Ndërtimi i landfillit në Bajkaj, fundi i kasaphanës mjedisore në Vlorë

921
Sigal

Qeveria e Shqipërisë ka vendosur ndërtimin e venddepozitimit të mbetjeve urbane në Bajkaj-Palavli, Komuna Vergo, duke e konsideruar si zonën e vetme të përshtatshme për ndërtimin e landfillit. Madhësia e venddepozitimit është 58.150m2, me mundësi zgjerimi për të shkuar në 64 mijë m2. Landfilli është investim i Bankës Botërore, me një vlerë prej rreth 7 milion euro, i cili do t’i japë zgjidhje problemit të menaxhimit të mbetjeve urbane nga Palasa deri në Konispol, duke përfshirë disa komuna e bashki të qarkut Vlorë. Punimet janë drejt përfundimit dhe po punohet njëkohësisht në dy drejtime, në ndërtimin e stacionit të transferimit në Himarë dhe rrugën lidhëse për në stacionin e transferimit dhe në landfillin e Bajkaj. Ndërkohë, nga Palasa deri në Konispol, që konsiderohet si një nga zonat më të bukura turistike të vendit, sheh me sy të lirë mbeturina të hedhura nga të gjitha anët, të cilat në pjesën më të madhe të tyre përfundojnë në det apo ndotim mjedisin, me tymin e çliruar nga djegia e tyre. Situata paraqitet akoma edhe më kritike kur mëson se për disa komuna e bashki në këtë zonë, vendet e hedhjes së mbeturinave janë përrenj apo anës rrugës kombëtare, duke shkaktuar problematikë jo vetëm për menaxhimin e tyre, por edhe për imazhin e turizmit. Në Shqipëri riciklohet mbi 17 % e materialeve të riciklueshme të gjeneruara në vend (mbi 221,000 ton mbetje të riciklueshme) pjesa tjetër eksportohet për përpunim në vende të tjera. Është përllogaritur se potenciali për investim në sektorin e riciklimit kap shifrën prej rreth 50 milionë Euro. Duhet theksuar se ky sektor është ende në fazat e zhvillimit të tij dhe se çdo ditë vihen re ndryshime të dukshme, pavarësisht problemeve të ndryshme që ndeshen, duke filluar që nga mënyra e hedhjes dhe asgjësimit të mbetjeve në Shqipëri. Administrimi i mbetjeve në Shqipëri është në një nivel të ulët. Me sisteme për grumbullimin e mbetjeve të ngurta urbane janë pajisur vetëm qytetet, por jo zonat rurale. Praktikohet pak riciklimi. Kryesisht, mbetjet asgjësohen në vendgrumbullimet ekzistuese të mbetjeve, gjë që përbën një shqetësim serioz për ndotjen e mjedisit dhe shëndetin e njerëzve.

Bashkia Sarandë 24.000,00 ton mbetje vjetore
Bashkia Himarë 10.500,00 ton mbetje vjetore
Bashkia Delvinë 7.200,00 ton mbetje vjetore
Komuna Finiq 7.000,00 ton mbetje vjetore
Komuna Konispol 5.000,00 ton mbetje vjetore
Totali 53.700,00 ton mbetje vjetore
Pikërisht, ndërtimi i landfillit në Bajkaj, do t’i japë fund kasaphanës mjedisore që shkaktojnë në zonën më të bukur turistike të vendit, mbeturina të hedhura sa andej-këtej. Kryetari i Qarkut Sadrit Danaj, deklarohet i vendosur për vendosjen në punë të landfillit, ndryshe nga çfarë ndodh me disa landfille në Shqipëri, të cilat ende nuk e kryejnë qëllimin për të cilin janë ndërtuar. Me vendim të Këshillit të Qarkut, është krijuar dhe sh.a.”Bajkaj land”, e cila do të administrojë funksionimin e landfillit, nën kujdesin e Këshillit të Qarkut Vlorë.

Ergys Alushi