“Ndalimi” dhe lirimi i aktivistit të “Agimit të Artë”!

636
Sigal

A ka lidhje diplomati i lartë i Ministrisë së Jashtme Greke që vizitoi dje Sarandën me lirimin nga burgu të Robert Hajdhit?!

Gazeta “Telegraf” nuk ka nxituar të publikojë lajmin e bujshëm të servirur nga Policia e Vlorës, për ndalimin e aktivistit të “Agimi i Artë”, Robert Hajdhi. Qytetari nga Lukova i përfolur kohët e fundit si një nga aktivistët e partisë neonaziste greke “Agimi i Artë” është ndaluar në pikën doganore të Qafë-Botës nga forcat e policisë kufitare të komisariatit të Sarandës. Shkak i ndalimit të Robert Hajdhit nga forcat policore kufitare të Sarandës, ka qenë pjesëmarrja në ceremoninë përkujtimore të tre vjetorit të vdekjes aksidentale të të riut himarjot, Aleksandër Guma. Mësohet se, Robert Hajdhi ka qenë me pjesëtarë të familjes së tij në momentin e ndalimit nga policia shqiptare, ku pas disa ditë qëndrimi në vendlindje, Lukovë, ku ka dhe biznesin turistik është drejtuar për në shtetin grek, ku jeton dhe punon. Dëshmitarë okularë, thonë për “Telegraf”, se pjesëtarët e familjes, fëmijët, gruaja dhe motra, ku nuk mungonin edhe të tjerë, kanë qëndruar në mjediset e lokalit përballë komisariatit të Sarandës, deri në orën 03:00 të mëngjesit të së premtes, kohë kur i shoqëruari Robert Hajdhi ka plotësuar 10 orë në mjediset e komisariatit dhe më pas është lënë i lirë, i pritur nga pjesëtarët e familjes së tij… Shumë zhurmë për asgjë. Gjithashtu, burime konfidenciale të “Telegraf” bëjnë të ditur se, përgjatë ditës së premte, qytetin e Sarandës e ka vizituar një diplomat i lartë i Ministrisë së Jashtme Greke, takimet, e të cilit nuk bëhen të ditura. Shënojmë gjithashtu se, para dy ditësh aksi rrugor në fshatin Nivicë të Komunës së Lukovës, ka qenë nën terrorin e maskave grabitëse.