Ndërroi jetë MILIANOV KALLUPI

998
Sigal

            Ditën e mërkurë, datë 24 korrik, mbylli sytë miku ynë, poeti, gazetari e botuesi Milianov Sofokli Kallupi, militant i shquar i kulturës së rrethit tonë e më gjerë.

Milianovi u lind më 18 janar 1948. Ai mbaroi Akademinë Ushtarake, Universitetin e Tiranës për gjuhë e letërsi, Universitetin e Elbasanit “A.Xhuvani” në degën histori-­gjeografi.

Ka mbi 40 vjet që merrej me krijimtari letrare, me poezi dhe ka fituar mjaft çmime lokale e kombëtare e përtej, si: në Elbasan, Tiranë, Sarandë, Korçë, Rumani, Maqedoni etj.

Në vitet 1983-­1995 ka punuar gazetar në gazetat “Luftëtari” dhe “Fjala e lirë”.

Në vitin 1995 themeloi shtëpinë botuese “Egnatia” dhe deri në vitin 2010 ka qenë drejtues i saj. Synimi themelor i kësaj shtëpie botuese ka qenë nxitja, përkrahja dhe inkurajimi i talenteve të reja, të cilën e ka realizuar me sukses, duke botuar mbi 150 tituj librash.

Qe kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi”. Si rrjedhojë e punës së tij aktive të përhershme e me përkushtim ka bërë të mundur që kjo shoqatë të jetë gjithmonë e ngritur e të funksionojë realisht, duke evidentuar dhe vlerësuar krijimtarinë e mirëfilltë letrare të krijuesve elbasanas e më gjerë

Me iniciativën e tij, në vitin 2000 në Elbasan krijohet Klub­ Haiku Shqiptar, shoqatë poetësh, të cilën e drejtoi me sukses. Ky Klub ka krijuar lidhje me Klub ­Haikun Botëror me qendër në Tokio, si dhe me Klubet e Haikut në Ballkan e në Europë. Klub­ Haiku Shqiptar nxori periodikisht revistën “Haiku”, drejtor i së cilës qe vetë ai.

Për të rritur ka botuar 27 libra me poezi dhe 28 libra me haiku.

Krahas kësaj krijimtarie një pune e veçantë krijuese, Milianovi qe bërë i njohur edhe si krijues në letërsinë për fëmijë duke botuar 10 libra për moshën e njomë.

Për krijimtarinë poetike të poetit Milianov Kallupi  kanë shkruar mjaft kritikë dhe analistë të njohur, të cilët kanë vlerësuar me të drejtë punën e tij të vazhdueshme krijuese, si dhe punën organizative për zhvillimin e veprimtarive promovuese e letrare.

Renditet në leksikonë, enciklopedi dhe antologji të ndryshme të botuara në Shqipëri, Kosovë, Kroaci, Maqedoni, Greqi, Japoni dhe së fundmi në antologjinë “Letrat moderne shqipe” në gjuhën italiane. I është dhënë titulli “Qytetar i Nderuar” nga Bashkia e qytetit tonë.

Ky poet është përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, greqisht, maqedonisht, kroatisht, rumanisht, italisht.

Miku ynë i shtrenjtë e i paharruar Milianov, të qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë!

  Astrit Bishqemi, Fatmir Musaj, Musa Vyshka, Pandeli Koçi, Roland Lushi, Beatriçe Balliçi, Shefki Karadaku, Dhimo Tarusha, Ilir Mborja, Xhemal Lufta, Elisabeta Myftari, Ahmet Mehmeti, Lida Lazaj, Nasuf Myftari, Bardhy Ajazi, Çlirim Gega, Vehap Xhindoli, Shpëtim Haxhihyseni, Andon Kristo, Mihal Disha, Nazmi Seitaj, Flamur Luta, Ferit Rama, Stavri Çipi, Lavdim Musaj, Bardhyl Toda, Alfred Molloholli.