Ndërtimet dhe shpyllëzimi i Kodër Vilës rikthen rrëshqitjet e tokës sa herë ka shira

691
Sigal

DURRËS/ Prefekti, Genci Alizoti: “Bashkisë nuk i nevojiten fonde për të mos lejuar ndërtimet pa leje”

Shirat e këtyre ditëve kanë shkaktuar problem në të gjitha zonat e rrethit të Durrësit, duke filluar me përmbytjet e rreth 300 ha tokë bujqësore në grykëderdhjen e lumit Ishëm, rrëshqitje të tre banesave në Komunën e Gjepajt, përmbytje në plazh, Kënetë si dhe në Katundin e Ri. Por këto probleme nuk kanë qenë vetëm periferike, pasi ata kanë pasur ndikimin e tyre edhe në Kodër Vilë. Shirat e rëna janë shoqëruar me rrëshqitje të reja, të cilat janë të kah hershme. Pak ditë më parë përfaqësues të CEZ-it, deklaruan se si rezultat i rrëshqitjeve ka pasur dëmtime edhe në linja dhe si rezultat priteshin ndërprerje të energjisë elektrike. Po situata është edhe më e thellë. Në Kodër Vilë vazhdojnë akoma ndërtime pa leje. Themelet e reja që janë hapur dhe punime të ndryshme në strukturat e tokës kanë sjellë si pasojë edhe krijimin e terreneve të përshtatshme për rrëshqitje, pasi ndërpritet edhe rrjedha e lirë e ujërave. Megjithëse zona e Kodër-Vilës në qytetin e Durrësit prej vitesh me problematikat që ka herë pas here, po i bie kambanave të alarmit, ajo vazhdon të mbetet mjaft shqetësuese dhe me gjithë problematikat e saja ende në të nuk është vënë dorë për ta “kuruar” seriozisht.

Ndërtimet pa leje vazhdojnë

Politika ka debatuar, ka hartuar plane dhe ka dhënë udhëzime, ndërsa ndërtimet pa lejë kanë vazhduar që të mbijnë si kërpudha betoni, të pa shqetësuara nga askush. Me të drejtë Prefekti i Qarkut të Durrësit, Genc Alizoti duke kritikuar Bashkinë e Durrësit që ka lejuar të degradojë gjendja, ka theksuar se Bashkisë nuk i nevojiten fonde për të mos lejuar ndërtimet pa leje. Kjo zonë dikur nga më piktoresket e qytetit bregdetar sot gjendet para një rreziku të vazhdueshëm nga rrëshqitjet e tokës. Ndërtimi i shumë pallateve si dhe shtëpive, por edhe mungesa e investimeve në këtë zonë, kanë bërë që rrëshqitjet të rrezikojnë seriozisht ndërtesat e shumta. Strukturat argjilore dhe rrëshqitja e ujërave gjatë rrebesheve, por edhe ato ujëra të përdorimit të përditshëm kanë bërë që rrëshqitjet masive të jenë prezente. Kjo është shoqëruar edhe me shkatërrimin e infrastrukturës rrugore, e cila është pasqyruar në faktin se edhe rruga e vetme që lidh Kodrën e Vilës me lagjet e tjera të qytetit, nga rrëshqitjet dhe nga mjetet e rënda që kanë kaluar mbi të, të ngushtohet aq shume, sa në afërsi të Vilës se Zogut rruga të degradojë deri në një gjerësi vetëm dy metra. Kjo situatë jo vetëm që nuk lejon parakalim mjetesh, por ka bërë që edhe koshat e plehrave të grumbullohen për të gjithë lagjen përtej zonës dhe nga largësia plehrat përfundojnë në rrëpirat e Kodër Vilës. Duke shtuar nivelin e ndotjes dhe uljes së imazhit turistik të qytetit bregdetar.

Mungesa e investimeve

Disa prej banorëve që e kanë ballafaquar edhe në të kaluarën rrëshqitjet e tokës, në mungesë të investimeve nga ana e Bashkisë kanë filluar të bëjnë vetë ndërtimin e mureve pritëse, për të shmangur sado pak më të keqen, shembjen e shtëpive të tyre nga rrëshqitjet që vijnë nga maja e kodrës. Ndonëse një problem jo pak i njohur për institucionet, banorët shprehen se rrëshqitjet e tokës  rikthehen sa here që bie shi. Një banore Olimbi M., shprehej para disa kohesh se i shoqi i saj tronditej sa herë fillonte rrëshqitja e dherave dhe kjo deri sa ai pësoi në një rast të tillë edhe infarkt e vdiq. Lidhur me këtë situatë emergjente që tashmë pas rifillimit të shirave të stinës është mjaft e dukshme, Prefekti i Qarkut të Durrësit, Genci Alizoti ka sqaruar se i ka kërkuar vazhdimisht bashkisë që të ndërhyjë për rehabilitimin e zonës, po me përjashtim të një projekti të bërë nga ana e Bashkisë së Durrësit nuk është parashikuar asnjë fond qoftë për pyllëzimin të zonës së rrezikuar apo ndërtimin e mureve mbrojtëse.

Në rrezik banorët dhe bizneset rrëzë Kodrës

Sipas Alizotit, problemi i Kodër Vilës është kthyer në një gangrenë për Durrësin, sidomos në stinën e dimrit në kohërat me shi, duke rrezikuar jo vetëm banorët e banesat e ndërtuar mbi kodër dhe rrëzë saj por edhe bizneset që operojnë përgjatë zonës së Currilave. Për zgjidhjen e problemit, Prefekti ka deklaruar se para dy vitesh i ka kërkuar Bashkisë së Durrësit që të ndërhyjë. Ndërtimet pa leje apo me leje në zonën e Kodrës, sipas Alizotit, janë një tjetër faktor që kanë ndikuar në degradimin e zonës, duke i bërë apel bashkisë të ndërhyrë. “Nëse muret mbrojtëse apo pyllëzimi i zonës kërkon fonde, ndalimi i ndërtimeve pa leje jo. Pasi duhet vetëm vullnet për të penguar ndërtimet, të cilët rrezikojnë jo vetëm objektet, por edhe zonën përreth”,- tha Alizoti. Për t’i dhënë një zgjidhje konkrete situatës, Alizoti  garanton se do t’i kërkojë Bashkisë së Durrësit akordimin e një fondi që zona e Kodër Vilës të mos rrezikojë më, ndërsa pohon se do të kërkohet edhe ndihma e qeverisë për lëvrimin e fondeve.