Ndotja e bregdetit, durrsakët i braktisin plazhet e tyre

1160
Sigal

Shkojnë për pushime në bregdetin jugor të vendit ose jashtë Shqipërisë

Ndotja e afro 90 për qind të bregdetit në Durrës, nga mbeturinat inerte dhe ato organike, vazhdon t’i detyrojë  banorët e këtij qyteti, të prenotojnë pushimet e tyre në plazhet e jugut apo edhe në ato fqinje. Zonat më të ndotura mbeten Currilat, me mbingarkesë bakteriale, në rërë dhe ujin e detit, plazhi publik,  por edhe zona nga plepat deri tek Shkëmbi Kavajës. Gjithashtu, problematike mbetet situata edhe në zonat e tjera në veri të bregdetit durrsak. Edhe pse sezoni veror tashmë ka nisur të mbushë plazhin me pushues dhe turistë, qytetarë nga Durrësi vazhdojnë t’i drejtohen plazheve të detit Jon për të kaluar pushimet e verës, apo preferojnë guidat e agjencive turistike për t’i kaluar ato jashtë shtetit. Janë mijëra banorë të këtij qyteti, të cilët kanë vite që nuk preferojnë më plazhet e rajonit të tyre duke preferuar plazhet e jugut të vendit tonë apo plazhet e huaja, kryesisht të Malit të Zi, Turqisë, Egjiptit apo të ndonjë vendi tjetër. Janë disa shkaqe që i kanë detyruar durrsakët të bëjnë këtë zgjidhje. Të tilla janë kakofonia urbane, numri i dendur i plazhistëve në rërë, papastërtitë në det, ndotja akustike si dhe probleme të tjera, që i kanë detyruar këta banorë të braktisin bregdetin e tyre dhe të kërkojnë komoditetin larg tij.

Turistët nga Durrësi

Gjatë muajit gusht, i cili konsiderohet edhe si piku i pushimeve, kanë zgjedhur të prenotojnë  pushimet jashtë vendit, me agjencitë turistike kryesisht në Ohër, Ulqin e Strugë,  mbi 5000  banorë të Durrësit. Ata nuk kanë kursyer për pushimet e verës. Kjo statistikë vlen vetëm për ata që kanë kontaktuar me agjencitë turistike, pasi ekziston edhe një numër i madh turistësh, të cilët i kanë kaluar ditët e pushimit në plazhet e Malit të Zi në Ulqin dhe Budva e që nuk kanë pasur nevojë t’u drejtohen agjencive turistike vendase për ndihmë. Numërohen edhe disa mijëra të tjerë, që tashmë e kanë bërë traditë kalimin e pushimeve verore në jug të vendit nëpër plazhet joniane. Madje shumë prej tyre kanë blerë shtëpi në Vlorë, Himarë, Orikum, Dhërmi, Pogradec a gjetkë, duke braktisur kështu përfundimisht plazhet e bregdetit të tyre. Ndërsa bregdeti i Durrësit ka 20 vjet që preferohet nga bashkëpatriotët tanë prej Kosove dhe Maqedonie. Kjo ngjet pasi çmimet e këtushme janë mjaft të lira në krahasim me të gjitha plazhet e tjera.

Shkaqet e largimit

Shkaqet tashmë dihen, ndotja, infeksionet që marrin çdo vit pushuesit dhe turistët sa herë  kalojnë ditët e tyre në detin dhe rërën, e cila vazhdon të mbingarkohet me flukse bakteriale. Banorët e Durrësit, të cilët kanë këmbyer bregdetin e tyre me vijën detare të Jonit apo të plazheve turke, malazeze, të Egjiptit apo të Kroacisë, e kanë justifikuar këtë vendim me problematikën që ekziston në bregdetin, ku kanë lindur. Plazhi i Durrësit tashmë është një plazh masiv, ku rregullat e turizmit janë shkelur me kohë. Një dhomë në Durrës kushton 4 deri 5 herë më lirë se në jug të vendit e kjo, se plazhi tashmë konsiderohet një lagje masive. Në këtë pjesë të bregdetit ka mbingarkesë në ndërtime, qetësia është prishur me kohë dhe ndotja akustike të shoqëron gjatë gjithë verës. Në disa zona mungon uji i pijshëm dhe njerëzit e blejnë atë me autobote. Ndërsa pastërtia në det është një tjetër element që i ka larguar durrsakët nga plazhi i tyre. Në pjesën tjetër të bregdetit të Durrësit mungon infrastruktura e shërbimeve dhe ato ende konsiderohen plazhe ditore. Këto e të tjera probleme i kanë detyruar banorët e Durrësit që të drejtohen në të tjera plazhe për të kaluar pushimet.