Në Bulqizë, minatorëve nuk u vjen rreziku vetëm nga nëntoka

547
Sigal

Ndërtimet pa leje të ndërtuara nga njerëz që i mbron pushteti po rrezikojnë jetën e qytetarëve

Para dy ditësh në qytetin e Bulqizës ka ndodhur një aksident me pasojë plagosjen e një minatori. Ngjarja nuk ka ndodhur në minierë, por gjatë kohës që ai ecte në rrugë. Shkak janë bërë disa shkallë të ndërtuara pa leje në mes të trotuarit nga pronari i një banese private, e cila ndodhet përpara zyrave të bashkisë. Minatori Baki Bajraktari ka qenë duke ecur në trotuar, sepse në atë moment po zhvillohej një aktivitet i Sindikatës së Minatorëve, ku merrte pjesë edhe Kryetari i Konfederatës, Kol Nikollaj. Duke qenë i përqendruar tek aktiviteti, minatori nuk tregohet i vëmendshëm se, ku po hidhte këmbët. Ai është përplasur me shkallët e nxjerra në trotuar dhe ka rënë në tokë duke dëmtuar kokën. Personat që kanë qenë afër tij i kanë dhënë ndihmën e parë dhe e kanë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Bulqizës, ku sipas mjekëve plaga e marrë nuk ka pasoja për jetën e tij, por gjithsesi, duhet mbajtur nën kujdesin e mjekëve. Kështu minatorëve përveç rrezikut të punës së minierë, ku punojnë në kushte tepër të vështira në nëntokë, tanimë po u shtohet edhe një rrezik tjetër, mbi tokë. E në këtë rast bëhet fjalë për ndërtimet pa leje. Por për ndërtimet pa leje minatorët dhe qytetarët e Bulqizës e kanë ngritur disa herë zërin e tyre, duke theksuar se, janë zaptuar pa kriter, lulishtet dhe trotuaret, por askush nuk i ka marrë në konsideratë këto kërkesa. Dhe ja fakti tregon se, këto ndërtime janë vërtet të ndërtuara në vende jo të përshtatshme dhe që rrezikojnë jetë njerëzish. Qytetarët kanë pohuar për gazetën se, ata shpeshherë e kanë dëgjuar pronarin që ka nxjerrë shkallët e shtëpisë së tij private në trotuar, të mburret se është kushëriri i deputetit të LSI-së dhe për këtë arsye askush nuk mundet që t’ja prishë atë që ka ndërtuar edhe pse është e kundraligjshme. Dhe me të drejtë njerëzit që i mbron pushteti, banorët nuk kanë se çfarë t’u bëjnë.

Luan Qafoku