Ndryshohen drejtorët e SHÇBA në ministrinë e brendshme

720
Sigal

Ristrukturim organizativ në SHÇBA, ndryshohen drejtorët

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave,  institucioni që ka si detyrë funksionale monitorimin e drejtpërdrejtë të punës së organizatës së policisë po i nënshtrohet një ristrukturimi të plotë jo vetëm organizativ por dhe përmbajtësor. Pas emërimit në detyrë të Muhamet Rrumbullakut në muajin Janar ka nisur ndryshimin në postet drejtuese. Zyrtarisht mësohet se drejtuesit e 6 drejtorive rajonale po zëvendësohen. Arben Frashëri, i cili më herët mbante detyrën e drejtorit rajonal të SHÇBA është shkarkuar nga detyra, duke u emëruar në një pozicion më të ulët si përgjegjës sektori në Fier. Në vend të tij është emëruar Arben Caka, një bashkëpunëtor i vjetër i Z. Rrumbullaku. Me një karrierë të gjatë në policinë e shtetit Arben Caka deri tani punonte në akademinë e policisë. Caka ka qenë nën varësinë e Muhamet Rrumbullakut në vitin 2008, kur ky i fundit ishte drejtor i policisë së kryeqytetit. Në atë kohë ka mbajtur detyrën e Shefit të Seksionit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Sipas të dhënave zyrtare, bëhet me dije se ndryshimet e tjera do pasojnë në ditët në vijim me qëllimin e vetëm rritjen e performancës së këtij institucioni dhe nxjerrjen nga agonia dhe ineficenca e deritanishme. SHÇBA pritet që me ndryshimet e reja në ligj të marrë si kompetencë dhe vettingun për nivelin e mesëm dhe bazë të policisë së shtetit.