Ndahet nga jeta ish-kryeministri Bajram Rexhepi

611
Ai u bë drejtuesi i parë i qeverisë së Kosovës pas zgjedhjeve të vitit 2001 dhe drejtoi koalicionin e gjerë deri në vitin 2004
Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, ndërroi jetë në Turqi ku po trajtohej pas një goditjeje në tru që nga muaji prill i këtij viti. Ai ishte trajtuar fillimisht në Prishtinë për t’u transferuar më pas në Turqi. I lindur në Mitrovicë më 3 qershor të vitit 1954, Rexhepi për një kohë të gjatë punoi si kirurg në atë qytet dhe në këtë cilësi i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në mars të vitit 2002 ai u bë kryeministri i parë i Kosovës pas zgjedhjeve të para të përgjithshme të vitit 2001 dhe drejtoi qeverinë e koalicionit të gjerë deri në vitin 2004. Për një kohë ai ishte kryetar i komunës së Mitrovicës dhe më pas ministër i Brendshëm në qeverinë e Kosovës.

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014 ai u tërhoq nga politika për të vazhduar profesionin e kirurgut në Mitrovicë. 

Udhëheqës institucionesh e partish politike ngushëlluan familjen e ish-kryeministrit Rexhepi, duke e cilësuar atë si humbje të madhe për Kosovën. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi në një telegram se me guximin, maturinë dhe durimin e tij, Rexhepi ishte shembull për të gjithë. Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, tha se ish-kryeministri Rexhepi ishte një personalitet dhe veprimtar i shquar i cili dha kontribut të veçantë para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare.

Edhe udhëheqës të institucioneve tjera dhe partive politike shprehën pikëllimin për vdekjen e ish- kryeministrit Rexhepi. Ngushëllime shprehën edhe ambasadori amerikanë në Prishtinë, Greg Delauie dhe ai britanik Ruairi O’Conell.
Reagimet
Ilir Meta, President i Shqipërisë: “Veçanërisht kontributi i tij si Kryeministër i parë i Kosovës, si politikan i spikatur në vitet e para të Kosovës së çliruar, si luftëtar i paepur për çështjen e Pavarësisë së Kosovës dhe përpjekjet e tij për ndërtimin e institucioneve të saj, do të mbeten të paharruara në mendjen dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve”.

Hashim Thaçi, President i Kosovës: “Kryeministri i parë i Kosovës, burrështetas dhe politikan që ka prekur jetët e të gjithëve me urtinë e tij. Maturia, durimi, por edhe guximi për të vepruar kur duhej , ishin shembull për të gjithë kolegët e tij. Sinqeriteti, afërsia dhe respekti i tij ishin shembull për të gjithë miqtë e tij. Të gjithëve do të na mungojë si mik, si koleg, si shembull”.

Edi Rama, kryeministër: “Një burrë i thjeshtë që i bëri nder Kosovës në çdo detyrë dhe i bën sot të ndjehen të ligështuar për humbjen e tij, jo vetëm miqtë po edhe të gjithë ata që politikisht ishin në llogore të tjera nga e tija. Ai ia doli aty ku shumëkush nuk ia del dot: La pas një kujtim të mirë tek të mëdhenjtë e tek të vegjlit”.

Lulzim Basha, kryetar i PD-së: “Ishte njeri i veçantë dhe shqiptar i madh. Pak njerëz i kanë shërbyer popullit të tyre si ai, duke u kujdesur me përkushtim si mjek për jetët e njerëzve, duke luftuar për lirinë e tyre dhe duke drejtuar përpjekjet e tyre për demokraci dhe përparim. Do të ruaj përherë brenda meje mbresat e pashlyera për dinjitetin, përunjësinë dhe mirësinë e tij”.

Sali Berisha, ish-kryeministër: “Familja Rexhepi, Kosova dhe mbarë kombi humbën një burrë të shquar, një luftëtar guximtar të lirisë, një shtetar të zotin. Le t’iu shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, autoriteteve të Kosovës dhe të lutemi së bashku që shpirti i tij i mirë të prehet në paqe!”

Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm: “Kryeministri i parë që i shërbeu Kosovës së pas luftës, humbi betejën ndaj një sëmundje të rëndë. Si një mitrovicali i vërtetë, ishte një ndër figurat më të respektuara në politikën dhe mjekësinë kosovare. Dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Shpresës e Vanesës dhe të gjithë të afërmve për humbjen e njeriut të tyre të shtrenjtë”.

Kastriot Islami, ish-ministër i Jashtëm: “Ish-kryeministri i Kosovës, që kreu me fisnikëri e ndershmëri detyrën e kryesimit të qeverisë në një moment të vështirë në vitin 2002; që u angazhuar në UÇK si një luftëtar i vendosur i çështjes së Kosovës; që kreu me moderacion detyrën e kryetarit të bashkisë së komplikuar të Mitrovicës”.
Sigal