Në Bankën e Shtetit mungojnë edhe 40 milionë $

48

Skandali i Bankës: Sherret për Guvernatorin e ri dhe  mungesa e mbi 33 milionë dollarëve të fshehura në shtetin, ku janë prodhuar

Skandali më i fundit që ka mbërthyer sistemin tonë bankar duket se ka marrë përmasa skandaloze dhe  po trondit seriozisht reputacionin financiar të bankave në vend.  Deklarata e Ardian Bitrajt se vjedhjen e 7.13 milionë dollarëve, e  bëra  “i  vetëm”, duket si një justifikim prej ordineri. Më vonë, kur ky person deklaroi se, “këto para i prisha në lotaritë sportive”, e rritën edhe më shumë  gënjeshtrën, e cila dalëngadalë dukej se po vetëdemaskohej.  E vetmja gjë që mund të pranohet nga deklaratat e para, por edhe nga gjithçka është folur lartë e poshtë, ka të bëjë me faktin se ai denoncoi veten nga frika e ekzekutimit. Kjo frikë i’u shtua dhe u bë prezente pikërisht në momentin kur grupet mafioze të paguara mirë dhe me suport politik dhe shtetëror ekzekutuan  Kryebankierin e Credins, Artan Santo. Ndoshta,  këtu ekziston një lidhje e fortë, pasi i ndjeri Santo ishte mik dhe bashkëqytetar (Elbasani) me Fullanin, madje, nga e njëjta lagje (Kala). Sigurisht, ne sot nuk do marrim në analizë faktin se 7.13 milionë dollarë apo 7 .3 miliardë lekë, të cilat nuk mund të dalin  as me xhepa dhe as me poture të mbushura. Ato kanë dalë me mjete, madje, flitet se janë transportuar me mjete të parave dhe janë lënë diku në një nga bankat e nivelit të dytë dhe atje janë  zhdukur. Ndërkohë që, kjo bankë, kur ka sjellë mbrapsht këto para, në vend të thasëve me lekë ka futur  libra, që më vonë kanë mbushur kutitë e magazinës së stokut.   Gjithsesi, këto janë objekt hetimi i organit të akuzës, i cili mesa duket ka nisur të dorëzohet, pasi paratë e prodhuara dhe ato të asgjësuara nuk kanë numër serial. Këtu nis edhe marrëzia e vjedhjes dhe e grabitjes në grup dhe me paramendim. Si ka mundësi të asgjësosh paratë dhe ato të mos jenë të regjistruara? Po paratë e prodhuara dhe të ruajtura në magazinat stok përse nuk janë regjistruar? Sigurisht, këto e kanë një përgjigje, e cila nuk ka të bëjë me grabitjen e Ardian Bitrajt, sepse kjo grabitje bashkë me të tjerat ka kapur një shifër që nga ekspertë të Bankës Qendrore, por të larguar nga puna, arrin në rreth 40 miliardë lekë (rreth 40 milionë$). Gazeta “Telegraf”, nga burime tejet konfidenciale, që në ditën e dytë të “vetëdenoncimit të Bitrajt”  ka bërë publike këtë shifër, e cila mund të jetë edhe më e madhe nëse hetimi do shtrihet ndër vite. Ajo që të bie në sy dhe që tashmë është një fakt i vërtetë është shifra marramendëse e grabitjes . Një pjesë e kësaj shifre ka përfunduar në xhepat (kesh) dhe llogaritë e politikanëve aktualë jashtë vendit. Ndoshta, Ministria e Brendshme duhet urgjentisht të verifikojë pasaportat shqiptare, pasi ka pushtetarë që përdorin pasaporta me identitet të rremë dhe me këtë identitet kanë regjistruar milionat në bankat e Europës Qendrore dhe ishujt e Paqësorit. Por fakti më tronditës nuk është ky, që diskutuam dhe që kush më shumë e kush më pak i ka dëgjuar. E paimagjinueshmja ka të bëjë me atë që, edhe vetë Prokuroria shqiptare as që e kishte menduar që paratë e magazinave të stokut nuk janë të regjistruara. Po mirë ato që janë për asgjësim dhe dalje nuk i kanë regjistruar, po ato që janë bërë hyrje nga vendi i prodhimit (Zvicra), përse nuk janë regjistruar me numër serie. Pikërisht këtu, qëndron edhe marrëzia dhe abuzimi me miliardat që janë djersa dhe gjaku i shqiptarëve. Flitet se një pjesë e parave që kapin shifrën rreth 40 miliardë lekë ose 40 milionë dollarë, janë strehuar në Zvicër, te njerëz të besuar të agallarëve të Bankës së Shtetit tonë, ndërkohë që, në Bankën e Shqipërisë është bërë hyrje fiktive. Këto para, të cilat duhej të figuronin faktikisht në procesverbalet e magazinës së stokut, janë zëvendësuar me paratë e mbledhura gjoja për asgjësim. Kjo është arsyeja që të dyja llojet e parave si ato që duhej të asgjësoheshin, edhe ato që janë prodhuar të reja, nuk janë regjistruar me numër serie, sepse do të kapeshin shumë kollaj nga organet e hetimit. Ndaj, paratë që duhej të asgjësoheshin nuk janë djegur, por janë hedhur në tregun shqiptar për të zëvendësuar paratë që janë lënë në vendet e sigurta në Zvicër. Këto para të lëna fillimisht në vende të sigurta jashtë, janë sjellë pjesë -pjesë në Shqipëri, ku janë hedhur në treg apo janë konvertuar në valutë. Në këtë mënyrë gjërat janë lehtësuar, pasi një shifër e tillë, afërsisht 40 milionë $ do të donte vite të tëra të nxirreshin nga Banka, edhe sikur gjithçka të kalonte  në qetësi. Gjithsesi, i takon organeve të hetimit, Prokurorisë, Krimit Ekonomik dhe KLSH-së, të zbardhin të vërtetën, e cila ka shumë pak gjasa të zbulohet sepse  “rojtarët” që i ruajtën kanë ditur, edhe të fshehin mirë gjurmët.  Shprehja e popullit që  thotë “vidhe vetëm nëse di të fshehësh”, është më kuptimplote se kurrë në rastin e skandalit të “Bankës Fullani”.