Ndërtesa e bashkisë Cërrik kushton 152 milionë lekë, tenderi për riparimin… 207 milionë!

855
Gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale të vitit 2015, kreu i bashkisë së Cërrikut Ilir Toska, premtoi se nëse do të votohej si krye-bashkiak, projektin e parë të qeverisjes së tij do ta investonte për “hallet e popullit”, madje edhe duke deklaruar se së bashku me drejtorin e rrugëve të Shqipërisë Dashamir Xhika i cili e solli nga Italia dhe e kandidoi për kryetar, do ta bënin Cërrikun “lule” me projekte punësimi, shkollimi, kopshte, çerdhesh, fermash bujqësore e blegtorale, mjekësie e rrugësh moderne. Po a u bënë? Tashmë, jemi përballë një projekti konkret, të firmosur për financim “urgjent” nga krye-bashkiaku i Cërrikut. Është një projekt investimi financiar, që sipas objektit për të cilin do të derdhen milionat e taksapaguesve të Cërrikut, rezulton se nuk ka asnjë lidhje me “hallet e popullit”, por me luksin dhe “zgjerimin” në zyrat e bashkisë. Kjo mund të justifikohet me motivin e “bashkisë së madhe”, por duhet kujtuar që njësitë administrative i kanë zyrat e ish komunave e për më tepër, nuk ka as shtim punonjësish, por vetëm shtim “oreksi për luks e zyra të mëdha”! Me vendim të veçantë, zyrat e bashkisë së Cërrikut, nëpërmjet një tenderi që kalon vlerën 200 milionë lekë, do të modernizohen si mjedise dhe do të zgjerohen si hapësira. Këtë vendim, i cili tashmë ka marrë formë përfundimtare e njofton vetë bashkia e Cërrikut, me një publikim për kryerje tenderi dhe njoftim fituesi të tenderit mbi 200 milionë lekë. Njoftimi është bërë publik në Buletinin e Prokurimeve Publike Nr. 1, datë 11 janar 2016. Kontrata me fituesin, që në rastin konkret janë dy firma fituese si operatorë të bashkuar, rezulton se është nënshkruar në ditën e fundit të vitit, konkretisht në datën 31 dhjetor 2015, siç duket nga urgjenca për të modernizuar sa më shpejt bashkinë, paçka se gojët e liga brenda bashkisë së Cërrikut, thonë se është bërë nga urgjenca për të qepur “letrat e lekëve” që parashikon tenderi. Ky tender që ka lidhje me “hallet e popullit” të Cërrikut, bëhet në një kohë kur bashkia e Cërrikut ka zyra të bollshme e në gjendje normale pune! Absurdi qëndron në faktin, që ndërsa ndërtesa aktuale e bashkisë së Cërrikut e ka vlerën aktuale si objekt fizik 152 milionë lekë, tenderi për meremetimin e saj kushton… 207 milionë, 821 mijë e 81 lekë! sipas informacioneve të ardhura në redaksinë e gazetës “Telegraf”, thuhet se këtë tender e ka “këshilluar” dhe “dirigjuar” drejtori i Përgjithshëm i rrugëve Dashamir Xhika, mjeshtri i tenderëve, ose kumbari që e ka përzgjedhur krye-bashkiakun e Cërrikut, të cilit ka nisur t’i mësoj si “bëhen lekë” me tendera të modelit të tenderëve të rrugëve që bën drejtor Xhika, ku vlera e riparimit caktohet më e madhe se vlera e objektit. 
JA NJOFTIMI I BASHKISË CËRRIK PËR TENDERIN 
Emri dhe adresa e autoritetit kontraktor, emri: Bashkia Cerrik Adresa Lagja nr 2 rruga “Gjimnazistet 1962” Tel/Fax +35558122263 E-mail: [email protected] 
Lloji i procedurës: Kërkesë për propozim (prokurim me mjete elektronike) 
Objekti i kontratës/marrëveshjes kuadër: Rikonstruksion dhe shtese kati i godinës ekzistuese të Bashkisë Cërrik Fondi limit: 17838427 lekë (shtatëmbëdhjetë milionë e tetëqind e tridhjetë e tetë mijeë e katërqind e njëzetë e shtatë lekë) pa TVSH. 
Vlera totale përfundimtare e kontratës (duke përfshirë lotet dhe opsionet): Vlera 20782181 (me TVSH) Monedha Lekë 
Data e lidhjes së kontratës: 31.12.2015 
Emri dhe adresa e kontraktorit, emri: Bashkimi i Operatorëve “Ergi sh.p.k.&Vëllezërit Hysa” sh.p.k”, adresa Elbasan Nr. NIPT K02727229P&K12911201C
Sigal