Në Berat të vdekurit po varrosen në përrua, shirat nxjerrin mbi tokë eshtrat

764
Sigal

SKANDAL/ Shkatërrohen disa varre dhe ngatërrohen kockat, familjarët për t’i rivarrosur duhet të bëjnë ADN-në

Skandal në varrezat e Beratit. Aty edhe të vdekurit nuk po prehen të qetë në banesën e fundit, pasi varret e tyre po bëhen në përruan që kalon pranë varrezave të qytetit, për shkak se nuk ka vende të reja. Para një jave në këtë vend u dëmtuan 60 varre pas rënies së një pishe shekullore, por sikur të mos mjaftonte kjo para tre ditës kur ranë shirat e rrëmbyeshëm, ujërat  e përroit të “Kondasit” kanë nxjerr nga varri eshtrat e dy të vdekurve dhe i kanë marrë me vete. Eshtrat janë parë të përhapura nga roja e varrezave në kohën kur kishte pushuar së rëni shirat. Menjëherë ai ka njoftuar përfaqësuesit e firmës, të cilët në mënyrë urgjente kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë mbledhur eshtrat e të vdekurve që i kishin marrë ujërat me vete. Më pas janë njoftuar familjarët e të ndjerëve për t’i rivarrosur përsëri, por këtu lindi edhe problemi. Eshtrat ishin bashkuar me njëra-tjetrën dhe ishte e vështirë të bëje ndarjen e tyre sipas personit përkatës. Për këtë arsye prej të afërmve është kërkuar bërja e ADN-së dhe më pas të bëhet rivarrosja e tyre.

S’ka vende

Kjo gjendje ka ardhur pasi në varrezën e “Suelas”-it nuk ka vende për të varrosur të vdekurit. Për këtë arsye firma ka varrosur të ndjerët në hapësirat e përroit dhe në rrugicat e varrezave. Lajmin e bënë të ditur për gazetën “Telegraf”, përgjegjësi i varrezave, Asim Sulka, i cili ka thënë se në varreza nuk ka më vende të lira për të varrosur të vdekurit dhe se kërkon në mënyrë urgjente vende të reja. “Jemi të detyruar që të vdekurit t’i varrosim në rrugicat e varrezave dhe në përruan, i cili ndodhet ngjitur me sipërfaqen e varrezave. Kjo gjendje ka arritur deri në këtë pikë pasi shteti nuk ka bërë shpronësimin e tokës. Bashkia nuk ka lek të blejë tokë. Ne si firmë jemi të detyruar të shfrytëzojmë këto vende që ju përmenda si një zgjidhje emergjente. Por nga shirat që ranë ditët e fundit ujërat nxorën në sipërfaqe eshtrat dhe i morën me vete. Ky është një skandal dhe ne jemi të vetëdijshëm për të, por nuk e kemi neve në dorë. Disa herë firma jonë e ka ngritur si shqetësim në bashki, madje dhe pranë Qeverisë, se në varrezat “Suelas” në Berat nuk ka sipërfaqe tokë për të varrosur të vdekurit, por askush nuk do t’ja dijë për këtë fakt”, tha Sulku.