Ndalet zëri i Gjeneral Gramafonit, lamtumira për aktorin Bujar Lako

931
Sigal

Po ikin të mëdhenjtë. Lamtumirë Artisti
i Madh, Bujar Lako! Hidhërim i thellë…!

Bujar Lako lindi në Tiranë më vitin
1948. Është një aktor i mirënjohur shqiptar. Karrierën si aktor e fillon në
Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në
Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim
të verës” i G. Erebarës dhe “Përballimi” i V. Gjikës. Pas kësaj
ai realizon një sërë figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve mund të
përmendim: “Gjeneral gramafoni” V. Gjika, “Udha e
shkronjave” V. Prifti, “Ballë për ballë” K. Çashku, P. Milkani,
“Kthimi i ushtrisë së vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime”
Dh. Anagnosti, “Amiko” Cizia Zyke, produksion francez.
Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçojmë:
“Vizita e inspektorit” Xh. Pristli, (Dh. Pecani), `Monserati” E.
Robles (P. Mani), “Vdekja e një komisioneri” A. Miler (F. Haxhiraj),
“Vdekja e Dantonit” Byhner (V. Milçin), “Ditë vere” Mrozhek,
(B. Lako), “Ariu” Çehov (S. Duni) etj. Në vitin 1992 interpreton në
Teatrin e Kombësive ne Shkup në produksionin “Varrtarët” . Në vitin
1975 nderohet me çmimin e veçantë për filmin “Përballimi”. Në vitin
1979 çmimin e veçantë për filmin “Ballë për ballë”. Në festivalin e
filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori me i mirë i festivalit dhe nderohet
me kupën e festivalit për rolin e Halit Beratit në filmin “Gjeneral
gramafoni”. Në vitin 1979 është lauruar me çmimin e Republikës së shkallës
së parë, për filmat “Gjeneral gramafoni” dhe “Ballë për ballë”.
Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” klasi i parë, për
interpretim në teatër. Në festivalin e filmit të vitit 1991 është shpallur
aktori me i mirë për interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin “Kthimi
i ushtrisë se vdekur”. Në vitin 1985 fiton titullin “Artist i
Merituar” Ne vitin 2005 Ka marrë “Palmën e artë” si aktori më i
mirë i Festivalit në edicionin e 29 “Cairo International Film
Festival” me filmin “Megic Eye” të regjisorit Kujtim Çashku. Ky
është çmimi më i madh i marrë nga një aktor Shqiptar në një festival të
kategorisë A..
Në vitin 2013 iu dha titulli “Nder i Kombit” nga presidenti i
republikës..

 

Kryetari
i Kuvendit z. Ilir Meta shpreh ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të
aktorit të mirënjohur shqiptar, Bujar Lako

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, i
shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e tij në këto momente të
vështira familjes, kolegëve dhe të gjithë botës së artit, për ndarjen nga jeta
të aktorit të mirënjohur shqiptar Bujar Lako. Në mesazhin e tij, z. Meta shpreh
ngushëllimet duke theksuar se: “Humbja e
Bujar Lakos është një trishtim i madh për të gjithë. Ai ishte një nga yjet më
të ndritshëm të skenës dhe kinematografisë shqiptare. Mirënjohje për Gjeneralin
e madh të artit. Bujar Lako ishte shkolla e aktrimit dhe i njeriut qytetar.
Ndarja nga jeta është një humbje e madhe por ai do të jetë i përjetshëm në
filmat e ti
j”,- shpreh Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta.

 

Prof. Perparim Kabo 

Ike Bujar Lako

Ike Bujar Lako, ike mik i shtrenjtë,
njeriu i ngrohtë me atë fjalë të butë të zgjedhur dhe të shqiptuar si një jehonë
që vinte nga hone të brendshme. Sa herët u njohëm bashkë, diku në vitet 70-të
të shekullit të kaluar, ju luanit një rol dytësor te “Prefekti” i Besim
Lëvonjës dhe vëllai yt, Adhurimi, shoku im i fëmijërisë na prezantoi, …Skena
dhe ekrani do njihnin më pas një artist të përmasave të mëdha. Aleksandër Prosi
dhe Kadri Rroshi, Sulejman Pitarka dhe Thimi Filipi, Reshat Arbana dhe Tinka
Kurti, por edhe aktorja e ndjerë Violeta Dede partneria juaj në shumë filma, do
të njihnin forcën dhe madhështinë e artit tuaj.
Ti mik iu the me artin tënd të interpretimit regjisorëve, ja ku jam. Dhe Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Kujtim Çashku,
Muharrem Fejzo etj, punuan me Ju…Kinematografia fitoi me artin tënd ndoshta
aktorin më modern në kinematografinë shqiptare. Portreti i plotë, dialogu,
lëvizjet dhe dramaciteti të bënin një aktor më vlera botërore. U habitën me ty
mik te Gjeneral Gramafoni, aq sa menduan, se ishe klarinetist dhe i thanë Viktëor
Gjikës, në një festival në Stamboll, se si e bëre dot edhe aktor këtë
muzikant…Te filmi “Ballë për Ballë” ishe një model i ushtarakut, te filmi “Dora
e Ngrohtë” interpretuat rolin e një brigandi, te filmi “Udha e
Shkronjave,” një fshatar që zgjohet një ditë nga ideja e iluminimit, madje
edhe të “Syri Magjik” që mori çmim ndërkombëtar në Aleksandri të Egjiptit
(festivali i Kajros) si konkurrues në një festival të kategorisë së parë Ju u
nominuat me çmim. Por edhe te filmi “Muaji e Mjaltit”…Ju kishit rol
kryesor. Në Teatër mik…ishe brilant, tek “Macja në çatinë që përvëlon”, te “Portreti
i Dorian Greit”…Eh Bujar, sa e pabesë është vdekja. Para dy javësh u pamë tek
merrje karburant për makinën këtu pranë ish ekspozitës “Shqipëria Sot”. Mira,
gruaja juaj e mrekullueshme në makinë buzëqeshte dhe ti ngrite krahun e më
përshëndete, me atë zërin tënd të ngrohtë prej baritoni. Sa herë takoheshim,
pauza para se të flisje dhe balli që ngrihej në valë meditimi, si tregues i një
pasioni të regjur brenda vetes. Oh sa dhimbje na le me ikjen e beftë. Andej
sigurisht Panteoni të pret. Bekimi Femiu, Kadriu-Parandili i pakët si kandili,
Sandër Prosi, Prokop Mima, Drita Pelingu, Agim Qirjaqi, madje dhe Lazri që sapo
iku në këtë gji dimri, janë shumë, aq shumë sa frikohem, se janë më tepër andej
se këndej. Më lejo mik të them ca fjalë që ndoshta s’t’i kam thënë të plota. Të
gjithë popujt dhe shkollat kinematografike kanë ikonat e tyre, ne të kishim ty
Bujar Lako. Edhe me mënyrën si luaje me kameran, ai lloj hutimi që shpërqendronte
shikimin hedhur për askund, të bënte një mjeshtër, mjeshtër, mjeshtër…atë lloj
sjelljeje me kamerën ia kisha parë vetëm Marlon Brandos…Ju e kishit aq
organike, aq origjinale dhe aq të natyrshme. Futja në dialogun me partnerin
ishte një mjeshtëri e rrallë, ju i bënit dhe të tjerët të ishin të përfshirë,
të kuptonin se sa i thellë ishte arti i interpretimit, se çdo të thoshte të
luaje në një film me Bujar Lakon…Prej këtij mëngjesi s’je më si të gjallët,…por
je mes nesh, arti yt të ka bërë të tillë që nuk do harrohesh në gjithëkohësi.
Mua do të më mungosh…sa herë më thoshe ta pimë një kafe të gjatë, se dua të
flasim…dhe s’e pimë. Të kërkoj ndjesë, tepër vonë’ por mbase do më falësh…Sa
mirë që u lidhëm së fundmin dhe në Fb..dhe herë pas herë shkëmbyem mendime dhe
kujtime…Ike me paqen mik duke na lënë pas misterin…! Nisi të na marrë
malli…Qofsh i Parasjës! Amin!
Pkabo 26 dhjetor 2016

Suela
Konjari

Lamtumirë Gjigand! Atje lart do te jesh
i nderuar si Engjëjt dinë të nderojnë madhështinë e vlerës! …Të qoftë i lehtë
dheu e paqe për shpirtin tënd Mjeshtër! Lamtumire Bujo!

Lulzim
Basha

“Ngushëllimet më të sinqerta për
familjen e tij, për Mirën dhe Bojkenin, për miqtë e dashamirësit, për
admiruesit dhe ndjekësit e panumërt të artit, kinemasë, dhe roleve të të madhit
Bujar Lako. U prehtë në paqe!”

Lisen
Bashkurti

Elegji për Bujar Lakon

 Lamtumirë Bujar! Sot u ndave nga jeta Bujar,
duke i dhënë fund jetës tënde dhe duke marrë me vete një pjesë shpirtërore nga
jeta jonë. Do na mungosh përjetë Bujar! Me jetën tënde të përditshme dhe me
kujtimet e panumërta që le në jetët tona me gjurmët e tua magjepse. Do të kujtojmë
për jetë Bujar! Ti nuk linde për vete, por linde për ne, për të lënë gjurmë që
askush nuk mund t’i shuajë në jetët tona. T’u prehtë shpirti në paqe Bujar,
Bujar ishe nga mendja e bujar nga shpirti, bujar gjatë jetës dhe bujar mbas
vdekjes….bujar mbete në përjetësi! Qoftë e lehtë dheu i Kombit tonë që aq shumë
e deshe… Miku yt i kahmotshëm… Lisen Bashkurti

Rajmonda
Bulku: 

Bujari dha gjithçka, dha më të bukurën
me atë mënyrën e vet, me atë fuqinë e talentit të vet, me fuqinë e protestës së
vet.

Homazhin do ia bëjë gjithkush që do e
kujtojë, çdo shqiptar që do kontaktojë me ekranet për të kuptuar, se kush do i
mungojë artit shqiptar, por Bujari do iki thjeshtë me dashurinë e njerëzve të
vet.

Piro
Milkani: 

Për mua do të ngelet aktori i kinemasë
për të dhënat e tij fizike, psikofizike për një portret të shkëlqyer për një zë
melodioz dhe për një interpretim alla Marlon Brandon. Ishte aktor i kategorisë
superiore, prandaj është humbje sepse ai do kishte mundësi të luante akoma.

Kujtim
Çashku: 

Artisti nuk vdes, së pari, e dyti i
përket këtij panteoni. Kam pasur fatin të jem në Syrin Magjik ku Bujari u
konsiderua në festivalin e Kajros me çmimin si artisti më i madh.