Ndaluan zv/ministren e Brendshme, Artan Didi pezullon efektivët e Taskë-Forcës së Rrugores

577
Sigal

TIRANË- Të paktën 9 efektivë të Taskë – Forcës së Policisë Rrugore janë pezulluar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Burime të besuara thanë për ‘Lapsi.al’ se pezullimi është bërë për shkak se efektivët e rrugores kanë ndaluar automjetin privat të zv/ministres së Brendshme, Elona Gjebrea. Në fundjavë, Taskë – Forca, mes shumë automjeteve të tjera ka ndaluar edhe autoveturën me targa private të Gjebreas, që po dilte nga bar “Kavaliero”, një nga klubet e njohura të natës në Tiranë, pasi ajo kishte vënë në xhamin e parë një kundratabelë. Të njëjtat burime thanë se gjatë këtij kontrolli rutinë efektivët e policisë rrugore i kanë kërkuar drejtuesit të mjetit të shpjegonte se përse e mbante një tabelë të tillë në një automjet privat. Por kur kanë njohur zëvendësministren Gjebrea, që ishte ulur në sediljen e pasme të makinës së saj, policët janë tërhequr dhe e kanë lënë makinën të lirë. Por siç duket, zëvendësministrja nuk e ka pritur mirë këtë kontroll të rrugorëve dhe ka vënë në dijeni për këtë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didin, i cili menjëherë ka firmosur pezullimin e tyre. Burimet e sipërcituara i thanë për ‘Lapsi.al’ se edhe në urdhrin e pezullimit atyre u është shënuar si motivacion komunikimi jo etik me zëvendësministren. Kjo strukturë është një prej më të suksesshmeve të Policisë Rrugore dhe ka ndëshkuar me dhjetëra zyrtarë. Por gjobat që ata u kanë vënë zyrtarëve duket se janë kthyer në problem për Drejtorin e Përgjithshëm, i cili ka patur presione prej tyre për shkak të ndëshkimeve që kanë marrë. Duket se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka shfrytëzuar këtë rast për t’u dhënë zgjidhje edhe problemeve që ka pasur me zyrtarët e niveleve të larta për gjobat që kanë marrë nga rrugorët. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka deklaruar disa herë se pas 23 Qershorit nuk ka më të privilegjuar dhe se gjobave nuk u shpëtojnë as zyrtarët e lartë, e për këtë ka marrë disa herë lëvdata në publik edhe nga Kryeministri Rama. Por mjafton një rast i tillë për të parë që nuk trajtohen të gjithë njësoj dhe se para ligjit janë të barabartë vetëm qytetarët e thjeshtë, e jo shtetarët.