Nderim ndaj sakrificave dhe heroizmit të 28 mijë dëshmorëve të Shqipërisë

44
Edhe vlerat e luftës N-Çl, nderim në 70-vjetorin e “Fitores së Madhe”
Dje në Tiranë, në një nga ambientet e njohur për organizim eventesh, Ambasada e Rusisë në Tiranë, mes një atmosfere tepër miqësore me të pranishmit, organizoi përkujtimin jubilar të 70 vjetorit të fitores mbi nazi-fashizmin. Ky aktivitet, u organizua nga Ambasadori i Rusisë në Tiranë, zoti Aleksandër Karpushtin dhe bashkëshortja e tij Ludmilla Karpushtin, nën përkujdesjen e Presidentit të Rusisë, zotit Valdimir Putin. Përveç ambasadorit Karpushtin dhe bashkëshortes së tij, në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe veteranë të luftës Nacional-Çlirimtare dhe pjestarë të familjeve të dëshmorëve të Shqipërisë, drejtues mediash, historianë, intelektualë, studentë, drejtues të shoqatës së Miqësisë Rusi-Shqipëri, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë etj. Ishte një aktivitet që meritonte vëmendje, për faktin se përkon me 9 Majin e 70-të, ditën e fitores së popujve mbi pushtuesit dhe agresorët nazi-fashistë, të cilët nisën dhe kthyen Luftën e Dytë Botërore në një tragjedi njerëzore për popujt e pafajshëm. Ish-Bashkimi Sovjetik, ishte vendi dhe populli epiqendër e kësaj beteje të madhe kundër nazi-fashizmit, përballë të cilëve, së bashku me popujt e tjerë të sulmuar e të pushtuar si Shqipëria, arritën fitoren e madhe historike. Ky përkujtim historik nderi për kontributin vendimtar që dha ish-Bashkimi Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore për arritjen e fitores, ishte dje simboli i ceremonisë dinjitoze, të organizuar dje në Tiranë, nga Ambasada e Rusisë, nën drejtimin e Ambasadorit Aleksandër Karpushtin. Në ceremoninë e organizuar, mbajti një fjalë përshëndetëse edhe z. Rustem Peçi, kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë, i cili falënderoi Ambasadën e Rusisë dhe personalisht Ambasadorin Aleksandër Karpushtin, për organizimin në Tiranë, të 70 vjetorit të fitores mbi nazi-fashizmin. Ishte një ceremoni që krijoji emocione, sidomos prej mirënjohjes dhe vlerësimit që ambasadori Karpushtin, i bëri në fjalën e tij përshëndetëse heroizmit, sakrificës dhe gjakut të derdhur në këtë luftë prej 28 mijë dëshmorëve të Luftës Nacional-Çlirimtare Shqiptare. 
Përparim HALILI 
—————————–

Përshëndetja e zotit Rustem Peçi, kreut të veteranëve të LANÇ
“Jemi krenar për luftën që bëmë, fitorja jonë mbushi 70 vjet…”

Ndihem i emocionuar, që sot në këtë ceremoni të 70 vjetorit të fitores mbi nazi-fashizmin, të organizuar në mënyrë kaq dinjitoze nga Ambasada e Rusisë, nën përkujdesjen vlerësuese të Ambasadorit të Rusisë në Tiranë, Shkëlqesisë së Tij Aleksandër Karpushtin, të përshëndes fitoren tonë të madhe historike, të nderoj me zë të lartë e plotë krenari sakrficën e atyre që dhanë jetën për këtë fitore, të nderojmë sakrificën e popujve të pushtuar e të masakruar nga makineria gjakatare nazi-fashsite. Me mirënjohje dhe vlerësim e nderim, përshëndes në emër të veteranëve të luftës Na-Çl të Shqipërisë, veteranët e Luftës së ish-Bashkimit Sovjetik, atij populli heroik që sakrifikoi deri në vetëmohim për këtë fitore, një vlerësim e nderim të veçantë për dëshmorët e ish-Bashkimit të Sovjetik. Jam sot këtu, për të nderuar luftën e madhe heroike që bëri ushtria Naciona-Çlirimtare Shqiptare së bashku me popullin shqiptar, i cili i dha kësaj lufte dhe kësaj fitoreje që përkujtojmë sot, 28 mijë bijë e bija nga më të mirët. Nderim për gjakun e tyre! Shqipëria u bë pjesë e koalicionit të fitores, duke u rreshtuar në frontin antifashist përkrahë ushtrisë dhe popullit të ish-Bashkimit Sovjetik me etjen për liri, duke u frymëzuar nga fuqia dhe ideali i popullit sovjetik, për të luftuar deri në sakrifica sublime. Është në nderin e çdo luftëtari dhe e çdo familje të ish luftëtarëve shqiptarë, të jenë sot këtu në këtë ditë të shënuar, për të kujtuar atë luftë të lavdishme, që koha e lartëson çdo ditë e m0ë shumë. Nderim dhe respekt për të rënët dhe fitoren tonë të madhe! 
—————————————-

Fjala e Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri, SH.T. Z. Alexandër Karpushin, në pritjen me rastin e 70-vjetorit të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike
Kemi obligim nderimi ndaj sakrificave dhe herozimit të atyre që luftuan, mirënjohje për veprën e 28 mijë dëshmorëve të Shqipërisë 

Të nderuar të pranishëm!
Të dashur veteranë!
Të nderuar përfaqësues të ministrive dhe institucioneve shqiptare, anëtarë të trupit diplomatik!
Të nderuar bashkatdhetarë dhe anëtarë të Shoqatës së Miqësisë “Rusi-Shqipëri”!
70 vite më parë në Evropë pushuan breshëritë e fundit të armëve, duke shënuar përfundimin e luftës kundër nazizmit gjerman. Ajo luftë solli shkatërrime të tmerrshme në mijëra qytete të Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të tjera, shkaktoi miliona viktima dhe mori një numër të pallogaritshëm të jetëve njerëzore. Forca e stërmadhe asgjësuese goditi në atë kohë pothuajse të gjitha vendet e Evropës. Por goditjen më të fuqishme ia dha Bashkimit Sovjetik. Hitlerianët ishin të sigurtë se atyre do t’u mjaftonin gjashtë javë për të pushtuar vendin tonë. Por nuk u mjaftuan as gjashtë javë, as disa muaj, as katër vite të gjata. Të gjithë popujt e Bashkimit Sovjetik u ngritën kundër nazistëve. Asnjëherë njerëzimi nuk kishte parë një unitet të tillë, një vëllazëri aq të shenjtë dhe një besim aq të palëkundur në fitore. Heroizmi i pashembullt u shfaq nga ushtarët tanë si në beteja të mëdha, ashtu edhe në përleshje të shumta lokale. Në fund të fundit arritëm ta mbronim lirinë tonë, t’i dëbonim pushtuesit nga toka jonë dhe ta shpartallonim plotësisht armikun. Është një fakt i njohur se gjatë luftës vendi ynë pësoi dëme kolosale. Ishin shkatërruar shumë vepra të paçmueshme të artit dhe të kulturës. Më e keqja është se nuk do të kthejmë kurrë jetën, talentin dhe shpresat e milionave të bijve dhe bijave të Rusisë. Dhe për popullin rus kjo është një humbje më e madhe dhe vërtet e pakthyeshme. Duhet theksuar se Fitorja e Madhe, pa dyshim, u arrit në saj të pëpjekjeve të përbashkëta të shumë popujve. U krijua koalicioni antihitlerian dhe aleatët tanë, para së gjithash Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, ia dhanë Bashkimit Sovjetik një ndihmë të konsiderueshme. Gjatë viteve të para të luftës ata furnizonin vendin tonë me armatime, ushqime dhe materiale të ndryshme. Më vonë, në qershor të vitit 1944, pas një periudhe të gjatë trevjeçare, u hap Fronti i Dytë. Edhe krijimi i koalicionit, edhe hapja e Frontit të Dytë ishin ngjarje shumë të rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore, se treguan qartë unitetin e forcave antifashiste dhe pashmangshmërinë e fitores së popujve liridashës mbi Hitlerin. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se kontributin vendimtar në këtë Fitore e dha Ushtria e Kuqe. Betejat kryesore me hitlerianët u zhvilluan në Frontin Lindor, dhe pikërisht atje ishte paravendosur rezultati përfundimtar i gjithë Luftës së Dytë Botërore.
Të nderuar miq! Të dashur veteranë! Zonja dhe zotërinj!
Mësimet e Luftës së Dytë Botërore na inkurajojnë që të shfaqim solidaritet. Sot për sot solidariteti i të gjithë popujve të botës, përkrah të cilëve duhet të radhiten, para së gjithash, ish-anëtarët e koalicionit antifashist, mbetet akoma një vlerë e jashtëzakonshme përballë sfidave dhe rreziqeve të reja. Vetëm së bashku mund t’i përballojmë kërcënime bashkëkohore. Vetëm në bazë të fqinjësisë së mirë mund t’i zgjidhim çështjet e sigurisë globale. Pra, ata që përpiqen sot ta ringjallin prapë ideologjinë nazizte, ata që nxisin urrejtje etnike, ekstremizmin dhe ksenofobinë, e çojnë botën në qorrsokak.
Të nderuar miq!
Në Ditën e Fitores ne përulemi para të gjithë atyre që dhanë jetën për idealet e drejtësisë dhe lirisë, para të gjithë atyre që kontribuan në Fitoren mbi Hitlerin dhe aleatët e tij. Kujtimi i viktimave të panumërta të Luftës së Dytë Botërore do të jetë gjithmonë i gjallë në zemrat tona dhe do të përcillet nga brezi në brez.
Obligimi ynë ndaj baballarëve tanë është të nxjerrim mësime nga ajo luftë dhe të parandalojmë përsëritjen e një katastrofe të tillë në të ardhmen. Në Rusi e kujtojnë dhe e vlerësojnë shumë lart kontributin e popullit shqiptar në fitoren mbi armikun tonë të përbashkët. Siç dihet, Shqipëria ishte një nga vendet e pakëta të Evropës që u çliruan nga pushtimi fashist me forcat e veta, pa ndërhyrje të ushtrive të huaja. Dhe ne nuk do të harrojmë kurrë 28 mijë dëshmorë shqiptarë, të cilët dhanë jetën e tyre për pavarësinë e Atdheut. Do të doja t’u drejtohesha edhe një herë veteranëve të pranishëm të lëvizjes partizane të Shqipërisë dhe nëpërmjet juve patjetër edhe të gjithë veteranëve të Luftës së Dytë Botërore. Ju jemi shumë mirënjohës, të dashur veteranë. Dhe jemi të lumtur që sot ju jeni pranë nesh dhe që e festojmë së bashku përvjetorin e Fitores së Madhe.
Lavdi ushtarëve të Luftës së Madhe Patriotike!
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të luftës antifashiste!
Rroftë Dita e Fitores!
Gëzuar festën, të dashur miq!