Nderohet me titullin “Nderi i Kombit” Institucioni i Avokatit të Popullit

590
Sigal

U festua me madhështi në Pallatin e Brigadave 15 vjetori i institucionit të Avokatit të Popullit. Të pranishëm klasa politike dhe gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë

Dje, u festua me madhështi në Pallatin e Brigadave 15 vjetori i institucionit të Avokatit të Popullit. Të pranishëm ishin gjithë  klasa politike, si  edhe ambasadorë dhe  përfaqësuesit  e institucioneve ndërkombëtare, të akredituara në Shqipëri. Këtë festë e përshëndetën kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, Niko Peleshi, Ermir Dobjani, Avokati i parë i Popullit, Abdelaziz Benzakour, president nderi I Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut, ambasadori i SHBA-ve Donald Lu, i cili përshëndeti në shqip, Clive Rumbold, zv/kryetar i BE-së në Shqipëri, Florian RAUNIG, i cili përshëndeti në shqip, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Marco Leidekker, krey i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Zineb, Toumi, kordinatore e përheshme e OKB-së në Tiranë, Mads Sandau-Jensen ambassador i Mbretërisë së Danimarkës. Presidenti Nishani dekoroi institucionin e Avokatit të Popullit me titullin “Nderi i Kombit”.

Ilir Meta: Kuvendi e ka rritur ndjeshëm cilësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes me institucionin e Avokatit të Popullit

Ilir Meta tha se është një ditë e shënuar dhe domethënëse, jo vetëm për Avokatin e Popullit, por edhe për të gjithë jetën institucionale dhe demokratike, sepse sot kemi rastin dhe mundësinë të reflektojmë dhe të vlerësojmë kontributin e jashtëzakonshëm, që puna e këtij institucioni ka dhënë ndaj jetës shoqërore dhe politike të vendit tonë.  “Parashikimi i Avokatit të Popullit në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe themelimi i këtij institucioni të rëndësishëm, është një prej zhvillimeve më të rëndësishme për demokracinë tonë, duke hedhur themelet e një mekanizmi kushtetues në shërbim të interesave të popullit për të mbrojtur të drejtat, liritë dhe interesat e qytetarit shqiptar nga veprimet e parregullta dhe abusive, apo nga mosveprimet e organeve të administratës publike. Nëse hedhim sytë pas në zhvillimet e demokracisë sonë prej mbi dy dekadash, është e qartë se Parlamenti është në zemër të sistemit tonë demokratik. Por jemi shumë të ndërgjegjshëm se i vetëm, Parlamenti nuk mundet kurrsesi të sigurojë pjesëmarrjen aktive qytetare dhe nuk mundet të garantojë zbatimin në terren të ushtrimit të barabartë të të drejtave të njeriut”, -tha z. Meta. Kryetari i Kuvendit theksoi se krijimi dhe funksionimi i institucionit të Avokatit të Popullit është një garanci mjaft e rëndësishme e kësaj hallke thelbësore të funksionimit të demokracisë. Ilir Meta rikonfirmoi se Kuvendi i Shqipërisë e ka rritur ndjeshëm dhe dukshëm nivelin dhe cilësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes me institucionin e Avokatit të Popullit, sa i përket shqyrtimit të raporteve të posaçme të përcjella prej tij, përfshirjes në seanca dëgjimore për nisma të ndryshme ligjore për të cilat ky institucion ka dhënë rekomandimet e tij, por edhe në shërbim të forcimit të misionit të këtij institucioni kushtetues që mbron liritë dhe të drejtat e njeriut në vendin tonë.

 

Avokati i Popullit, Igli Totozani: Mundohemi të jemi të paanshëm dhe të pavarur, në dobi të qytetarëve

Mundohemi të jemi sa më korrekt sa më të paanshëm, sa më të pavarur, në dobi të qytetarëve dhe kur ky roli jonë kuptohet siç duhet, aq më tepër nga administrata publike, nga qeveria, kjo është e rëndësishme. Ju falënderoj përzemërsisht. Ky është një event i rëndësishëm, është 15 vjetori, një moment ndoshta për të bërë dhe një bilanc, për të parë nga e kaluar, çfarë kemi gabuar dhe çfarë mund të bëjmë më mirë në të ardhmen. Unë kam vetëm 3 vjet avokat tepër i ri për të bërë një bilanc të tillë dhe aq më tepër me shumë më pak përvojë se paraardhësi im avokat i popullit z. Dobjani. Kështu  që do doja që t’i takoj atij nderi për të vlerësuar këto 15 vite të institucionit tonë.

Ermir DOBJANI: Avokati i Popullit duhet të jetë vetëm oponencë për mbi qeverisje

Janë me qindra mira ata që kanë përfituar nga puna e Avokatit të Popullit, ndër vite shumë prej tyre janë shprehur publikisht. Unë e di se ka dhe qytetarë që nuk kanë qenë të kënaqur nga përgjigjet që kanë marrë nga zyra e Avokatit të Popullit, besoj se këtë e ka konstatuar dhe Totozani pas tre vitesh që e drejton këtë institucion, por dhe kolegët e tjerë që na kanë nderuar sot me pjesëmarrjen e tyre këtu sot, por kjo ndodh kudo, sepse Avokati i Popullit vepron jo vetëm me frymë, por është i kufizuar me mjete juridike dhe financiare. Sado që nuk dua të jap këshilla, dëshiroj të theksoj se ombudsmani i Danimarkës më thoshte vazhdimisht, puna e Ombudsmani është art i mbajtjes së ekuilibrave, prandaj mendoj se Avokati i Popullit duhet të vazhdojë të kryejë detyrën me paanësi dhe profesionalizëm, njësimi me opozitën apo dhe përkrahja politike me qeverinë është vetëvrasja e avokatit të popullit të radhës dhe shkatërrimi i institucionit të avokatit të popullit. |Avokati i Popullit duhet të jetë vetëm oponencë për mbi qeverisje, natyra e punës se Avokati i Popullit është që ai të jetë çdo ditë sfiduesi i administratës në kërkim të qeverisjes. Kjo është një aksiomë, por njëkohësisht dhe një sfidë që duhet të shoqërojë hallkat e popullit, për aq kohë sa do të funksionojë ky institucion. Por, që kam dashur dhe vazhdoj të dëshiroj me gjithë shpirt progresin e këtij institucioni dhe të punonjësve të tij, emri i mirë që çdo titullar sot dhe nesër do duhet të lërë kujtesën e popullit të cilit i shërben, në memorien institucionale të shtetit dhe të njerëzve të cilët punojnë.

 

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu: Ne e vlerësojmë punën tuaj dhe institucionit tuaj dhe keni mbështetjen tonë

 I nderuar kryetari Kuvendit, Totozani, zonja, zotërinj,  mirëmbrëma, shpresoj që do të kem fjalimin më të shkurtër në mbrëmje. Ne në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ne nuk e kemi Avokatin e Popullit  dhe mendoj se edhe ne mund të mësojmë diçka prej miqve tanë shqiptarë. Unë kam kontribuar si një zyrtar i të drejtave të njeriut , në ambasadat tona përtej oqeanit, jam takuar me viktimat e torturës, të diskriminimit dhe të dhunës së tmerrshme. Jam në dijeni se qytetarët, veçanërisht qytetarët më të cenueshëm kanë nevojë për zëra të fortë, që janë të gatshëm  të ngrejë zërin në emër të tyre. Ky është saktësisht roli i zërit të Avokatit të Popullit. Do të doja të përgëzoja Avokatin e Popullit Totozani, për punën jetike të kryer prej tij, për të tërhequr vëmendjen për disa prej çështjeve më të guximshme të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Shqipëria ka qëndruar si shembull për gjatë historisë së saj, që prej modelit të saj të hershëm të harmonisë fetare, tek strehimi i mijëra hebrenjve gjatë Holokausti, e deri tek bija e saj e nderuar historike Nënë Tereza. Por mbetet ende shumë për të bërë, që nga përmirësimi i kushteve në burgje, tek adresimi i sfidave të veçanta, me të cilat përballen komuniteti LGBT dhe ai Rom. Zoti Totozani, puna e juaj nuk është e lehtë, ju duhet të mbani autoritetet  në llogaridhënia, pavarësisht partive të tyre politike, dhe e di që herë pas here keni paguar çmim për qëndrimin që keni mbajtur. Por ne e vlerësojmë punën tuaj dhe institucionit tuaj dhe keni mbështetjen tonë.

Ambasadori I OSBE-së në Shqipëri: Ky institucion është krijuar të ofrojë mbrojtje, aty ku ka një mungesë domethënëse të balancës në pushtet

Prezenca e OSBE-së  është e pranishme në takimin e parë të një grupi partnerësh kombëtarë dhe ndërkombëtar, që  e quajnë veten miq të Avokatit të Popullit. Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së janë angazhuar që të fuqizojnë institucionet e pavarura kombëtare në fushën e të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.  Prezenca e OSBE-së është krenare të mbështesë Shqipërinë në bërjen realitet të këtij angazhimi, të fuqizimit të avokatit të popullit, është një pjesë kyçe e kësaj pune. Avokati i  Popullit  është një shtyllë e demokracisë. Ky institucion është krijuar të ofrojë mbrojtje aty, ku ka një mungesë domethënëse të balancës në pushtet, siç është rasti kur një individ ka të bëj me një shtet. Avokati i Popullit u jep njerëzve një zë dhe i mbështet ata në përpjekjet e tyre të përditshme. Institucioni punon që të vihet në vend e drejta e individit . Por gjithashtu aty ku mund të identifikohen dështime sistematike e për të kërkuar ndryshime në institucione apo ligje, që do të ndreqin këto probleme për shoqërinë në tërësi. Në mënyrë që institucioni të funksionojë siç duhet, Avokati i Popullit nuk duhet thjeshtë  të flasë për popullin, por duhet të dëgjohet gjithashtu. Raport rekomandimet e Avokatit të Popullit synojnë që të forcojnë shtetin e së drejtës dhe respektin për të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe në mënyrë që demokracia të bëhet efikase, është e rëndësishme një përgjigje e fuqishme nga organet qeveritare. Respekti për shtetin e së drejtës është detyra e secilit person në shoqëri, por organet qeveritare dhe udhëheqësit me pozita dhe pushtet kanë një detyrim në shumë që të udhëheqin përmes shembullit. Avokati i Popullit kontribuon në  shtetin e së drejtës në Shqipëri, duke ndihmuar për garantimin e trajtimit të qëndrueshëm, si dhe respektimin e  të drejtave të qytetarëve. Unë inkurajoj të gjithë të pranishmit këtu, që të vazhdojnë të fuqizojnë këtë institucion të rëndësishëm dhe të përdorin ekspertizën e avokatit të popullit për përmirësimin e shteti të së drejtës. Në fund, më lejoni që të shfrytëzoj këtë mundësi , për të uruar z. Totozani dhe stafin e Avokatit të Popullit për punën e madhe dhe arritjet e shumta të tyre. Angazhimi juaj për shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut është thelbësore për suksesin e institucionit në punën e tij për popullin shqiptar. Ju uroj edhe 500 vite të tjera të suksesshme. Faleminderit!