Nasip Naço: Pasuritë e paluajtshme të tre vendeve me gjuhë ë përbashkët dixhitale

518
Shqipëria, Kosova dhe Mali i zi do të kenë mundësinë e ndërveprimit mes Sistemeve Globale të Pozicionimit, falë një marrëveshjeje bashkëpunimi të nënshkruar dje nga Ministria e Drejtësisë. I pranishëm gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka vlerësuar rëndësinë e rolit që luajnë Agjencitë e Regjistrimit të Malit të Zi, Kosovës dhe Shqipërisë, jo vetëm në regjistrimin e pasurive të paluajtshme, menaxhimin e këtij informacioni apo verifikimin e saktësisë së tyre. Nga ana tjetër, sipas Naços, këto agjenci kanë detyrën që të përpilojnë një sistem hartografik të saktë kadastral, duke përcaktuar qartë kufijtë e pasurive të paluajtshme, në përputhje me standardet europiane. 
“Të tre institucionet tuaja, pjesëmarrëse në këtë takim, prodhojnë, përdorin apo shfrytëzojnë të dhëna gjeohapësinore, harta dhe plane topografike apo tematike, të cilat përbëjnë infrastrukturën e bazës së të dhënave të informacionit. Një nga aspektet kryesore të kësaj infrastrukture është edhe krijimi i Sistemit të Pozicionimit Global, që për secilin nga vendet tona është një mjet për ndërtimin e një reference të re koordinative, e cila duhet të jetë me të njëjtat parametra me atë të vendeve europiane”, u shpreh Ministri Naço. Gjithashtu ai vuri në dukje se të tre vendet tona kanë rrjete të zhvilluara satelitore të pozicionimit global, si dhe drejtues e specialistë të aftë të cilët punojnë, për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e sigurt të këtyre rrjeteve. “Falë punës dhe angazhimit tonë të përbashkët, sot po arrijmë në një fazë më të lartë bashkëpunimi për të tre vendet tona, të cilat tashmë kanë mundësinë teknike të përdorin në mënyrë reciproke pajisjet (antenat) e këtij sistemi me qëllim shkëmbimin e informacionit në kohe reale.
Ashtu siç ne i shtrëgojmë duart e bashkëpunimit njeri-tjetrit në fusha të ndryshme si ajo e ekonomisë, drejtësisë, kulturës dhe sportit, sot nëpërmjet finalizimit të këtij bashkëpunimi, ne mbërrijmë në një stacion tjetër në rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit europian”, tha z. Naço. Ministri i Drejtësisë shprehu bindjen se kjo mundësi bashkëpunimi është një garanci më shumë që institucionet respektive në vendet tona, të cilët prodhojnë tituj pronësie apo menaxhojnë të dhënat e pasurive të paluajtshme, të flasin të njëjtën gjuhë dixhitale.
Sigal