetë merrnit nga nëna juaj ushqime të tilla për Krishtlindje?

Po. Nëna ime ishte shumë besimtare dhe gjithmonë më sillte ushqime Ditën e Krishtlindjes. Mbaj mend se më 24 dhjetor të vitit 1972 më lajmëruan të merrja enët e burgut për të mbledhur ushqimet e nënës. Atje kishte edhe bakllava, edhe miell, edhe cigare, edhe fruta (vishnjë). Por atë ditë nëna më kishte sjellë edhe një pulë. Kjo pulë u bë shkas që unë kalova disa çaste të trishtuara dhe rrezikova të qëndroja gjithë natën në birucë. Fatmirësisht qëndrova vetëm dy orë.

 Si ndodhi?

Kur polici i burgut, i quajtur Qemal La… (nga Mallakastra), nxori nga trasta ushqimet e nënës sime, ai i kontrolloi ato një për një. Kështu, hapi qesen e sheqerit dhe e hodhi mbi një gazetë. Pastaj hapi qesen e miellit dhe e përzjeu me sheqerin. Më tej hapi peshkun e yndyrshëm dhe e përzjeu me bakllavanë që ishte me sherbet. Të gjitha këto i bënte në mënyrë që të më nervozonte, por unë e mbajta veten, duke i thënë se sheqeri dhe mielli mund të bënin një qull, ndërsa peshku dhe bakllavaja do të shkonin në një vend. Sapo pa pulën, ai e hodhi në një cep të korridorit të burgut dhe pastaj hapi paketat e cigareve, duke thërrmuar disa prej tyre”.

 Përse e bënte këtë?

Ishte pjesë e strategjisë së kontrollit të imët, por ai nuk donte të ma jepte pulën, e cila simbolizonte festimin e plotë të Krishtlindjes në burg. Kur unë e pyeta, ai më tha se, “pula ka kocka dhe me kocka ju armiqtë mund të bëni thika kundër nesh”. Unë i thashë se kockat do t’ia ktheja që t’i numëronte, por ai tha se nuk mund ta bënte dot inventarin e pjesëve të pulës.

 Ç’ndodhi më tej?

Pasi u bind se nuk kishte ndonjë gjë të dyshimtë, ai m’i dha ushqimet dhe unë i ndava me shokët e qelisë. Disave prej tyre ato ditë nuk i kishin ardhur ushqimet, kështu që Krishtlindjen e festuam duke shtrënguar duart në mesnatë dhe duke ndezur cigaret në formë fishekzjarrësh.

 Po në birucë sa herë ju ka qëlluar ta “festoni” Krishtlindjen?

Ndofta dy herë. Bëhet fjalë gjithmonë për vitet ’70 e prapa. Atje ishte ftohtë dhe poshtë kishte vetëm çimento akull. Mua më ndalonin gjithmonë edhe një batanije që ishte planifikuar ose m’i zhvishnin rrobat e trupit. Dhe kjo gjendje vazhdonte për një kohë të gjatë.

 Si rezistonit?

Me besimin te Zoti. Ndërsa, kur ishim bashkë me shokët e qelisë, i këndonim njëri-tjetrit me zë shumë të ulët pjesë që flisnin për lindjen e Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit. E dinim mirë që, nëse na dëgjonin, na priste biruca. Por ishim mësuar me të. Sidoqoftë tani kur e kujtojmë atë kohë na vjen mirë që qëndruam së bashku me besimin tek zoti. Kjo është e rëndësishme, ndërsa të tjerat harrohen. Unë jam krenar për shokët e mi të asaj kohe.