Ndërtimet pa leje shkatërrojnë kurorën e gjelbër në Përrenjas

608
Sigal

Të përfshirë në masakrën mjedisore edhe punonjësit e Shërbimit Pyjor. Flet shefi i Policisë Pyjore, Viktor Allko

Zbritja e banorëve të fshatrave të largët të Librazhdit ka bërë që të shkatërrohet kurora e gjelbër e mbjellë me pisha e Bashkisë së Përrenjasit. Ka vite që vazhdon të shkatërrohet ky masiv pyjor me pisha që i jep një bukuri qytetit të vogël të minatorëve. Megjithëse janë vendosur disa gjoba për këto ndërtime, përsëri ato vazhdojnë, madje disa nga banorët thonë se janë gjobitur ata që janë të varfër e pa përkrahje. Madje aty disa kanë shtëpitë e legalizuara, ku dhe vetë punonjësit që punojnë në sektorin Pyjor të Librazhdit kanë ndërtuar shtëpinë e tyre në këtë masiv pyjor të bukur. “Këta persona me punë shteti nuk janë ndëshkuar, por për të tjerët janë vendosur gjoba, thotë banori zonës, Kadri Karriqi. Ndër të tjera Karriqi i pyetur nga “Telegraf”, shprehet se punonjësja e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor që paguhet për mbrojtjen e kësaj sipërfaqe ka ndërtuar vetë shtëpinë aty. Ndërkohë që kjo e fundit ka gjobitur një fshatar, sepse nuk e ka paguar, madje ai ka bërë dhe dy muaj burg dhe 9 milionë lekë gjobë. Karriqi merr shembull Lutfi Bogdanin nga Rrajca, i cili ka zbritur si të gjithë banorët në Përrenjas, por u gjobit se nuk pagoi para nën dorë, madje bëri edhe burg.

Gjobat

Përfaqësues të bashkisë deklarojnë se kjo sipërfaqe është në varësi të Shërbimit Pyjor Librazhd, ndërsa Shërbimi Pyjor thotë që është në territorin e Bashkisë Përrenjas. Megjithëse janë vendosur disa  gjoba nga DSHP Librazhd, përsëri vazhdon të ndërtohet dhe ata që ndërtojnë me ose pa leje nuk përfillin shtetin. Madje për punonjësen e Shërbimit Pyjor, Karriqi  thotë se e ka të legalizuar shtëpinë e saj, që e ka ndërtuar në mesin e masivit pyjor duke prishur sipërfaqe të konsiderueshme mjedisore. Sipas Shefit të Policisë Pyjore, Viktor Allko bëhet e ditur për “Telegraf”, se janë gjobitur të gjithë ata që kanë ndërtuar pa leje dhe janë dërguar në gjykatë për të paguar dëmin e shkaktuar ndaj shtetit. Janë me dhjetëra hektarë tokë pyjore e zënë nga banorët e zbritur nga zona e Mokrës dhe fshatrat e Komunës së Rajcës, Stravanit e Qukësit që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në këtë kurorë të gjelbër me pisha.