Nderim At Gjergj Fishtës

784
Moikom ZEQO

Në katundin Fishtë lindi 120 vjet më parë një djalë, që i vunë emrin Zef. Çdo gjë është mbuluar me mjegull, por ne sot bëjmë përpjekje, duke sforcuar përfytyrimin tonë, që të kujtojmë disi gëzimin e thjeshtë të familjes dhe padyshim të kuptojmë diçka më tepër se kaq. Përvjetori i sivjetshëm është i pazakontë, për disa arsye, të cilat gjithashtu janë arsye substanciale të vet kohës. Ne përkujtojmë sot, një nga figurat më të mëdha të kulturës kombëtare, duke bërë publikisht një eksorcizëm para të gjithëve, para atyre që kanë dashur, por edhe para atyre që heshtën. Atyre që mënyrë mediokre dhe cinike e mohuan, para miqve dhe armiqve të Fishtës, që harruan thelbin e pavdekshëm të kësaj figure, atë thelb që është i patjetërsueshëm, pavarësisht nga tërë skajimet e dyshimta politike. Kapërcimi i situatës anatomik dhe mohues për Fishtën përkon me demokracinë, është në vetvete një vetëdije e re për këtë kryepersonazh të letrave shqipe. Ai është lavdëruar si askush, por edhe është sharë si askush. Ai në mënyrë paradoksale është vendosur edhe në Zenit, edhe në të kundërtën e Zenitit. Ky fat i çuditshëm i tij nuk u përcaktua aq nga letërsia dhe kultura sesa nga politika. Kundërshtarët krijuan tabu të vërteta për të. Aq më tepër që pjesa më e madhe e tyre as nuk tentuan ta kuptonin, ose edhe ta lexonin Fishtën. Diktatura krijoi një antipod për të dhe i bëri një gjyq burlesk, një manipulim i pashembullt ky në historinë e kombit tonë. Është e nevojshme, që të ridimensionohet Fishta, të studiohet dhe të përcillen vlerat e tij tek të gjithë shqiptarët kudo në botë. Ai ka vendin tij në panteonin e letrave shqipe. Këtë vend ai e ka patur gjithmonë, pavarësisht nga heshtja apo paradoksi. Kur Fishta aderoi në urdhrin fetar të françeskanëve u mbiquajt me emrin Gjergj. A është ky një evokim i emrit të heroit tonë kombëtar? Gjatë studimeve të tij në Bosnjë ai u njoh edhe me krijimtarinë e poetit kroat Kaçiq, i cili kishte bërë një poemë për jetën dhe bëmën e Fatosit shqiptar, Gjergj Kastrioti, fragmentet e të cilës, të përkthyera në shqip i botoi edhe Konica në “Albaninë” e tij. Fishta qe krijues i kalibrit të madh. Vepra e tij ka përmasa të cilat janë të pakrahasueshme me shume krijues të tjerë shqiptarë. Ai shkroi shumë dhe është mjeshtër i vërtetë i gjuhës shqipe. Në 1908 ai do të ishte një mis i Kongresit të Manastirit, ku u vendos për alfabetin, që përdorim edhe sot. Robert Jokli një nga albanologët më të mëdhenj, flet për Fishtën me admirim në Enciklopedinë “Grosser Brockhaus”. Një tjetër albanolog, Maksimilian Lamberci që do të botonte në gjermanisht kryeveprën e Fishtës, që në vitin 1916 shkroi në Vjenë fjalët e mëposhtme: “ Koha e ardhshme do të dijë ta çmojë më mirë rëndësinë e këtij njeriu”. Por, shumë të rëndësishëm për mendimin eseistik shqiptar janë dy esetë e shkruara nga profesor Eqerem Çabej dhe poeti Lasgush Poradeci për Fishtën, fill mbas vdekjes së tij. Për fat të keq këto dy ese kryevepra, modele të analizave artistike dhe filologjik, nuk janë përmendur asnjëherë më pas dh janë marrë në konsideratë nga shkenca letrare shqiptare. Ripublikimi i tyre do të ishte një ndihmesë e kualifikuar, klasit të parë, për të kuptuar figurën e Gjergj Fishtës. Mendimet e Çabejt dhe të Poradecit janë mendime të dy kolosëve të kulturës. Ato në vetvete janë më autoritative dhe të vërteta sesa tërë analizat e cekëta apo kualifikimet e politizuara. Gjergj Fishta është autori i “Lahutës së Malcisë”. Është e vërtetë që krijimi i një eposi në vargje mund të dukej si diçka e vonuar, madje dhe e prapambetur krahasuar me letërsinë e kultivuar apo dhe shpesh herë të sofistikuar europiane. Është gjithashtu e vërtetë se kjo kryevepër e tij qëndron midis letërsisë orale dhe letërsisë profesionale. Por, Fishta qe një njeri që në mënyrë origjinale diti të bëjë një sintezë që është padyshim një nga dëshmitë më të çuditshme jo vetëm për shqiptarët, por edhe në Ballkan e në Europë. Qëllimi i Fishtës kur zgjodhi formën adekuate të eposit të tij, ishte përtej aspiratave të artit, përtej vetëm faktit të një vepre të mirfilltë letrare. Ai do të krijonte kështu një art që qëllimisht e afroi me deklarimin ose me saktë me këngët legjendare të lahutës së kombit të tij për të krijuar maksimumin e komunikimit me shqiptarët për të realizuar një gjë që rrallëkush në histori ka mundur të bëjë. Për të kuptuar mesazhin e Gjergj Fishtës duhet kuptuar një mesazh akoma më i vjetër, absolutisht një nga mesazhet më të mëdha dhe më të gjatë të kohërave për shqiptarët. Ky mesazh buronte që në kohërat antike, atëherë ku vërshimi i fiseve sllave asimiloi shumë gjëra dhe në kundërpërgjigje populli krijoi Eposin e Veriut, një nga momentet më hijerëndë dhe të pushtetshëm për imagjinatën dhe vetëdijen brezave. Asnjë popull nuk e ka patur si populli ynë rrezikun dhe mundësinë e zhdukjes totale. Është e vërtetë që shqiptarët mbijetuan, por është aq e vërtetë që ata nuk mbijetuan rastësisht. Apeli i mbijetesës u trashëgua nga Eposi i Veriut i kreshnikëve tek epika fishtjane. U bë kështu si të thuash një lloj edicioni i dytë, por tashmë nga një poet i vetëm, i cili ka origjinalitetin e tij dhe i popullarizoi bamat e shqiptarëve me një varg më të kapshëm, siç ishte vargu tetërrokësh. Fishta shkroi të tërë “Lahutën e Malcisë” edhe për t’iu kundërvënë vitit 1913 që bërë ndarjen fatale të kombit. Për vitin 1913 ka protesta, dokumenta, letra, atikuj të atdhetarëve, të cilët nuk pranuan asnjëherë këtë padejtësi. Por, duhej një vepër unike, duhej me saktë një kryevepër për t’iu kundërvënë kësaj ngjarje. Fishta është i vetmi në historinë e letërsisë shqipe që e bëri këtë gjë në llojin e vet, sipas mendësisë shqiptare. Dhe për të mos mbetur veprat dhe vargjet një relikt bibliotekash e fomësoi qëllimisht me atë prozodi që ishte më e kapshme, më popullorja, duke bërë të mundur q të ishte çdo shqiptar pjestarnjë koautor në veprën fishtjane. Këtu është sekreti pse mbijetoi Fishta! Këtu është thelbi i tij kombëtar i cili qëndron përtej jetës së tij politike, përtej jetës së tij letrare apo dhe fetare. Dhe njëkohësisht ky pikëshikim bën të mundur që të shpjegohen edhe jetët e tjera të poetit. Nga kjo pikëpamje ajo është më aktuale se kurrë. Orët e maleve që kanë kaq shumë vend dhe lëvizje në vargjet e Fishtës janë valkiret alpine të shqiptarizimit. Vargu i Fishtës ka vërtet diçka oshëtuese, ai është venerian, ai është plot besim për kombin. Karakteristikë është pseudonimi i poetit Gegq Toska, i mbushur nga nënkuptimet dhe mbikuptimet e unitetit të kombit. Ai u drejtohet figurave të mëdha të kujtesës kombëtare. Në pikëpamje etike vepra e Fishtës është edhe një lloj dualizmi zarathustrian i së Mirës dh të Keqes, ku me të Mirën kuptohet Liria e shqiptarit dhe me të Keqen mohimi i kësaj lirie. Substanca etnike është guri filozofal i Fishtës me të cilin ai transformon fjalët dhe metaforat e tij qenie të vërteta të përjetshme të imagjinatës dhe të historisë. Është e vërtetë që Fishta është një poet që nuk mund të përsëdytet më. Ai sot më shumë se kurrë duhet të vendoset drejt dhe saktë në raportet midis shkrimtarëve dhe krijuesve të tjerë të mëdhenj të gjuhës shqipe. Një kult i ri i tij është absolutisht i panevojshëm madje dhe i dëmshëm. Ai kërkon të vihet në atë vend që i takon me meritë dhe jo më shumë. Ai është nga ata krijues që i mjaftojnë vetvetes. Nga ana tjetër është edhe një lloj skepticizmi i ri qe gjithashtu retrograd politizues. Poeti qëndron si monument në truallin e vet se ashtu siç është shprehur Lasgushi i madh se, Gjegj Fishta është “shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar”. Po sa punë duhet, punë serioze e vërtetë për të bërë përcjelljen e librave të Fishtës tek brezat e rinj, tek të gjithë, për të bërë botimet komplete të kësaj trashëgimie, që janë vade mecum i shqiptarizmit!

Shkodër, 22 tetor 1991 

Sigal