Ndërroi jetë pas një ataku kardiak, nisin homazhet për gazetaren Adela Xhamani (Foto)

285
Vdekja tragjike e gazetares Adela Xhamani në lule të rinisë pas një ataku kardiak, që tronditi botën e medias dhe jo vetëm, la pas dhimbje, lot dhe mijëra mesazhe ngushëlluese për humbjen e madhe.
Në nder të kujtimit, kontributit të 31-vjeçares, ditën e sotme u zhvilluan homazhe në qytetin e saj të lindjes, atje ku jetoi dhe punoi për shumë vite. Mësohet se ceremonia e lamtumirës për Xhamanin ka nisur në orën 12:00, në Kinemanë e qytetit të Kavajës. Familjarët, miq, njerëz të medias, politikës dhe artit, i kanë dhënë lamtumirën. Mes qindra personave është parë edhe ish-i dashuri i Adelës, Biordi, i cili përloti dje me mesazhin e tij rrëqethës kushtuar gazetares.
Ndërkohë, në orën 14:00 gazetarja do të përcillet për në banesën e fundit.
NGJARJA
Vdekja e Adelës ishte e beftë, duke tronditi jo vetëm ata që e njihnin por edhe ata që e kishin parë përmes ekranit. Ngjarja e rëndë ndodhi orët e para të mëngjesit të djeshëm, në banesën e të ndjerës. Kjo e fundit kishte njoftuar dy miqtë e saj të ngushtë, ndërsa u kishte thënë se nuk ndihej mirë.
Pavarësisht faktit se ajo kishte lajmëruar edhe ambulancën, kanë qenë miqtë e saj ata që e kanë gjetur të pajetë në korridorin e banesës, derën e të cilës ishte munduar me të gjitha forcat ta hapte vet. Edhe pse duket se luftoi deri në pikën e fundit për të jetuar, gazetarja nuk mundi t’ia dilte. Stafi i “BalkanWeb” i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes për humbjen e madhe.