Në 25 vite, pushteti lokal ka dhënë 11 mijë tituj “Qytetar Nderi” dhe 1900 “Çelësa Bashkie”

553
Megjithëse tre nismat krerëve të tre partive politike PD, PS e PDIU janë bashkuar në një “linjë”, duke kërkuar heqjen e dekoratave të dhëna prej ish-regjimit komunist deri në vitin 1991, thuhet se “rrezja” e veprimit do të zgjerohet edhe me heqjen e titujve të dhënë nga njësitë e pushtetit lokal si bashkitë, komunat dhe këshillat e qarqeve, të cilët kanë akorduar tituj të tillë si “Qytetar nderi”, “Nderi i qytetit”, “Nderi i komunës”, “Simboli i qytetit”. “Mirënjohja e Qytetit” dhe “Nderi i Qarkut”. Natyrisht që këto tituj janë dhënë nga këshillat bashkiakë dhe duhet ligj për t’i hequr, mbasi përbëjnë akt-shtetëror! Këto tituj janë dhënë në zbatim të ligjit Nr. 112/2013 “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendor të nderit në Republikën e Shqipërisë” (Ndryshuar me ligjin nr. 10/2015, datë 19. 2. 2015). Titujt “Qytetar Nderi” dhe “Nderi i Qarkut”, u jepen personaliteteve shqiptare ose të huaj për veprimtari të shquar në dobi të bashkisë e qarkut përkatës, ose për veprimtari për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre. Në këto 25 vite, ka plasur epidemia masive, sa banale, aq edhe komike e dhënies së titujve “Qytetar Nderi” dhe “Nderi i Qarkut” edhe për njerëz anonimë, për familjarë të gjallë e të vdekur të kryetarëve të bashkive e komunave, të prefektëve, të anëtarëve të këshillave bashkiakë e të qarqeve, si dhe janë dhënë tituj për drejtorë, ministra, deputetë, kryetarë partie qendrorë e lokalë, për biznesmenë e prindër të tyre, për këngëtarë tallavaje e deri për ish-pasticierë, taksistë e roje shkollash! Sipas të dhënave nga (ish) Ministria e Pushtetit Lokal, rezulton se në këto 25 vite, nga të gjitha bashkitë, komunat dhe këshillat e qarqeve, janë dhënë 11 mijë e 213 tituj të tillë si “Qytetar Nderi”, “Nderi i Qytetit”, “Nderi i Komunës”, “Simboli i Qytetit”. “Mirënjohja e Qytetit” dhe “Nderi i Qarkut”. Sipas informacioneve, 15% e këtyre titujve u janë dhënë shtetasve të huaj dhe shqiptarëve të diasporës. Pjesa tjetër u është dhënë shtetasve shqiptarë me banim në Shqipëri, në listat e të cilëve, thuhet se 70% janë ish-funksionarë të lokalë partiakë e shtetërorë të ish-regjimit komunist, madje edhe ish-anëtarë të Komitetit Qendror e Byrosë Politike të PPSH, ish-shefa sigurimi, gjykatash, burgjesh, hetuesie, policie, Fronti Demokratik, komitetesh internimi, ish-deputetë e ministra të para vitit 1991. Po kështu, sipas të dhënave rezulton se janë edhe 1900 “Çelësa Bashkie”! A do të bëhet ligj që të hiqen edhe këta tituj, nëse janë dhënë për persona si ata të dekoratave të dhëna nga pushteti qendror? A do të rikthehen edhe këto “çelësa”?!
Sigal