Nasip Naço në Berat: Vota juaj do të na siguroj fitoren

220

Kreu i LSI-së: T’i lëmë debatet e kohës së kaluarës. Me to le të merren vetëm historianët

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i shoqëruar edhe nga deputeti i Qarkut të Beratit, Nasip Naço ka bërë disa takime në qytetin e Beratit. Këto takime Meta i ka realizuar në zonën industriale dhe me gratë e LSI-së, të cilat bënë një aktive në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani”. Takimin e parë kreu i LSI-së Meta dhe Naço e ka bërë në zonën industriale tekstile të Fasonit në ish-kombinatin tekstil me punëtorët dhe specialistët e këtij sektori. Në këtë takim Meta është shprehur se Fasoni në Berat dhe më gjerë ka marrë një zhvillim të madh. Berati njihet si qyteti i tekstilëve prej vitesh. Meta u ka thënë punëtorëve dhe specialistëve, se prodhimet e tyre janë shumë cilësore, të cilat eksportohen edhe jashtë vendit. Në këtë repart janë punësuar 200  gra e vajza. Eksportet e Fasonëve kapin vlerën e 600 milionë dollarë. Kjo është një gjë e madhe për Shqipërinë.

Aleancat

Pyetjes që i është bërë Metës, se a do të bëjë aleancë me Partinë Socialiste Meta i është përgjigjur: “Aleanca më e madhe për ne është me sipërmarrësit shqiptarë. Kjo është më e rëndësishme për punësim”. Më pas kreu i LSI-së Meta ka marrë pjesë në aktivin që zhvilloi Lëvizja e Gruas për Integrim. Në këtë takim Meta është shprehur: “Ndihem i befasuar në këtë takim që po zhvillohet në Pallatin e Kulturës  “Margarita Tutulani”, pasi një pjesëmarrje e tillë tregon se, ne jemi në rrugë të mbarë për zgjedhjet e 23 Qershorit”. Më tej Meta është shprehur se, rezultatet e 23 Qershorit në Berat do të jenë të jashtëzakonshme, sepse dhe populli i Beratit është i jashtëzakonshëm. “Investime të reja, punë dhe aktivitete është programi i partisë tonë”, ka thënë Meta. “Jam befasuar kur kam vizituar Fasonin në Kombinat, pasi aty janë krijuar mundësitë më të mira për punësim. Ne do ta zgjerojmë këtë aktivitet, ku do të futen një numër i madh vajzash dhe grash të Beratit në punë. Në këtë takim me gratë të futësh një grua në punë i kthen buzëqeshjen një familjeje tërë. Pas fitores së 23 Qershorit, ne si forcë politike kemi projektet që të hapim vende punë të reja, duke zbutur varfërinë. Politikanët fatkeqësisht merren me debate të kaluarës, por unë mendoj se, me betejat e kohës së kaluar të merren historianët. E ardhmja jonë është hapja e vendeve të punës në Berat. Për Beratin më mirë do të jetë e nesërmja se sa e sotmja”, ka thënë Meta.

Buxheti

Gjithsesi, Meta gjatë takimit me gratë, u shpreh se LSI, ka kushtëzuar votat në Parlament për buxhetin. “Kjo u bë pasi ne si grup parlamentar kemi kërkuar investime për rehabilitimin e aksit rrugor Lushnjë- Berat. Kjo s’ka të bëjë me krahinitetin, por për t’i ardhur në ndihmë popullit, i cili kërkon që të jetojë mirë. Rruga është tejet e shkatërruar. Ne e kemi parë vetë kjo ka qenë dhe kushtëzimi i votës tonë në Parlament për buxhetin. Ata kërkojnë të ulin numrin e deputetëve në Qarkun e Beratit. Nuk duhet abuzuar me këtë popull e Beratit, i cili është shumë me kulturë. Banorët këtu janë të varfër, por të gjitha detyrimet ndaj shtetit i shlyejnë. Ata paguajnë taksat e ndryshme rregullisht si faturat e energjisë, ujit dhe shumë të tjera”, -tha Meta. “Prandaj ne jemi këtu që të mbështesim këtë popull me kulturë. Ne kërkojmë votën e Beratit, se të gjitha projektet tona që ne po shpalosim do të zbatohen të gjitha. Ne do të zbusim varfërinë do të hapim vende pune etj..” deklaroi Meta, i cili gjatë gjithë kohës ishte i shoqëruar nga deputeti Naço. Në fjalën e tij kreu i LSI-së premtoi se do të investonte për Pallatin e Kulturës që mban emrin e heroinës Margarita Tutulani, pasi kjo qendër kulture po shkon drejt degradimit. Më pas Meta ka shpërndarë teserat e reja, të cilët u anëtarësuan një numër i madh të rinjsh.

DEPUTETI NAÇO: LSI DO TË SJELLI NDRYSHIMIN!

Deputeti dhe njëkohësisht sekretari politik i Qarkut të Beratit, Nasip Naço është shprehur që banorët e Beratit të votojnë vetëm për LSI-në, pasi kjo forcë politike do të sjelli ndryshimin. Në fjalën e tij deputeti Nasip Naço i ka bërë një pasqyre situatës në Qarkun e Beratit. Ai është shprehur se LSI në Berat është një nga forcat më të mëdha, e cila pretendon të vijë në pushtet. “Ju, këtu në sallë janë rreth 700 gra sikur nga 10 vota të siguroni ne dalim të parët në Berat. Madje kreu i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim do të bëhet Kryeministër i vendit. Kjo do të ndikojë shumë në politikën shqiptarë si brenda dhe jashtë vendit. Ai është një politikan i mirëfilltë dhe si i tillë ai ka dhënë prova kur ka qenë Kryeministër. Qeveria Meta ka qenë një nga qeveritë me të suksesshme gjatë gjithë këtyre viteve të demokracisë. Prandaj unë ju bëjë thirrje që të punojmë, ku me votën tuaj ne të fitojmë. Fitorja do të ndikojë në zgjedhjen e Metës si kryeministër”, tha Naço në këtë takim.