Ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare, Ish-komandanti i Aviacionit Luftarak Shqiptar Bardhyl Taçi

688
Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare Ish-komandanti i Aviacionit Luftarak Shqiptar Bardhyl Taçi. Lajmi konfirmohet nga Shoqata e Aviatorëve të Shqipërisë, e cila pohon se në datën 9 korrik 2015 në Boston të SHBA ndërroi jetë ish-komandanti i aviacionit luftarak shqiptar Gjeneral Brigade (R) Bardhyl Vasil Taci. Komandant Taçi lindi më 5 tetor 1933 në fshatin Kërbanjoz të Korçës. Ai pati një karrierë të pasur profesionale. Në vitet 1947-1950 ka kryer shkollën “Skënderbej” në Tiranë. Në vitet 1950-1951 kryen shkollën e bashkuar të oficerëve Tiranë dhe në vitet 1951-1955 atë të aviacionit për pilot në Bashkimin Sovjetik.
Pas përfundimit të studimeve dhe specializimeve në BS ai ka kryer detyra nga pilot i thjeshtë deri në atë të komandantit të regjimentit të Kuçovës në periudhën 1971-1975. Nga 1975 deri në vitin 1990 ka qenë Komandant i Aviacionit Luftarak Shqiptar. Në datën 31 maj 1990 doli në pension pleqërie.
Komandant Bardhyl Taci ka drejtuar aviacionin në vitet më të suksesshme të kësaj arme por njëkohësisht edhe në vitet e vështira 1980 pas ndërprerjes së ndihmave nga partnerët e atëhershëm të Shqipërisë. Ka qenë gjatë viteve të shkollës dhe specializimeve një student i shkëlqyer, pilot i talentuar dhe një drejtues korrekt dhe rigoroz. Me humbjen e tij, aviacioni luftarak shqiptar humbi një nga pionierët themelues të aviacionit shqiptar, pilotin e talentuar dhe drejtuesin e shquar të armës së aviacionit luftarak shqiptar. Sot në ora 12:00 me orën lokale të SHBA-ve organizohen homazhe në nder të tij nga familjarë kolegë dhe shqiptarë me banim në SHBA.
Sigal