Ndotja e lartë, bllokohet tregtimi i mishit në merkaton e Beratit

175

Flet për “Telegraf”, prefekti, Bujar Hoxha: “Krijuam grupin e Task-Forcës, pasi rrezikohej jeta e konsumatorit”

Prefekti i Beratit, z. Bujar Hoxha, pas një kontrolli të ushtruar nëpër njësit tregtare, u ndal veçanërisht atje, ku tregtohet mishi dhe nën produktet e qumështit. Nga kontrollet e ushtruara nga grupi i kontrollit që u ngrit nga prefektura ka rezultuar se shumë therje mishi kryhen rrugëve dhe në markatë. Pas këtij konstatimi prefekti Hoxha ka urdhëruar bllokimin e merkatos, e cila ishte tejet e ndotur, ku edhe shumë therje kryheshin jashtë kushteve higjieno- sanitare. Për marrjen e masave z. Hoxha ka kryer një takim me drejtues të spitalit, drejtorisë së Higjienës, Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, Drejtorisë së Bujqësisë si dhe me kryetarët e bashkive. Pas bërjes presente të gjendjes aktuale që shumë therje bëhen nëpër rrugët e qytetit dhe në markatë jashtë të gjitha kushteve, higjieno- sanitare prefektura ka ngritur një Task-Forcë për të parandaluar përhapjen e epidemive. Ky grup pune do të kalojë në “sitë” të gjitha subjektet që tregtojnë mish dhe ushqime të ndryshme. Në një prononcim për gazetën prefekti Hoxha është shprehur se, një nga problemet që ende vazhdon të jetë prezentë është thertorja dhe tregtimi i mishit në ambiente që nuk respektojnë kërkesat e ligjit. Ky takim ka për qëllim ndjekjen rigoroze të zinxhirit të prodhimit, therjes dhe tregtimin e mishit te konsumatori. Nga informacionet zyrtare në Qarkun e Beratit, mësohet se të gjitha therjet kryhen në vende të ndotura, ku krijohet një rrezikshmëri e madhe për përhapjen e epidemisë. Prefekti Hoxha ka kërkuar urgjentisht nga grupi i Taks-Forcës që të marrë masa të menjëhershme për bllokimin e shumë pikave të tregtimit të mishit dhe ushqimeve të ndryshme, të cilat nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe ato higjieno- sanitare.

Kushtet skandaloze

Prefekti i Beratit, Bujar Hoxha është shprehur se, gjendja më skandaloze është në merkaton e Beratit, një gjendje, e cila kërkon zgjidhje të shpejtë. Mënyra e tregtimit të mishit në këtë ambient është i gjerë, por mungojnë shumë elementë të kërkesave ligjore që krijojnë kushte të favorshme për infeksion në produktet e mishit dhe nënproduktet e qumështit që tregtohet shumë pranë tyre. Për këtë gjendje, Prefektura ka bërë bllokimin e markatës. Një problem tjetër që kërkon zgjidhje është informimi për vaksinimin e bagëtive, në zonat e prekura apo vatra të sëmundjeve infektive si plasja, bruceloza etj..