Ndotja skandaloze shkarkon kreun e Mjedisit në Elbasan

1200
Ministria e Mjedisit ka shkarkuar prej 1 jave kreun e Mjedisit në Elbasan, si dhe ka gati largimet e 5 inspektorëve të kësaj agjencie. Nga burimet e sigurta zyrtare nga Ministria e Mjedisit mësuam se “shkaku i shkarkimit të kreut të ARM Elbasan ishte paaftësia e tij, si dhe pazaret e inspektorëve, shkelje ligjore me lejet e mjedisit dhe afera të tjera korruptive”. Ministria e Mjedisit ka në plan të dërgojë për ndjekje penale të gjitha shkeljet ligjore dhe institucionale, që ekipi i verifikimit nga ky dikaster ka konstatuar në qytetin e ndotur, pasojë e neglizhencës së një agjencie e mbushur me të paaftë dhe të korruptuar. Elbasani ka mbi 1 vit e gjysmë që nuk monitorohet nga Agjencia e Mjedisit, ndërkohë që kjo agjenci rajonale ka firmosur dhe vulosur leje mjedisore për dhjetëra e qindra subjekte, të cilat kanë shkelur dhe shkelin ligjet e vendit, duke ndotur dhe shkatërruar bimësinë dhe gjënë e gjallë në krejt zonën. Jo vetëm KURUM, por edhe Uzina e Ferrokromit, fonderitë e shumta që po mbijnë në lagjet e qytetit, furrat e bukës që ndotin me oxhaqet e tyre 2 metrosh pallatet dhe banesat, janë disa prej shkaqeve të cilat janë kthyer në akuza ndaj Agjencisë së Mjedisit në Elbasan dhe 5 inspektorëve, të cilët e kanë marrë rrugën drejt organit të akuzës dhe Krimit Ekonomik. 
Banorët e Elbasanit akuzojnë Agjencinë e Mjedisit
Banorët e Elbasanit, kanë kohë që akuzojnë Agjencinë e Mjedisit si fajtore e gjithë situatës në të cilën ndodhet qyteti dhe mbi 250 mijë banorët e tij. Së fundi edhe lumi Shkumbin ka rezultuar pas reshjeve, si “lumi më i ndotur në Shqipëri”. Sipas matjeve dhe analizave ka rezultuar se “lumi Shkumbin ka rritje të llahtarshme të ndotjes , së pari nga ujërat e zeza të tre qyteteve, si dhe derdhja e produkteve helmuese nga KURUM, Ferrokromi dhe disa fonderi ilegale”. Kjo situatë ka detyruar edhe organet e pushtetit vendor t’i drejtohen Ministrisë Mjedisit, për të ndërhyrë urgjentisht me mjetet e saj ligjore, për të ndëshkuar sipas fajeve dhe shkeljeve ligjore, cilindo që ka shkatërruar mjedisin në Elbasan. Pothuajse gjithë gjatësia e lumit Shkumbin nga Librazhdi deri në Peqin është mbuluar nga qindra mijëra shishe dhe qese plastmase, ndërkohë që nuk mungojnë mbeturinat e tjera që kanë mbuluar qindra hektarë tokë në të dyja krahët e lumit. 
Shkumbini nxjerr në sipërfaqe peshq të ngordhur
Një tjetër shqetësim për shoqatat dhe ambientalistët, qytetarët dhe peshkatarët amatorë, mbetet fakti se prej disa ditësh lumi Shkumbin po nxjerr në sipërfaqen e tij, peshqit e ngordhur si pasojë e ndotjes që shkaktohet nga dora e njeriut, nga derdhjet pa kriter të helmeve dhe lëndëve të tjera toksike, si dhe fekaleve nga qindra fshatra dhe 3 qytetet e qarkut të Elbasanit. Asnjë masë, asnjë penalizim, asnjë gjobitje ndaj shkaktarëve të këtij krimi natyror dhe njerëzor nga ish-drejtuesi ARM dhe inspektorët e tij, të cilët kanë toleruar dhe stimuluar ndotjen masive në tokë dhe ujë, të fushave dhe prodhimeve bujqësore të qindra fermerëve. Disa ditë pas tërheqjes së ujërave të Shkumbinit nga fushat e mbjella të fshatarëve, shihet qartë se kanë mbetur qeset dhe shishet e plastikës, si dhe lloj-lloj mbeturinash të tjera dhe deri tek copat e metaleve me ngjyra që derdhen në krejt shtratin e lumit. Banorët shprehen se “metalet me ngjyra mund të jenë edhe nga mbeturinat e hedhura nga kamionët e ushtrisë, repartet e Ministrisë Mbrojtjes, nga demontimet e bëra 2 muaj më parë buzë lumit”. Edhe urat e Shkumbinit janë dëshmitare të asaj katrahure që ka ngjarë me mjedisin në Librazhd, Elbasan, Peqin dhe dhjetëra fshatrat e këtyre tre qyteteve. 
Ndotja, jashtë të gjitha normave të lejuara
Ndotja në Elbasan ka kapur majat ndërkohë që krejt stafi ARM ishte dhe mbetet plotësisht jashtë çdo angazhimi profesional e ligjor, duke krijuar dhjetëra vatra, për të cilat do të duhet një punë e madhe për t’i pastruar dhe kthyer në gjendjen e mëparshme. Pavarësisht se me vonesë, Ministria e Mjedisit, i ka marrë seriozisht denoncimet e qytetarëve të Elbasanit, denoncimet e organeve të pushtetit vendor, duke kryer me të drejtë një “reprezalje” ose ndëshkim ligjor në strukturën anti-mjedisore të këtij qyteti, duke shpresuar se do të rikthehet normaliteti institucional dhe profesional i munguar prej afro 3 vitesh. Qytetarët e Elbasanit meritojnë një agjenci mjedisi të specializuar dhe jo të paaftë, një staf inspektorësh të angazhuar dhe motivuar profesionalisht dhe jo militantë partie, të cilët nuk i ka lidhur dhe nuk i lidh asgjë me mjedisin. Ky qytet kërkon specialistë të mjedisit, të cilët nuk i mungojnë dhe jo ish- të papunë e hallexhinj, që firmën e parë në bordero e vunë kur morën rrogën e parë tek ARM.
Sigal

Alma JONUZI