Ndërtimet pa leje fajësojnë pushtetin lokal dhe atë qendror

461
Sigal

Harallamb Kota, Studiues

Objektet u lejuan nga IMT dhe do prishen nga ARRZH

Qeveria e kryeministrit Rama, ka shpallur ndërtimin e segmentit rrugor nga mbikalimi i  “teknologjikut” deri te rrethrrotullimi “Shqiponja”, si pjesë lidhëse e autostradës “Durrës-Tiranë-Elbasan”. Projekti i autostradës dhe i mbikalimit te “Shqiponja” është tepër i pëlqyer për qytetarët e kryeqytetit dhe të mbarë Shqipërisë. Mirëpo, zbatimi i projektit parashikon prishjen e një numri të konsiderueshëm  të objekteve (njësi tregtare dhe shtëpi banimi) të ndërtuara pa leje në tokat e pronarëve të ligjshëm, pas ndryshimit të sistemit politik nga “diktatura në pluralizmin demokratik”. Bëhet pyetja: Kush i nxiti shqiptarët të braktisin shtëpitë e tyre, (të largohen nga zonat rurale për t’u vendosur në zonat urbane) dhe kush i lejoi të zaptojnë tokat e pronarëve të ligjshëm dhe të ndërtojnë objekte pa leje ? Përgjigjen mund ta japim të menjëhershme ! Ishin ata shqiptarë të ardhur në pushtet nëpërmjet “kryengritjes mbarëpopullore” por me synimin për të rrëmbyer pronat e pronarëve të ligjshëm dhe për tu pasuruar në mënyra dhe formate të paligjshme. Pushtimi i trojeve bujqësore dhe i atyre urbane u nxit pikërisht nga kjo pjesë e “klasës së re politike”, e cila u shtua numerikisht, u forcua ekonomikisht dhe shtiu në duart e sajë të gjitha pushtetet. Ndërtimet pa leje u shtrinë në të gjithë territorin e shtetit shqiptar duke “shkatërruar planifikimet urbane” të projektuara nga institutet e kualifikuara. Një tronditje “shok” pësoi edhe Tirana. Brenda në qytet, madje në zemër të saj dhe gjatë “lumit lana” u ngritën si “kërpudhat pas shiut” me dhjetëra e qindra  kioska. Hapësirat publike midis pallateve u pushtuan nga ndërtimet pa leje. Bëhet pyetja: Kush i projektoi dhe kush i mbështeti ? Mendoj se mbështetësit dhe nxitësit kryesor u bënë “klasa e re politike”, pushteti qendror dhe administratorët lokal. Pas tyre u rreshtua tregu i lirë (i pakontrolluar) dhe konkurrenca për ta zotëruar atë sipas parimit “sheh rrushi rrushin dhe piqet”. Në këtë këndvështrim, mbërrijmë në përfundimin që përgjegjësia ligjore bie mbi institucionet shtetërore, (Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Policia Bashkiake, Policia e Shtetit, etj.) që lejuan (për 28 vite) zhvillimin kaotik të infrastrukturës rurale dhe qytetëse me ndërtime pa leje në tokat e pronarëve të ligjshëm. Sidoqoftë, zhvillimi kaotik duhet të marrë fund dhe administratorët që e krijuan atë, duhet të vihen përpara përgjegjësive ligjore dhe ndëshkimeve financiare.  Që të ndërmerret kjo nismë shtet-formuese, kërkohet unifikimi i qëndrimeve midis pozitës dhe opozitës, pasi Tirana është metropoli më i madh i shqiptarëve dhe si i tillë, kërkon hapësira dhe frymëmarrje. Trajtimi i kësaj çështje duke u nisur nga këndvështrimet politike dhe të luftës për pushtet e dëmton realizimin e këtij pikësynimi. Qeveria ka për detyrë të qeverisë popullin dhe të programoj rritjen e mirëqenies së tij. Mirëpo, prishja e ndërtimeve pa leje në segmentin rrugor “nga rrethrrotullimi i teknologjikut deri te Shqiponja” pa paralajmëruar kohë më parë “pronarët e objekteve pa leje”, ka krijuar konfuzion dhe shqetësime të mëdha sociale. Bëhet pyetja: A e kanë kryer detyrën e tyre shtetërore Afrim Qëndro, Dallëndyshe Bici dhe Skerdi Drenova? Unë mendoj se nuk e kanë kryer detyrën shtetërore dhe hamendësoj se kanë lejuar ndërtimet pa leje duke krijuar terrenin e përshtatshëm dhe mbështetje ndaj militantëve, të afërmve dhe atyre me lidhje miqësore e interesi.

Ky hamendësim mbështetet me shembuj konkret të abuzimeve brenda qytetit të Tiranës. Në segmentin e rrugës M. Shyri, midis pallateve, inspektorati i mbrojtjes së territorit i drejtuar nga Afrim Qëndro, bëri një “sy qorr duke lejuar në ditën me diell dhe natën me hënë”, zënien e hapësirave publike me kioska e ndërtime jashtë të gjitha rregullave e ligjeve urbane, duke dëmtuar jetesën e qytetarëve që banojnë në pronat e tyre në pallatet e ndërtuara qysh në vitin 1960. Po në këtë segment rruge, në zbatim të projekteve urbane për sistemimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, ky inspektorat veproi me zgjedhje, rrënoi objektet e “personave të pambrojtur” dhe ruajti kioskat e vendosura nga “personat e mbrojtur ( miq, të afërm apo shok të lidhur me interesa)” . Po kështu është vepruar edhe në shumë segmente rrugore tepër të rëndësishme për lirshmërinë e qarkullimit të autoveturave, të cilat nuk po i përmendim pasi do të përqendrohemi në çështjen që po trajtojmë. Hamendësimi im, bazohet edhe në deklaratat e kryeministrit lidhur me ekzistencën në këtë “hapësirë zhvillimi” i ndërtimeve pa leje por të legalizuara dhe atyre të pa legalizuara! Pushtetarë, mos luani mbi kurrizin e popullit dhe me interesat jetike të tij!  Legalizimi i një pjese të ndërtimeve pa leje në një hapësirë zhvillimi urban, tingëllon keq dhe mban erë korrupsion. Për ironi të fatit,  sot drejtor i përgjithshëm i ARRZH-së është Afrim Qëndro që në vitet 2008 e mbrapa ka qenë drejtor i IMT në vartësi të Bashkisë Tiranë, me kompetenca të plota që i lejoi këto ndërtime dhe sot flet sikur është i çuditur me këtë situate. Deklarata e kryeministrit, që do hetohen personat zyrtarë që kanë firmosur këto akte, duhet të përshëndetet. Po qe se është e vërtetë, duhet fillimisht të pezullohen nga detyra krerët e institucioneve që citova pak më sipër. Ky veprim do e bënte më bindës angazhimin e tij në zgjidhjen e kësaj çështje dhe do ndikonte në zhvillimin e shtetit ligjor. Në kuptimin e këtij këndvështrimi, duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore të gjithë inspektorët e paguar nga taksapaguesit shqiptar, që kanë lejuar këtë maskaradë urbane. Sidoqoftë, segmenti i autostradës “Teknologjiku –Shqiponja” duhet të ndërtohet. Njëkohësisht, qeveria duhet të jetë transparente dhe të angazhohet seriozisht për trajtimin ligjor të këtij grupimi banorësh, duke menduar strehimin dhe dëmshpërblimin  financiar të tyre.