Ndryshimet klimaterike janë shumë më të ndjeshme në Shqipëri se vendet e rajonit

1859
Sigal

Flet Prof. Niko Pano, kryetar i shoqatës “Mbrojtja dhe Ruajtja e Ujërave të Shqipërisë”: Ja pse ndodhin përmbytjet në jug

Ditët e fundit, jugu i Shqipërisë po kalon një situatë të vështirë për shkak të reshjeve të shumta të cilat kanë sjellë përmbytje dhe shumë dëme materiale. Me gjithë masat e shumta administrative të shtetit, dëmet janë të pallogaritshme. Lind pyetja: Pse kanë ndodhur përmbytjet në jug? Sipas dy specialistëve më të mirë të  burimeve hidrike, shkaqet janë të shumta por që zgjidhja kërkohet në shkencë dhe jo vetëm në masat administrative. Sigurisht që qeveria po merr masa të mira, por janë të pamjaftueshme, pasi problemet janë të mbartura theksojnë specialistët. Vendi ynë është një vend me reshje të shumta, ndër vendet me reshje më të mëdha në Europë dhe përmbytjet do të jenë gjithmonë prezent, por nga ana tjetër, për 25 vjet janë prishur shumë kolektorë, hidrovorë, delta të lumenjve, sikundër janë bërë ndërtime dhe në zona ujëmbajtëse. Por kryesorja është që në 25 vjet demokraci nuk është ndërtuar asnjë kaskadë e re si e Fierzës që të pengojë përmbytjet. Ja si shprehen dy specialistët e mirëfilltë për gjendjen në jug

  Reshjet problemi i ditës në Shqipëri ku kemi përmbytje dhe dëme të mëdha materiale. Nga se kanë ardhur këto dëme?

 Arsyet janë të shumta. Kemi lartësi mesatare të madhe të relievit,  intensitet të madh reshjesh dhe reliev të thyer. Nuk po ndërtojmë kaskadat e tjera në Devoll, Vjosë Shkumbin që kështu me këto projekte frenojmë prurjet maksimale. Jemi shumë të ekspozuar ndaj reshjeve. Por, ky problem nuk zgjidhet vetëm me masa administrative, situata duhet menaxhuar shkencërisht dhe jo vetëm administrativisht. Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mjedisit, dhe ajo e Energjetikës duhet të bëjnë një plan shkencor, pasi projektet për kaskadat janë gati. Pse kanë ndodhur përmbytjet në jug? Sepse Shqipëria ka një potencial të lartë hidrik, madje jemi vendi me potencial më të lartë, më të madh në Europë, Ne kemi modulin e rrjedhjes 30 metër në sekondë për kilometër katror, nga më të lartat  në Europë, ku reshjet shkarkojnë 1308 metër kub ujë në sekondë. Kemi variacione të mëdha gjeofizike, d.m.th, prurjet në dimër janë shumë të larta, dhe e dyta ka variacione ndaj ciklit 100-vjeçar. Pra kemi një potencial ujor shumë të fuqishëm, por shumë delikat, shumë aristokrat. Atëherë ndryshimet klimaterike janë shumë më të ndjeshme në Shqipëri se vendet e rajonit por do të jenë akoma më të ndjeshme në të ardhmen. Prandaj nëse hidroekonomia shqiptare nuk do mbështet në shkencë, por do të mbështetet vetëm në administratë dhe në masa administrative si kanale, hidrovore, kullime (pra nëse nuk do të menaxhohet shkencërisht) problemet do të jenë edhe më serioze. Jam shumë dakord me masat e qeverisë, ato janë të domosdoshme dhe efikase, por janë shumë të përkohshme. Ne duhet të jemi shumë më të ndjeshëm ndaj impaktit të ndryshimeve klimaterike, pasi jemi shtet me potencial të madh ujor. Reshjet në Shqipëri arrijnë nga 450-500 mlm në vit. Pra ka një shkarkim të jashtëzakonshëm të reshjeve të cilat sjellin prurje të mëdha. Ndaj shkenca shqiptare duhet ti dali zot, dhe ta menaxhojë hidroekonominë shqiptare. Është normale që vendi ynë është i ndjeshëm nga këto dukuri. Dhe baza e këtyre problemeve sot është impakti i ndryshimeve klimatike. Por ne nuk po shfrytëzojmë kapacitetin hidroenergjetik të vendit.

 Si do ti cilësonit prurjet e lumit Vjosa?

 Vjosa e ka prurjen maksimale në 100 vjet  4450 metra kub ujë në sekondë. Volumi i prurjes maksimale, të plotë, është 888 milion metër kub ujë. Kjo prurje e plotë vazhdon 5-6 ditë. Aftësia ujëheqëse, ujë thithëse, e lumit drejt detit është 2500 metër kub në sekondë, që kështu, gati 2 000 metro kub ujë dalin jashtë shtratit dhe bëjnë përmbytjet. Është shqetësuese, por kjo situatë dëmin më të madh e sjell në zonën e bregdetit dhe që e degradon atë.

 Si degradohet dhe cila është kjo zonë që degradohet?

 Zona e degradimit nga këto reshje është nga Zvërneci deri në derdhjen e Semanit. Ky degradim që ndodh, e ka kthyer tokën në të pashfrytëzueshme. Kështu  krijohet difuzioni i kripës, sepse uji i kripur me ujin e ëmbël përzihen. Është e papranueshme që kjo tokë, kjo hapësirë kaq e bukur, dikur aq pjellore, të mbetet e pa shfrytëzuar për shkak të kripëzimit. Nuk është e pranueshme që grykëderdhja kaq e bukur të lihet në mëshirën e ujit të pa orientuar. Përmbytja degradon territorin, jo vetëm njerëzit.

 Po si mund të rregullohet apo anashkalohet përmbytja?

Prurjet maksimale nuk rregullohen aty ku derdhen, por aty ku formohen, në zonën malore të territoret. Prandaj të ndërtohen kaskadat. Ndërtimi i tyre prodhon energji dhe ruan mjedisin. Dëmtimi i mjedisit, prerja e pyjeve, zhveshja e pyjeve, marrja pa kriter e inerteve, kanë prishur ekuilibrat natyror. Të gjitha këto probleme prishin shtratin e lumit. Deformimi i shtratit të lumit sjell probleme të pallogaritshme.

 Duke u ndalur në këtë pikë…sa është shfrytëzuar kapaciteti hidroenergjetik në vendin tonë?

Mund të them aspak. Përkundrazi, është lënë në mëshirë të fatit. Aktualisht sot në Shqipëri është shfrytëzuar vetëm 30 për qind e kapacitetit hidroenergjetik, që bën një masë shumë të vogël në raport me realitetin. Ne ndoshta jemi vendi që kemi shfrytëzuar më pak se të gjithë burimet hidrike të vendit. Vende të tilla si Zvicra, Spanja apo Franca kanë shfrytëzuar rreth 90 për qind. Pra të gjitha këto tregojnë interesin e lartë që kanë treguar këto vende për energjinë hidrike si një nga ndërmarrjet kryesore për sigurimin e energjisë elektrike.

 Cilat janë lumenjtë më të pashfrytëzuar të vendit tonë?

Lumenjtë më kryesorë ku ne nuk kemi bërë hidrocentrale apo që janë lumenjtë më të pashfrytëzuar, janë lumenjtë e Drinit të Zi dhe lumit Vjosa. P.sh në ish –Jugosllavi, në Drinin e Zi, ka tre hidrocentrale ndërsa ne jemi vendi që nuk kemi marrë asnjë nismë mbi këtë lum me kapacitete hidrike mjaft të mëdha. Por akoma më shumë është lumi Vjosa, i cili mund të themi se nuk është shfrytëzuar fare. Ato hidrocentrale të vegjël që janë bërë mbi Vjosë janë fare të papërfillshëm.

**************

Akademik Farudin Hoxha: Rrënjët e pemëve e bëjnë të patundur tokën. Toka rri në krye

 Në një intervistë të zhvilluar vitin e kaluar me akademik Farudin Hoxha, për problemet e përmbytjeve shprehet:

 -Mbeturinat e spitaleve të Gjirokastrës janë në lumin Drino dhe bëhen burim sëmundjesh

-Janë prishur argjinaturat, hidrovoret, deltat e lumenjve janë devijuar dhe janë bërë ndërtime në fusha

– Kaskadat lehtësojnë përmbytjet, ato mbajnë nën kontroll disa mijëra metra kub ujë.

 Kush janë lënë në mëshirë të fatit në Shqipëri, cilat rezerva natyrore? 

Pyjet. Pyjet janë metalurgji prodhimesh. Sa kalon Qafë-Thanën dhe futesh në Maqedoni është natyrë tjetër. Sepse çdo zonë ka rojtarët e vet. Kjo varet nga mirëmbajtësit e pyllit. Ata kanë mirëmbajtje të çdo peme me numër. Pylli është një kombinat i madh pa fund. Pylli ka mishin dhe lëkurën e kafshëve të egra pa fund, si derrin, kaprolli, dhelprën. Në Lezhë ka pasur derra të egra pa fund dhe tani aty nuk janë më sepse filluan të presin pyllin.

– Prerja e këtyre a ka ndikuar shumë në Shqipëri? 
Ka ndikuar në pyje. Toka është një betonarme. Rrënjët e pemëve e bëjnë të patundur tokën. Toka rri në krye. Pylli nuk është vetëm që e bën zero erozionin. Pylli është një rezervuar i madh i lagështisë dhe i ujit. Në vendet ku ka pyje, në behar vazhdon e rrjedh uji. Pylli është një kompleks industrial që ka disa uzina dhe disa fabrika. Duke filluar nga kërpudhat, që nuk shiten në Shqipëri, ndërsa në vendet e perëndimit ato janë me shumicë. Aty ku ka pyje ka reshje. Pyjet në zonat tona malore janë të zhveshura.

– Po lumenjtë e jugut janë më të pastër se sa të Shqipërisë së mesme?
Ndotja ka filluar në të gjithë Shqipërinë. Mbeturinat e spitaleve të Gjirokastrës janë në lumin Drino. Dhe thonë kush futet në lumin Drino, njerëzit janë mbushur me plagë dhe janë shtruar në spital. Për këtë, emisionet televizive duhet të kenë një propagandë të paktën dy orë në ditë. Këto nuk janë vetëm edukuese por kanë edhe sensin shkencor brenda.

 -Pse kanë ndodhur shpesh përmbytje në veri?

Pasi janë prishur argjinaturat, janë prishur hidrovoret, deltat e lumenjve janë deformuar, devijuar nga ndërtimet dhe janë bërë ndërtime në fusha ku dihet që bëhen përmbytje. Po të eliminohen këto për disa ditë rregullohet çdo gjë.

 –         Pse ndodhin sot përmbytja dhe nuk ndodhnin në kohën e diktaturës? 

I shpjeguam më lart. Por në veri tokat nuk i përmbysin hidrocentralet. Njerëzit disa herë i interpretojnë gabim ngjarjet. Duhet të jemi realist. Hidrocentralet nuk mund ta mbajnë të gjithë këtë ujë që bie. Ku ta çojnë? Po sikur të mos ishin këto hidrocentrale, ku do të shkonte ai ujë? Kur vjen periudha me shumë shira, kaskadat nuk kanë ku e çojnë ujin e tepërt dhe e shkarkojnë dhe bëhen përmbyten. Përmbytja më e madhe është bërë në vitin 1962 ku erdhën 5500 metër kub. Uji i Drinit nuk vjen vetëm nga Shqipëria, vjen nga 48 mijë km katror tokë që rrjedh ujë në territorin shqiptar. Këtu formohen edhe prurjet e mëdha. Kur shkrin bora, është e paevitueshme që do të kesh prurje të mëdha. Kaskada lehtëson përmbytjet. Merr dhe mban dhe disa mijëra metra kub ujë.

–         Po vendet fqinje, Maqedonia apo Greqia a kanë hidrocentrale të këtyre përmasave? 
Asnjë nga vendet që janë rrotull nesh nuk ka më shumë se sa ne hidrocentrale apo të këtyre përmasave. Mali i Zi ka disa, ndërsa shumë vende të tjera përdorin TECET me qymyr. TEC-i është si soba, po nuk i fute dru, ftohet soba. Edhe TEC-in duhet ta mbushësh vazhdimisht që të prodhojë energji elektrike. Por ka shumë ndotje. HC-i është i pastër.

– Janë më ekonomik TEC-et? 
Asnjëherë, ato prodhojnë gaz karbonik për të cilët është e ndaluar. Që të kesh TEC- in duhet të kesh edhe qymyr. Mbeturinat e TEC-eve duhet vend se ku ti hedhësh. TEC-et nuk janë ekologjik por janë ndotës të mëdhenj. TEC-et duan fuqi të madhe punëtore.

–         ******************

Flet Prof. Ago Nezha
Situata është tepër e vështirë, tejet e dhimbshme, me gjithë masat që po merr qeveria. Këto janë probleme të mbarsura për 25 vjet, ku nuk është punuar me strategji për të përballuar situata të tilla. Në këto 25 vjet, Shqipëria është lënë në mes të katër rrugëve, si mall pa zot.
Këto përmbytje kanë ardhur sepse:
-Janë prishur të gjitha argjinaturat dhe kanalet e dyta dhe të treta të kullimit të ujërave në tokat e punueshme.
-Janë prishur thuajse të gjitha stacionet hidrometereologjike, të cilat paralajmëronin situata të tilla.
-Lumenjtë kanë devijuar nga shtretërit, si rezultat i ndërtimeve dhe marrjes së inerteve pa llogari, dhe si zor që këto shtretër të mund të disiplinohen më.
-Brezat pyjorë që ishin mbjellë për luftë kundër erozionit (gërryerjeve), janë prerë dhe shkatërruar në mënyrë të përbindshme.
-Pyjet nëpërmjet rrënjëve të pemëve thithin 70 % të ujit, që tashmë kalon në gjendje të lirë, pa pengesë.
– Janë prishur hidrovoret dhe të gjitha kolektorët.
Çfarë do të ndodhë pas këtyre përmbytjeve?
Tokat e përmbytura nuk do të jenë në gjendje pjellorie natyrale, mikroelementet kanë shkuar në det dhe toka nuk do të mund të rigjenerohet.
-Riaftësimi i tokës për prodhim, kur uji qëndron për ditë të tëra mbi tokë, do kohë të riaftësohet.
-Detyrë e shtetit është që në mbjelljet e pranverës duhet të investojë për fermerët me plehra kimikë, që të riaktivizojnë pjellorinë e tokës.

Arben Progonati