Ndryshimi i vendbanimit, 48 orë afat për qytetarët

1369
Radhë të gjata dhe paqartësi në zyrat e gjendjes civile. Përtej 28 korrikut do të nisë aplikimi i gjobës 10 mijë lekë
Qytetarët kanë edhe 48 orë kohë për të bërë zhvendosjen e gjendjes civile në zonën apo qytetin ku jetojnë. Pas 28 korrikut, qytetarët që nuk përputhin vendbanimin me gjendjen civile do të gjobiten me 10 mijë lekë. Në një intervistë televizive, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, tha se kjo vlerë do të vilet në momentin më të parë kur banori të kërkojë certifikatën apo vërtetim lagjeje. “Në momentin që ai do të paraqitet në sportel me dokumentin e pronësisë të shtëpisë, nëse nuk përmbush detyrimet ligjore që brenda 30 ditëve dokumenti i pronësisë të shtëpisë të jetë i lëshuar nga organi kompetent, atëherë shtetasi do të bëhet subjekt i masës administrative, gjobë”, tha kreu i Gjendjes Civile. Gjithashtu, kreu i gjendjes civile përsëriti edhe një herë dokumentet e nevojshme për të bërë ndryshimin e vendbanimit. “Janë vetëm dy dokumente që një shtetas që duhet të paraqes si student, qiramarrës, pronar i shtëpisë apo si çdokush tjetër. Eshtë ose kontratë qiraje në rastin e qiramarrësit ose kontratë sipërmarrje në rastin e porositësit që ka porositur një objekt një banesë e cila ka mbaruar dhe nuk është hipotekuar, ose certifikatë pronësie. Kemi futur dhe një element tjetër duke ditur që një numër shtetasish kanë banesa në proces legalizimi, kemi futur vërtetim nga drejtoria përkatëse e ALUIZNI-t”, shpjegoi Doracaj. Në të njëjtën kohë, Doracaj nuk pranoi të komentonte idenë e shtyrjes së afatit përtej 28 korrikut, në kushtet kur për këtë duhet bërë edhe një ndryshim ligjor. “Nuk mund të themi sot sa e realizueshme është shtyrja e afatit. Ajo që ne mund të themi sot është sa e rëndësishme është zhvendosja e gjendjes civile atje ku banojnë aktualisht”, u shpreh ai. Sipas një vëzhgimi të “Telegraf”, gjatë ditëve të fundit, në zyrat e gjendjes civile janë vënë re radhë të gjata qytetarësh, të cilët pretendojnë edhe për mungesë informacioni lidhur me mënyrën e procedimit. Krahas procedurave të përmendura edhe nga drejtuesi i gjendjes civile, në administratën vendore kërkohej edhe “ndalimi” fillestar në zyrën e urbanistikës. Aty qytetarët ishin të detyruar të tërhiqnin dhe plotësonin një formular dhe më pas të ndiqni radhën e dorëzimit të dokumenteve. Disa prej qytetarëve mbeteshin të paqartë nëse dokumentet që duhej të dorëzonin kërkohej të noterizoheshin apo jo. Kjo bënte që shumë qytetarë të riktheheshin në zyrat e gjendjes civile për të dorëzuar dokumentet. Në të njëjtën kohë, edhe mbërritja e emigrantëve gjatë muajit korrik duket se e ka bërë edhe më të vështirë procesin, për rrjedhojë qytetarët kërkonin që ky afat të shtyhet përtej 28 korrikut.
Sigal