Ndjekje penale ish- kreut të ALUIZNI-t Elbasan dhe 9 punonjësve

80

Prokuroria “Abuzuan me 4 milionë dollarë”

Abuzimi me detyrën  duket se nuk  ndalet nga zyrtarët, pasi pothuajse çdo ditë zbulohen  raste të shkeljeve ligjore,  shpërdorimit me detyrën dhe abuzimeve  me fondet dhe paratë e shtetit. Një tjetër rast  është  zbuluar nga KLSH në institucionin më të përfolur, tek ALUIZNI në Elbasan, duke akuzuar drejtpërdrejt për abuzime me afro 4 milion dollarë ish-drejtorin  L.H  dhe nëntë përgjegjësia sektori,  të cilët  janë paditur në Prokurori. Ata  akuzohen se, “kanë kryer legalizime të jashtëligjshme për 182 subjekte duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 412 milionë lekë ose 4 milionë dollarë”. Kontrolli i Lartë i Shtetit  bazuar mbi kontrollet dhe raportin përfundimtar  ka  bërë  kallëzim penal në Prokurorinë e Elbasanit, pasi ish-drejtori dhe 9 punonjësit  kanë  kryer  legalizime të jashtëligjshme  për  182 subjekte me diferencë në parcelat ndërtimore, brenda Studimin Urbanistik të Qendrës së qytetit Elbasan, në zonat e gjelbëruara pronë e Bashkisë Elbasan, brenda brezit mbrojtës të hekurudhave, brenda ose pranë vijës së ndërtimit të strukturës së rrugës dhe kanaleve kullues, si dhe të pavetdeklaruara, me një dëm ekonomik ndaj  Buxhetit të Shtetit në vlerën 412 milionë lekë ose 4 milionë dollarë”.KLSh  ka dorëzuar në Prokurorinë e Elbasanit  padinë penale  për ish-drejtorin e këtij institucioni, L.H, dhe ish-përgjegjësit e sektorëve A.Z., B.V., V.H., M.H., I.D., H.P., F.L., E.T. dhe A. XH., për akuzën e shpërdorimit të detyrës. KLSH  ka bërë  auditin për  periudhën  Janar 2011- Shtator 2013 dhe konstatoi  shkelje  dhe  lejim  të parregullsive  në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin në 167 raste për sipërfaqen prej 47583.83 m2, në vlerë 412,442,529 lekë duke shkaktuar dëm ekonomik si e ardhur e munguar në Buxhetin e Shtetit, për fondin e kompensimit të ish pronarëve. Sipas një burimi nga Prokuroria e Elbasanit “hetimet kanë nisur dhe ndoshta pritet që shumë shpejt të dalin fletë arrestet e para për personat e akuzuar nga KLSH”.

Raporti KLSH. Në raportin përfundimtar të dorëzuar nga KLSh në Prokurorinë e Elbasanit  ndër të tjera thuhet se, “ish -drejtori L.H. dhe 9 punonjësit e tjerë  kanë kryer legalizime të jashtëligjshme për 182 subjekte me diferencë në parcelat ndërtimore, brenda Studimit Urbanistik të Qendrës së qytetit Elbasan, në zonat e gjelbëruara pronë e Bashkisë Elbasan, brenda brezit mbrojtës të hekurudhave, brenda ose pranë vijës së ndërtimit të strukturës së rrugës dhe kanaleve kullues, si dhe të pavetdeklaruara, me një dëm ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit në vlerën 412 milionë lekë ose 4 milionë dollarë. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit 804/3, datë 11/11/2013, ka audituar Agjencinë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) Elbasan, për periudhën Janar 2011- Shtator 2013. Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh te dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për ish-drejtorin e këtij institucioni, L.H, dhe ish-përgjegjësit e sektorëve A.Z., B.V., V.H., M.H., I.D., H.P., F.L., E.T. dhe A. XH., për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, për, 1. Shkelje, të meta e mangësi, në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, në përgatitjen e dokumentacionit për kualifikimin dhe certifikimin e objektit informal (leje legalizimi), shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale, si dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga Shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje, në kundërshtim me ligjin nr. 9482, datë 03.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, VKM nr. 438, datë 28.6.2006 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”.2. Lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin në, 167 raste për sipërfaqen prej 47583.83 m2, në vlerë 412,442,529 lekë duke shkaktuar dëm ekonomik si e ardhur e munguar në Buxhetin e Shtetit, për fondin e kompensimit të ish pronarëve, si diferencë e pagesës së sipërfaqes së parcelës ndërtimore të papaguar, ndërmjet sipërfaqes së legalizuar (me leje legalizimi) dhe sipërfaqes së parcelës ndërtimore të zaptuar në fakt nga poseduesi, e cila duhet shitur me vlerën e tregut, në kundërshtim me nenet 17, 19 dhe 20. të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, 5 raste janë jashtë kondicioneve urbane, pranë rrugëve dhe linjave të hekurudhave, në kundërshtim me nenin 2, të ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006, pikën 2, të VKM nr. 438, datë 28.06.2006 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”, si dhe pikën 66 dhe 127, të VKM nr. 722, datë 19.11.1998 “Për miratimin e rregullores së urbanistikës”, 5 dosje janë brenda Studimit Urbanistik të Qendrës së qytetit, Bashkia Elbasan, në kundërshtim me nenin 39, të ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 dhe pikën 2, të VKM nr. 438, datë 28.06.2006, 3 dosje janë në zonë të gjelbër me status juridik, pronë e Bashkisë Elbasan, sipas VKM nr. 416, datë 11.07.2007, në kundërshtim me nenin 31, pika 1, germa “a” dhe nenin 39, të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 dhe VKM nr. 438, datë 28.6.2006, pika 2, germa “e” dhe pika 4, germa “a” dhe “b”, 2 dosje janë legalizuar objekte informale të pa vetëdeklaruar nga poseduesi i tyre, veprime në kundërshtim me pika 2 e nenit 2, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, pika 11 germa “a”, të VKM nr. 437, datë 28.06.2006 “Për përcaktimin e procedurave për mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, për ngritjen e bazës së të dhënave”, pika 7/b, të VKM nr. 438, datë 28.6.2006, pika 7/b, si dhe Urdhri nr. 46, datë 18.07.2006 “Manuali i procedurave mbi procesin e vetëdeklarimit” pika 3.8.Për ish -Drejtorin L.H. të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Elbasan dhe ish përgjegjësit e sektorëve A.Z., B.V., V.H., M.H., I.D., H.P., F.L., E.T. dhe A. XH., të cilët, në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, KLSH ka kryer kallëzim penal, duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse. Gjithashtu,  KLSH i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore “Zgjidhje e kontratës së punës” për  ish-drejtuesin e ALUIZNI-t  Elbasan dhe 9 përgjegjës sektori.