Nasip Naço: “Qarku i Beratit do të fitohet nga LSI”

698
Sigal

Kreu i PS-së së Rrethit, Selman Hodaj: “Për një fitore të thellë, PS vjen me një strategji të re në zgjedhjet e 23 Qershorit”

Fushata elektorale sapo ka filluar të ndihet në Qarkun e Beratit. Drejtuesit e forcave politike kanë përgatitur strategjinë e tyre për t’u futur në këto zgjedhje, pse jo edhe për një fitore të madhe. Sipas burimeve të drejtuesve të forcave politike, fushata në Qarkun e Beratit, do të jetë shumë e ashpër, por edhe e pasuruar me një strategji të re, për të arritur një rezultat më të lartë se ai i mëparshmi. Katër forcat politike, tashmë që ndodhen në Berat, do të luftojnë për t’i marrë njëra-tjetrës deputetët e zonave elektorale. Ashtu si, Partisë Socialiste që prej vitesh ka qenë superiore ndaj partive të tjera në zgjedhjet e kaluara i është marrë një deputet, ku PS pretendon vazhdimisht se ja morën me manipulim. Për këtë, kjo forcë politike është tejet e angazhuar për ruajtjen e votave dhe njëkohësisht do të futet në këto zgjedhje me pretendime të mëdha, për të arritur një fitore mbi 70 për qind. Ndërsa LSI-ja ka pretendimet e saj për këto zgjedhje në Qarkun e Beratit. Drejtuesit politikë të saj janë shprehur se, Qarku i Beratit i përket vetëm LSI-së dhe se kjo parti do të luftojë për ta fituar atë. Ndërsa e vetmja forcë politike deri në këto momente që nuk po ndihet është, Partia Demokratike, e cila si gjithmonë shpreh strategjinë e saj në fund. Ndërsa një forcë politike që tashmë është bërë e njohur edhe për qytetin e Beratit, është Aleanca Kuq e Zi, e cila ka filluar këto ditët e fundit një fushatë.

PS

Kryetari i Partisë Socialiste për Rrethin e Beratit, Selman Hodaj, u shpreh për “Telegraf” se, PS-ja në këto zgjedhje do të vijë me një strategji të re, pra, ndryshe nga vitet e mëparshme. “Ne jemi superior ndaj forcave politike të tjera që pretendojnë të fitojnë më shumë deputetë në Qarkun e Beratit. Berati, tashmë njihet si një nga kryeqendrat e majta dhe vetëm kështu shpjegohet braktisja nga ana e Qeverisë. Ne kemi strategjinë tonë për të zhvilluar një fushatë frytdhënëse për zgjedhjet parlamentare dhe jemi të sigurt se do të fitojmë thellë, në këto zgjedhje. Në si asamble kemi marrë një angazhim që të gjithë anëtarët e asamblesë të zbresin në bazë për të punuar dhe për t’u njohur me situatën, ku do të njihen me kërkesat dhe shqetësimet që ka elektorati sot në Qarkun e Beratit. Ne jemi të sigurt se do të fitojmë thellë dhe pa vështirësi. Ne nuk i trembemi as propagandës që bëjnë kundërshtarët tanë politike. Por dhe as që do t’i lejojmë ata që të na vjedhin votat tona, siç u bë në zgjedhjet e kaluara. Tashmë sapo ka filluar fushata edhe në bazë, ku janë duke u përgatitur njerëzit që të jenë vigjilent në zgjedhjet e ardhshme, për të mos lejuar askënd që të na vjedhin votat. Berati është i majtë dhe votën do t’ja japin të majtës, si gjithmonë. Vota të majtës do të jetë dhe vota e ngritjes se ekonomisë, punësimit, ndërtimit të rrugëve, ujësjellsave dhe strategjisë së zhvillimit të zonave turistike”, tha Hodaj.

LSI

Ndërsa krejt ndryshe u shpreh Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Qarkun e Beratit, Nasip Naço. Naço tha: “Ne do të hyjmë të vetmit në zgjedhjet parlamentare pasi ka ardhur koha që ne t’u tregojmë se jemi një nga forcat politike që kemi elektorat më të madh në këtë Qark. Ne do të fitojmë në Qarkun e Beratit, pasi ky qark na përket ne dhe si të tillë do të fitojë LSI-ja thellë”. Tashmë dihet se Qarku i Beratit është i majtë, por ky do të jetë dhe mollë sherri për dy forcat politike që pretendojnë ta fitojnë atë si Partia Socialiste ashtu dhe LSI-ja. Por çdo deklaratë të bërë do të jenë zgjedhjet përfundimtare ato që do tregojnë superioritetin e forcave politike në këtë qark, i cili tashmë është kthyer në një mollë sherri.